Në fokus

October 25, 2016 | 8:47

Dëshmi/ Ndriçim Kulla: Inteligjenca e shoqërisë shqiptare lë për të dëshiruar!

Padyshim, teoritë mbi inteligjencën janë të shumta. Në fakt ajo përcaktohet nga aftësi të ndryshme të njeriut, të cilat vijnë përmes gjuhës, muzikës, shkencave ekzakte, perceptimit të botës dhe njohjes së vetes dhe shoqërisë që na rrethon. Por inteligjenca duhet kultivuar që herët, sistematikisht dhe me cilësinë e duhur. Për shkrimtarin dhe studiesin Ndriçim Kulla, kjo është arsyeja kryesore për t’i dhënë formën e duhur një shoqërie.

*Ndriçim Kulla, studiues, publicist, kontribues në përgatitjen dhe botimin e mendimit shqiptar

Si do ta përkufizonit ju inteligjencën dhe si e shihni shoqërinë e sotme shqiptare në nivelet e saj të inteligjencës?

Inteligjenca është ndoshta koncepti psikologjik më i vështirë për t’u përkufizuar. Historia na ka dëftuar mjaft përpjekje për ta përkufizuar inteligjencën në mënyrë standarde, por që në fakt kanë dështuar të gjitha. E kjo për arsyen e vetme se, inteligjenca nuk është diçka që zotërohet apo nuk zotërohet, por më tepër është një mozaik elementësh që shprehen në të gjitha mendimet dhe sjelljet tona. Në këtë kuptim, një përpjekje moderne për ta përkufizuar inteligjencën do të qe konsiderimi i saj si një aktivitet i përgjithshëm intelektual. Nisur nga kjo normë dhe ky nivel, inteligjenca e shoqërisë shqiptare lë shumë për të dëshiruar, sepse dhe vetë jeta e kulturës së përgjithshme mendore te ne nuk ushqehet sistematikisht, nuk ushqehet me cilësinë e duhur (me llojet e caktuar të librave formues) dhe nuk drejtohet mençurisht nga organet publike (minisritë përkatëse) dhe ato të shoqërisë civile, së pari te çdo individ e pastaj edhe te çdo agjent kulturë-formues në përgjithësi.

Studimet e fundit kanë dalë në përkufizimin e disa tipareve që karakterizojnë personat inteligjentë. Për shembull, ata dinë të falin, janë krijues dhe i vënë në zbatim idetë, kanë humor dhe janë të suksesshëm. Sa pajtoheni me këtë?

Inteligjenca njerëzore nuk mund të karakterizohet si diçka koherente dhe e përvijuar një herë e mirë. Më shumë ajo manifestohet dhe shprehet nga një bashkësi aftësish, sjelljesh mendimesh e emocionesh. Natyrshëm, që sa më të prirura ndaj pozitivitetit të jenë të gjithë këta elementë, aq më inteligjent është njeriu. Pjesa më e madhe e atyre që ju përmendni, janë karakteristika që nuk mund të kryhen me anë të një aktiviteti specific, por të faktorëve të përgjithshëm që përmbajnë funksione të shumtë psikikë të tillë si: intuita, kreativiteti, kapaciteti për të kuptuar, zgjidhja e problemeve, përshtatja ndaj situatave të reja, etj,. Pra, pajtohen me nocionin e sipërpërmendur të inteligjencës. Po kështu edhe falja mund të quhet si një përmbledhëse e mjaft aktiviteteve të veçanta, si dashuria për njeriun, për jetën e paqtë, për solidaritetin, e kështu me radhë. Ndaj fare mirë mund të përfshihet edhe në termin e inteligjencës emocionale.

Albert Einstein ka thënë: “Nëse dëshiron që fëmijët të bëhen inteligjentë, lexoju përralla. Nëse dëshiron të bëhen edhe më inteligjentë, lexoju më shumë përralla”. Keni një këshillë për këtë?

Tradita e përrallë-tregimit ka ekzistuar prej shekujsh dhe në çdo kulturë, e përderisa është një trashëgimi që ka rrezatuar gjithmonë kulturë dhe ka rritur mendërisht shëndetshëm breza të pafund fëmijësh, diçka të vërtetë duhet të ketë. Vetëm diçka do të shtoja: fëmijët, sipas studimeve më të fundit, duhet të edukohen dhe të kultivojnë sensin e tyre kritik për çdo gjë që ka të bëjë me botën, jetën dhe marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi. Edhe përrallat me moralin e tyre mund të kontribuojnë shumë mirë në këtë gjë.

Bazuar në përvojën tuaj, si duhet kultivuar inteligjenca?

Në mes të teorive më të rëndësishme që sot mbizotërojnë në fushën e edukimit dhe në degën më të gjallë të psikologjisë, konstruktivizmin social, është ajo e inteligjencave të shumëfishta, e zbuluar nga psikologu amerikan Howard Gardner, i cili dallon plot 9 tipe themelore inteligjencash nga vetëm dy që njiheshin si të rëndësishme deri më sot. Të gjitha këto 7 lloje themelore inteligjencash të anashkaluara prej një kohe të gjatë, duhet të individualizohen te çdo fëmijë dhe pastaj të kultivohet secili sipas prirjeve të veta. Ky është një revolucion i vërtetë në edukimin e brezave të ardhshëm, por edhe në rritjen potenciale të inteligjencës njerëzore në tërësi.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.107

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top