Marrëdhënie

February 17, 2016 | 8:24

Dëshmi/ Natasha Lako & Mevlan Shanaj:Goditje me shikim të parë!

41 vite bashkë… një bashkëjetesë më se e gjatë për të evidentuar pjekurinë e një lidhjeje, e pse jo një modeli që pa kurrfarë receta do të udhëhiqte lidhjen e tyre. Asfare nuk e kishin menduar se ‘goditja” me shikim të parë do të rrëmbente mendjen e dy artistëve të lindur të tillë, ndërsa emblemë e këtij raporti do të ishte intelekti dhe zgjuarsia e të dyve… Jetonin në qytetin “Studenti”, në dy godina përballë. U dashuruan dhe, vendimin për të jetuar bashkë e morën pasi ai futi në xhep rrogën e parë dhe ajo hyri në punë, gjatë vitit të fundit të gazetarisë. Ata janë Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj. Ka qenë një jetë ndryshe ajo e tyre. Një kohë me të vërtetë e pakrahasueshme për dy individë, dy artistë që vijojnë të zbulojnë të panjohurat, në labirintin e jetës së përbashkët.

Intervista:

Mevlan Shanaj kineast

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Baza, pa grua s’ka jetë. Natasha tani për tani është njeriu që unë nuk kam mundur kurrën e kurrës të mendoj se mund ta zëvendësoj. Nëse do ta bëja këtë, do të mendoja se nuk do e dija as vetë.

Cili është ai detaj i veçantë që ju bëri të tërhiqeni drejt saj?

Meshkujt në radhë të parë kur e shikojnë një femër tërhiqen nga paraqitja, kur njihen, i tërheq seksi apo mençuria. Në rastin tim, me Natashën, në herën e parë, kur ishim studentë, ishte pamja. Një provokim që erdhi spontanisht. Unë e ngacmova për diçka, ajo u hutua. Isha ushtar në atë kohë. Ishte një kanal ku u përshëndetëm dhe i them: Edhe ti goce këtu? Tepër e ndryshme nga unë, e ndrojtur. Sinqerisht më ngjiti. Po si vazhdon? Deri në atë pikë sa ne kemi 41 vite bashkë.

Në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës? Zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet apo, modeli u fashit?

Absolutisht. Në atë kohë unë mendoja se martesa do të vinte shumë vonë, nuk e dija që në kulmin e 25-vjetëve, kur isha në atë aventurën e rinisë së mashkullit. Dhe ndodhi. Më duket sikur kam lindur i martuar.

Për të qëndruar te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë (kompleksi i Edipit). E  kundërshtoni?

E kundërshtoj. Nuk e kam kërkuar absolutisht. Këto vijnë nga studimet psikologjike, që shkojnë nga Edipi te Frojdi. Tek unë janë të rrëzuara.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua, nga se varet jetëgjatësia e saj?

Në rastin konkret ka qenë lakmia për intelektin e Natashës, pastaj janë komplekse të gjitha gjërat. Përveç zgjuarsisë, ajo është një mike e mirë, e mbi të gjitha vazhdoj të mësoj prej saj. E kam respektuar shumë marrëdhënien me time shoqe, jo vetëm si seksi i kundërt, por për moralin, karakterin, intelektin, interesat e saj në jetë.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhen të kenë karaktere të njëjta apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Nuk ka receta. Të gjithë këto teori i krijojmë ne njerëzit në jetë sepse duam të krijojmë stampa. Në jetë, në asnjë rrethanë nuk mund të krijosh formula, skema. As në art dhe as në jetë. Jeta është e bukur pikërisht se ka të papritura, të panjohurën në themel të saj. Çdo gjë që është e njohur është e lodhshme, e bezdisshme. Kërshëria për të panjohurën, ambicia për të prekur atë që s’e ke mësuar apo provuar, e bën jetën shumë më të bukur. Unë vazhdoj ta shikoj jetën të bukur sepse shijoj diçka që s’e kam parë kurrë deri më sot.

Ku dalloni dhe ku ngjasoni me Natashën?

Nuk dalloj në asnjë gjë. Dallojmë në gjithçka.

Gruas, në të gjitha kohët i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan tuaj?

Njeriu në radhë të parë ka mister për vete pastaj për partnerin. Unë nuk di veten time deri në fund. Njeriu është shumë i vogël para madhështisë ndaj gjithësisë. Është i vogël ndaj informacionit të përgjithshëm që na jep jeta, natyra. Në këtë inferioritet, njeriu e ka zgjidhur shumë thjeshtë. Zoti. Po ç’është Zoti? Është një abstraksion i panjohur dhe inferioritet i njeriut ndaj gjithësisë. Padijen e tij e etiketon me Zot. Unë vazhdoj të jem inferior, por nuk jam i nënshtruar. Misteri dhe aventura e zbukurojnë marrëdhënien. E panjohura është magjia.

A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijëve të tij?

Nuk ndryshon gruaja, por, sugjestionon dhe merr autoritet lidhja. Bëhet më e konsoliduar, fillojnë detyrimet, lidhjet janë më të rezistueshme. Kompromiset bëhen më të domosdoshme. Arrijmë në përfundimin se dashuria është ajo që na ka mbajtur gjallë, por na duket edhe sikur konsumohet. Përkundrazi bëhet domosdoshmëri për ekzistencë. Dashuria është shumëzuar e shumëzuar, dhe e harrojmë, por në të vërtetë ne e jetojmë, është një llavë që na mban.

Si keni qenë ju si baba?

Hera është vajza, e para dhe Joni djali. I kemi fëmijët e rritur dhe ka vite që unë pretendoj se i kemi shokë, unë pretendoj. Si baba, jo i veçantë, por baba bashkëkohor në kuptimin e mirë të fjalës. I emancipuar, i qytetëruar, deri diku. Jemi munduar të bëjmë më të mirën, unë jam munduar të jem më tolerant, por me sa duket, duke jetuar në një mjedis ballkanik, nuk mendoj se kam qenë shumë tolerant. Mungesa e saj vjen nga egoizmi. Prindi kërkon të materializojë te fëmija mangësitë e jetës së tij, dhe nuk gjen rrugën e duhur për ta gjetur më të thjeshtën, të bukurën, për t’i shumëzuar mangësitë e tij e për t’i çuar në rezultate të mira. Egoizmi i prindërve lë gjurmë të mira, ndonjëherë edhe geni lë trashëgimi. Gjëja më e mirë është që prindërit të bëhen jo vetëm shokë me fëmijët, por nxënës të fëmijëve. Kjo do të ishte këshilla ime.

 Si i keni ndarë rolet në shtëpi ju dhe zonja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Pretendoj se kemi qenë shumë harmonikë, proporcional. Kam qenë një burrë model i emancipuar.  Gjithmonë jam në kuadër të pretendimeve. Ne kemi qenë të dy krijues dhe kjo na ka bërë që të kemi pasur lidhje perfekte në familje. Në ditët që isha pranë familjes përpiqesha të kompensoja qëndrimin tim kur mungoja. Bëj gjithçka.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Ne na kanë ‘ngrënë’ jetën diskutimet profesionale brenda familjes. Kanë qenë shumë prezent sa që njëherë im bir kur ishte në përfundim të adoleshencës së tij iu fut profesionit të regjisurës. Mbaj mend në intervistën që dha për pedagogë të huaj, ata e pyetën se përse kërkonte të bëhej regjisor? Dhe përgjigja e Jonit, siç më ka thënë, ishte: Sepse kam dy prindër që merren me ekranin, imazhin dhe kam dëgjuar konfliktet e tyre non stop. Magjia e ‘përplasjeve’ tona, diskutimeve në familje, pa dashje i injektuam te fëmija jonë. Atë që unë nuk do të arrija t’ia jepja me dëshirë. Nuk kam dashur që fëmija të ishte në gjurmët e profesionit tim.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? A bëni dhurata apo merrni?

Nuk jam burrë model në këtë fushë. Kam mangësi totale. Ndërsa për ditëlindje apo data të veçanta nuk jam deri në këtë pikë, jam delikat. Natashës i ka mbetur më shumë kjo pjesë. Ajo kujdeset për të gjitha. Është e kundërta ime, tepër fine, delikate. E jashtëzakonshme. Ka një përkujdesje jo vetëm për ne të familjes, por edhe për të tjerë. Është e vëmendshme, mundohet jo vetëm të mbajë mend, por t’i kujtojë me dhurata. Fal shumë dashuri dhe është pozitive. Dhurata e fundit ka qenë një parfum. Tani jam unë që i kam kërkuar një celular I Phone. Provokohem pas fotografisë, përjetësisht do ta kem këtë ndjesi. Mund ta përdor këtë lloj aparati si dëshmi të imazhit apo figurës.

Thuhet se shekulli XXI është shekulli i grave?

Unë them se gruaja ka probleme të përbotshme. Këtu përgjegjësi ka dhe vetë gruaja. Në pamundësi që ajo ta përballojë jetën, gjithmonë është më e ngarkuar dhe më e spostuar, dhe shumë herë e ka shitur veten mjaft lirë. Duke luajtur dhe abuzuar me atë që është më e thjeshta, me seksin. Kjo është fatkeqësi e madhe, flas për gruan që do të pozicionohet. Ndërsa për gruan tjetër, në pamundësitë e saj qoftë mentale apo fizike, mbetet e dytë pasi burrat në përgjithësi  gruan e kanë trajtuar si mall seksi. Nuk do të thotë që ajo do të jetë një prostitutë e tij, por në shërbim të tij. Kjo e pengon shumë gruan. Kushdo grua që do të marrë një pozicion në politikë apo në art, do të paragjykohet, kudo. Do ta shikojnë si seksin e dobët. Nuk ka barazi. Kjo duhet kërkuar që nga Eva me Adamin. Ndërsa unë mendoj se ashtu sikurse ndjejmë dhimbje të barabartë fizike nëse shtypemi diku me të njëjtën peshë, atëherë pse mos të ndihet dhe barazia, progresi. Në këtë aspekt, Shqipëria është e mjeruar sepse është shoqëri feudale në familje ndërsa në politikë është feudale dhe komuniste. Kjo e dyta nuk do ishte keq në familje se do kishte marrë diçka. Kështu që femrat sa do të ëndërrojnë… mbetemi një shoqëri konservatore. Tragjikisht shoqërohet dhe te fëmija mashkull si një gjë e prekshme nën derë.

Intervista:

Natasha Lako poete

Në formë postulati: ç’është burri për ju?
Pasqyrë e mashkullit cheetah. Kafshë shumë e bukur dhe elegante e xhunglës. Për pasojë, me instinktin e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes së një territori të caktuar. Rrjedhimisht, shumë më konservatore se seksi tjetër. Në kuptimin e mirë të fjalës, jo në versionin e vuajtjes së vazhdueshme shqiptare. Femra në përgjithësi ka instinktin e largimit nga territori i saj dhe kjo te njeriu është socializuar në  perfeksion dhe në të gjithë llojet e ekstremeve. Kjo e ka bërë burrin të besojë se është ai që duhet të bëjë ligjet, jo vetëm në familje, por në çdo legjislacion mijëravjeçar. Ky mision që ai i ka besuar vetes tregon se thellë-thellë në thelb ai e do shumë gruan, e adhuron dhe ka frikë se mos i ikë. Këto tipare janë të trashëguara.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Simpatik në gjithçka, në pamje dhe mendime. I këndshëm.

Në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës? Te ju u përmbush apo modeli u fashit?
Jo. Modeli për mua ka qenë shumë, shumë i vagëlluar. Por kur guxonte të bëhej më konkret, nënvetëdija me sa dukej kërkonte më tepër një tip enigmatik, të mbyllur, se sa të këndshëm. Në rininë time të parë kisha zbuluar një lloj tipi enigmatik në një film rumun. Mashkulli mund të përfitojë shumë nga mos shfaqja e tij ose nga budallallëku apo hiletë. Te unë ky model u fashit dalëngadalë, ose papritur.

Për të qëndruar te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve.  Kompleksi i Edipit… E kundërshtoni?

Mund të jetë dhe krejt e kundërta. Dëshiron t’i largohesh sa më shumë modelit që ke pasur sa ke çelur sytë. Ndoshta edhe kjo lind nga këto lloj komplekse, por është e diskutueshme, jo e stamposur për të gjithë. Cheetah femër që linte territorin e vet, ndoshta para krijimit të njeriut, nuk ka vuajtur nga kompleksi i Edipit. Më duket se që kur jam bërë gjyshe, kam kuptuar më shumë ciklin më të zgjeruar të marrëdhënieve nënë-vajzë, a babë-bir. Më i fortë nga të gjitha është instinkti i riciklimit. Për mua balanca kalon te njeriu që kërkon të eksplorojë dhe të hapë veten se sa të gërryhet vazhdimisht në një qark të mbyllur. Por burri në shumë raste kërkon të mos e humbë kujdesin e nënës dhe këtë e kërkon kur ndihet i dobët ose në momente të vështira. Pse jo, kërkon mirësinë sublime.

Çfarë vjen pas pasionit në një lidhje, nga se varet jetëgjatësia e saj?
Ka lloj-lloj pasionesh të fabrikuara qoftë kur janë të përjetësisë, qoftë kur dëshirojnë të shkurtojnë periudhën e pasioneve të furishme. Sot kanë ndryshuar statistikat. Me jetëgjatësinë ka ndryshuar edhe kufiri i rinisë me të cilin njerëzit lidhin pasionin. Për mua jetëgjatësia e një pasioni varet nga koncepti se si i sheh fazat e jetës trupore dhe shpirtërore të copëtuara nga njëra-tjetra apo si një të tërë. Ka njerëz që kanë nevojë të stimulojnë pasione të ndryshme për të shpëtuar veten. Për mua jetëgjatësia e pasionit varet nga eksplorimi i vazhdueshëm.

Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jetë të njëjtë apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Mua personalisht më pëlqen të tërhiqem nga e kundërta. Por në mirëkuptim del që dy familjet tona kanë pasur deri diku fate dhe këndvështrime mjaft të afërta. Pra nuk jemi të tipit Romeo dhe Zhulietë pasi nuk rrjedhim nga Kapuletët dhe Montaget.

Keni zgjedhur të mbani mbiemrin tuaj? A ka një shpjegim?
M’u duk si një kapak të vija mbi mbiemrin tim një mbiemër tjetër. Sa shenjë lirie është edhe shenjë e një vazhdimësie. Jo vetëm se kisha botuar me mbiemrin tim, por si fëmijë i vetëm, shto këtu ndikimin e çifteve ala Sarter dhe Simon De Bovuar, nga adhurimi për futuristët si Majakovski, nuk mund të bëja diçka më tepër. Pra mos ndryshimi i mbiemrit, kishte mjaft ideologji të pashfaqura.

Si janë rolet që luani në shtëpi? Sa tradicional është rasti juaj?
Do të kisha dëshirë të ishim edhe shumë më të pavarur nga njëri-tjetri. Nevoja për të mbijetuar të bën edhe më tradicional. Ka njerëz që quajnë kanunin tradicional, ka të tjerë që tradicionalen e përfshijnë deri në vitet ‘50. Por unë kam fatin që tradicionalen e ngurtë ta kenë prishur prindërit e mi. E kam fjalën për martesën. Por të ruash thelbin e lidhjes duke qenë njëkohësisht i lirë, ose e lirë në ndjenjën dhe ndërgjegjen tënde, është shumë e vështirë. Të tjerat, lufta për kohën se kush do ta ketë më në dispozicion për vete, është një betejë tinëzare. Unë kam një poezi për këtë të quajtur “Fam(e)-hilja”. Ma merr mendja se jemi si të gjitha familjet e tjera qytetare. Njeriu dhe çdo familje përfaqëson vetëm një grup të caktuar.

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Cilat janë rolet që keni marrë përsipër?
E kam dëgjuar këtë edhe kur njerëzit vënë kurorë në kishë. Në principet e mija nuk do ta pranoja kurrsesi. Por jeta është e vështirë, varet nga kushtet. Si shembull: Gjysma e periudhës sonë së bashku ka qenë e ngjashme me atë të triskëtimit, ku një elitë politike shpërndante një copë bukë dhe një copë pune, diçka e mbetur që nga organizimet e para autoritare të tipit spartan. Sot me vështirësi kemi hyrë në modelet e bazave të zhvillimit republikan athinjot, ku gruaja krijon diferenca më të mëdha me burrin, qoftë në luks dhe në shenja bukurie. Paraardhësit e shqiptarëve duhet të kenë qenë vazhdimisht të prirë drejt shoqërive të tipit autoritar të Sirakuzës, madje Ilirët ata kanë pasur si aleat të tyre. Për çudi, në këto sisteme, gruaja dhe burri kanë qenë më të barabartë nën vullnete më supreme. Sot flasim më lehtë për sakrificë të gruas që konceptohet më mirë si punë e papaguar. Shpesh edhe ne përfundojmë në biseda se kush ka sakrifikuar më tepër nga njëri-tjetri, kjo pasi kemi qenë të dy krijues dhe shumë të ngarkuar. I them këto pasi jemi shoqëri shumë konservatore që kemi ruajtur qindra shekuj.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në çift, është mirë të jenë, apo diskutimet e punës duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?
Varet. Unë kam qenë skenariste e shumë filmave me Mevlanin, por nuk kam ditur asnjëherë se cilët aktorë ka vendosur para se të fillojë xhirimet. Kemi pasur një distancë relative për shkak të kohës së ngarkuar ose dëshirës për ta lënë tjetrin pak “rehat”. Por në një derë krijuesish nuk mund të lihen prapa diskutimet për krijimtarinë. Shoqëria kudo është shumë e mbingarkuar. Pranë Uashingtonit ku banon vajza ime, kam takuar dhjetëra e dhjetëra gra që merren vullnetarisht me familjet e traumatizuara. Në këto preokupime të specifikuara, nuk ka nevojë për llogari reciproke, por ndoshta vjen momenti për një këshillë nga më të besueshmet. Nuk mund të jenë të gjitha preokupimet vetëm për çështjet e familjes sepse kjo tregon vetëm krijimin e një makinerie monotone. Por gjithashtu për shkak të terrenit të lirë të secilit unë nuk mund të di të gjithë shqetësimet e Mevlanit si producent dhe ai nuk mund të dijë të gjithë projektet e mija për një grup që kam krijuar dhe që quhet Profuturum.

A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? A bëni dhurata? I pretendoni?
Dhurata është një shenjë për dëshirë dominimi. Ato të surprizave të mëdha janë edhe të dominimeve më të mëdha. Në këtë drejtim Mevlani duket sikur të lë fare të lirë. Unë jo. Por tani ia kuptoj të gjitha llojet e shijeve, nja 90 %. Më e lehta është të dhurosh kravata megjithëse shumica nuk përdoren. Por më e mira janë parfumet e mira, që pa raste të veçanta nuk mund t’i blesh dot.

Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Nisur nga pozitat dhe vëzhgimet e mija them se ky fillim shekulli po ngre triumfin e modelit dhe trupit të bukur. Në këtë kuptim pse të mos jetë edhe shekulli i bukurisë së gruas, aq më tepër me këtë shpejtësi komunikimi. E keqja është se kjo bukuri grumbullohet ose akumulohet vetëm atje ku akumulohet paraja. Por po ta komentosh këtë shekull edhe me këtë dukuri bukurie femërore, del sikur burrave u bie që të konsiderohen më të shëmtuar. Ka kaluar mbi 10% e këtij shekulli që nuk është pak dhe jeta ka vazhduar si gjithmonë. I bie që të bëhet edhe 10 herë më tepër. Por përsëri do të jetë shumë, shumë pak. Kemi dëgjuar se si humbi jetën një vajzë e përdhunuar në Ukrainë dhe si e humbin jetën gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe se si vetëm nga viti 1996 rastet e përdhunimeve masive arritën të quhen krime kundër njerëzimit. Mashkulli Cheetah nuk e bën këtë. Shoqëria ndonjëherë i degradon edhe instinktet që ka përftuar  mrekullisht prej kafshëve. Për këtë ndikojnë shumë kushtet sociale. Të më falë lexuesi që huazova shumë nga jeta e një kafshe të largët, por nuk ka asnjë të dhënë të këtij lloji për arinj apo dhelprat tona, madje asnjë nuk e di se sa kanë mbetur.

Botuar në revistën Psikologjia, Prill 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top