POLITIKANI & ARKEOLOGU
Arkeolog jam për hir të një pasioni që nga fëmijëria. Ndërsa politikan i vonuar, për çështje komunikimi. I gjithë brezi ynë mund të quhet brezi i “politikanit epik”. Nuk erdhëm nga profesioni apo karriera, por nga universiteti, sepse aty ishte qendra e lëvizjes për ndryshim. Kontributi im i takon periudhës nga viti 1990 deri në 2000. Pjesa tjetër është prozaike, profesionale. Ka qenë një mundim i madh në krijimin e Partisë Demokratike, futjen e frymës liberal-demokrate. Më vonë, për shkak të koncepteve, u ndamë e krijuam Aleancën Demokratike. Në drejtimin e saj luajtëm një rol të rëndësishëm: më 21 shkurt në evitimin e një gjakderdhjeje në Urën e Lanës, më 22 shkurt ’92 mënjanuam grushtin ushtarak tek Shkolla e Bashkuar. Arritje është marrëveshja e 6 marsit ’97, kur evituam degradimin e shoqërisë dhe kalimin në zgjedhjet e parakohshme. Roli im ka qenë vendimtar në marrjen e kontaktit me Berishën dhe organizimin e tryezës së parë mes partive politike. Në fund të korrikut ’97 u bëra ministër i Brendshëm. Në kohë rekord, brenda pesë javëve, kam rivendosur rendin, ndërsa si kontribut që ka mbetur dhe sot është krijimi i një policie profesioniste apolitike. Politika sot ka evoluar në mënyrë historike sipas modelit italian apo atij grek. Një çorientim politik pas fitores së demokracisë, të tendencave për një lloj autoritarizmi që vjen nga trashëgimia e periudhave paraardhëse, por pastaj pak nga pak kalohet në normalitet. Them se kemi hyrë në një fazë të politikave normale, ku biznesi dhe interesat ekonomikë kanë ndikim në rritje në opinionin publik. Rruga shqiptare është moderuar dhe nga prezenca e fortë e NATO-s dhe BE-së. Në arkeologji kam ndjekur një rrugë profesioniste, duke rritur në rrugë graduale kualitetin. I kam kushtuar një vëmendje gjuhëve të huaja, gjermanishtes, të cilën e mësova nga babai, italishtes, frëngjishtes, anglishtes, rusishtes dhe greqishtes, që e kisha si një lloj origjine të nënës sime. Bagazhi i dytë ishte terreni. Kam parë gjithë monumentet e Shqipërisë. Kam filluar gërmimin e parë kur isha 22 vjeç, në Tropojë. Besoj se i takoj atij brezi të arkeologëve që nuk ekzistojnë më. Është në zhdukje ai brez që nuk mund të flasë për monedhat, mbishkrimet, arkitekturën, historinë antike.
TRADITA & TRASHËGIMIA
Unë jam formuar si arkeolog në ndjekje të babait tim. Që 5-6 vjeç e kam ndjekur atë në ekspedita, me interesin për zbulimin e një skulpture apo voze që kërkonte dhe shpjegimin e tyre. Pasionin e vërtetë e kam pasur në fund të gjimnazit. Për herë të parë 13 vjeç, babai më mori si ndihmësin e tij, sepse deri në atë kohë më jepte kazmën dhe lopatën si punëtor në ekspedita. Në 1961 botova shkrimin e parë arkeologjik në buletinin e shkencave shoqërore. Në kohën që merresha me alpinizëm, një pasion tjetër ky, kisha zbuluar një kala në Dajt, të shekullit 4-6, ku bëra një përshkrim të detajuar, mendim i cili edhe sot nuk ka ndryshuar. E kam datuar në kohën e Justinianit, sepse gjeta një monedhë të tij në kala, të cilën e identifikoi im atë. Ndikimi i tij tek unë ka qenë në dy aspekte. Në aspektin profesional, ai ishte shumë i saktë në ato që bënte dhe shkruante, i formuar gjerësisht. Kishte bërë një shkollë klasike, dinte greqishten e vjetër, latinishten, lexonte tekste dhe kjo ndikoi edhe tek unë. Ai ishte specialist numizmat, që zbërthente monedhat e territorit tonë në detaje. Nga ana tjetër ishte një baba tradicional, që s’ekziston më. Nuk përkëdhelte, por duhej të ndiqje modelin e tij në mënyrë jo vetëm instiktive, por edhe me bindje. Ishte dhe patriot. Shtëpia jonë nuk kishte asnjë objekt arkeologjik, sipas parimit të arkeologut që ‘çdo gjë që zbulon e çon në muze’. Kishim vetëm një bibliotekë të pasur arkeologjike, të cilën ai e bleu më 1941, kur kishte vdekur albanologu Nopça dhe biblioteka e tij u vu në ankand në Laipcig të Gjermanisë. Oferta i erdhi qeverisë shqiptare, por ajo nuk dha para. Ndërsa babai im, paratë që kishte kursyer për të ndërtuar një shtëpi, i përdori për ta përvetësuar atë bibliotekë profesionale. Biblioteka sot është në shtëpinë time dhe besoj se do të kaloj në brezin e tretë të arkeologëve, që është vajza ime Orgita, diplomuar në Francë.
FAMILJA & FËMIJA
Familja është futur pak nga pak në ndërgjegjen time. Kishte diçka aristokratike në dy drejtimet. Mamaja ime ishte bijë e një familjeje shumë të pasur në Greqi, bejlerë në hapësirat midis tokave maqedonase dhe greke. Të shkolluar për juristë dhe mjekë në universitetet e huaja, ndërsa dhe nga ana e babait ishin po kaq të ditur e të pasur. Ishte prejardhje me dy tehe. Fëmijët e mi janë të dy gjeneratave të ndryshme. Egini dhe Orgita, të lindur para ’90, janë sistematikë, të disiplinuar, të ndërgjegjshëm dhe Redoni, që vjen më pas. Ky është hamburger dhe koka-kola. Ka ndryshim në mënyrën e vështrimit të jetës dhe përgatitjes për të ardhmen. Megjithatë të tre janë Ceka në drejtim të arsimimit. Orgita punon në Tiranë si arkeologe, ndërsa Egini punon si diplomat në ambasadën shqiptare në Vjenë. Është korrekt, nuk ka lidhje me drejtimin politik si profesion.
ILIRËT & ANTIGONEA
“Ilirët” ka qenë një detyrim ndaj një miku shkrimtar. Janë botuar dhe nga autorë të huaj, por libri im ka meritën që përqendrohet në këtë territor. Një detyrim personal për faktin se isha i detyruar të jepja një prodhim timin studimor mbi qeramikën, malin, gërmimet në zona të ndryshme. Pjesa më e madhe e njerëzve duan një zbërthim më letrar, më të kuptueshëm. Unë e kam pasur këtë talent që kur isha i vogël, kur babai më shpjegonte e unë i përktheja pak nga pak, në fillim me gjuhën e fëmijës, të riut e pastaj të rriturit. Kur ika nga Ministria e Brendshme, ritmi i së cilës ishte i ngjeshur, iu shtrova punës për të bërë histori lineare. Problemi i lindjes së etnosit ilir e deri në takimin e këtij procesi me shqiptarët e sotëm. Nga pellazgët tek ilirët e pastaj tek shqiptarët, duke treguar më tepër jetën jo thjesht një tregim të ngjarjeve historike apo të fakteve arkeologjike, por duke e unifikuar me imazhin e një zhvillimi unik, që nga prehistoria deri në fillimet e kombit shqiptar. “Antigonea” është histori më vete në serinë e librave që janë publicistikë dhe turistikë. Shpjegimet gjysmake dhe mungesa e materialeve arkeologjike në disa prej muzeve të vendit, më bënë të jepja kontribut në këtë drejtim. Nisur nga historia e Pirros, për të cilën kam treguar se ai i takon më shumë tokës shqiptare, kam gërshetuar elementët faktikë me kërkesën e vizitorëve për njohuri. Falë shtëpisë botuese “Migjeni”, që është familjare, kam arritur të botoj një seri librash që lidhen me arkeologjinë, të miat dhe të babait tim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.