Intervistoi: Orjona Tresa
Një femër e plotësuar. Kjo është ajo që më bën të ndihem mirë, më gëzon, teksa kam përballë një femër të realizuar. E them këtë nisur nga profili i saj akademik, bashkëngjitur angazhimin më të ri në SHLUJ “Luarasi” si derivat i këtij formimi. Një sfidë e re dhe tejet ambicioze, siç do të jetë “Bordi i Besimit”, i cili do të orientojë
politikat e përgjithshme të organizimit akademik dhe administrativ të “Luarasit”, në përputhje me ligjin e Arsimit të Lartë. Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi sot mban mbi supe edhe një profil politik, nxitës për shoqërinë civile, siç është ai Sekretares për Shoqërisë Civile në PD. Mes angazhimeve dhe sakrificave në emër të karrierës, ajo di të jetë jo vetëm një femër e suksesshme por dhe një model gruaje, nëne dhe bashkëshorteje.
Si ndodhi ky rrugëtimi juaj drejt politikës?
Unë kam një karrierë të kombinuar, në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare, një ndërthurje të punës në universitet si lektore, por edhe në menaxhimin e tij, përvojë në administratën publike, po kështu edhe një punë intensive me shoqërinë civile, me një rezultante drejt politikës dhe në politikë. Vlerësimi dhe besimi që z.Basha më dha me pozicionin e nënkryetares, duke më bërë pjesë të bashkëqeverisjes së Tiranës, si dhe më vonë zgjedhja ime nga strukturat e PD-së në krye të sekretariatit të shoqërisë civile, janë për mua sfidë e re profesionale e karriere bashkë! Pavarësisht bashkëpunimeve dhe angazhimeve të mëparshme në PD, të fillosh një karrierë politike me qeverisjen lokale, ku në qendër është shërbimi ndaj qytetarëve, pasuar kjo me një angazhim politik në Kryesinë e PD-së, të jep mundësi të njohësh e të veprosh politikisht, të zhvillon më tej lidershipin administrativ dhe politik, të ndihmon të krijosh lidhje mes politikës dhe shoqërisë civile dhe mbi të gjitha të jesh inovator në politikëbërje. Kështu ndodhi, vazhdimin po e jetojmë…
Një femër me karrierë të suksesshme, e shkolluar mirë dhe e njohur si model në qarqet akademike. Ishte kjo një meritë që PD jua njohu, duke ju dhënë postin që ju mbani në këtë parti?
Unë i jam bashkuar lidershipit të PD, e zgjedhur nga strukturat dhe kam një pozicion funksional politik për të dhënë shembull dhe për të përcjellë më të mirën në shoqërinë civile shqiptare. Shkollimi dhe personaliteti im kanë qenë në themelet e një familjeje të djathtë nga vi unë, dhe jam martuar në një familje edhe më të djathtë nga e imja, ndaj angazhimi im politik mbështetet në besimin se e djathta në Shqipëri është misionare për vlerësimin dhe kontributet e më të mirëve në shoqëritë, do të dijë të japë shembuj të moralit dhe të vlerave njerëzore, shpirtërore, të besimit, të familjes e të respektimit të pronës e pasurisë.
Më thoni se bota akademike është A-ja e profesionit të parë që do t’i njihni gjithmonë vetes.
Po, e vërtetë. Unë kam investuar në vazhdimësi në shkollimin tim që të jem një lektore shumë e mirë, të sjell risi në mësimdhënie, të jem një akademike model për studentët dhe kolegët. Një proces dhe
një kohë relativisht e gjatë e mes sakrificash, mes ec e jak-esh e studimesh në universitete Europiane e Amerikane, mes ëndrrash, suksesesh e zhgënjimesh, por përherë e fituar, përherë më e sigurt në arritjen e qëllimeve e mia. Sigurisht, dija është proces dinamik dhe unë ende jam në proces, jo produkt përfundimtar.
Nisur nga kjo e vërtetë, cila është e vërteta sipas jush e arsimit në vend? Si e shikoni ju brezin e ri, a ka interes?
Arsimi është shpresa jonë më e mirë për një të ardhme më të mirë. Shfaqja e një paradigme të re në arsim është nevojë urgjente që të shkurtojë kohën e nevojshme për shqiptarët për të adresuar çështjet kritike që lidhen me ekonominë, qeverisjen, sociologjinë dhe jetesën. Arsimi është instrumenti më i njohur për sigurimin e të drejtave universale të njeriut, promovimin e demokracisë, rritjen e produktivitetit dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai është edhe mjeti më efektiv për brezin e ri, për nxitjen e aftësive të hapjes ndaj risive, përshtatshmërisë, të menduarit të pavarur, kreativitetit, udhëheqjes dhe individualitetit, aq dëshpërimisht të nevojshme për të ndriçuar sjelljen tonë ekonomike, politike, intelektuale dhe kulturore. Cilado qofshin kufizimet aktuale në arsim, në aspektin e mbulimit të pamjaftueshëm cilësor përmbajtjesor, pedagogjik, akademik apo shkencor, ekzistojnë potenciale për ta rritur performancën individuale dhe kolektive drejt përmirësimeve të qenësishme në arsim. Ne kemi nevojë për një model të ri në arsim, i aftë për zhvillimin më të plotë dhe efektiv të kapaciteteve dhe talenteve të rinisë sonë.
I jeni bashkuar rishtazi në këtë vit akademik SHLUJ “Luarasi. Çfarë ju nxiti të pranonit propozimin?
Unë kam mbushur tashmë 22 vite pune, nga të cilat 18 në arsim dhe 4 në administratë qendrore dhe lokale. Kam filluar punë në Universitetin e Shkodrës në 1 Shtator 1993, pastaj në Universitetin e Tiranës… hm… tani që i numëroj, kam punuar në gjashtë institucione të Arsimit Publik e Privat në Shqipëri, në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Tiranë, diku si lektore e jashtme, diku si pedagoge e brendshme e diku si drejtuese, pa përjashtuar mësimdhënien jashtë Shqipërie. Kështu, askush nuk do surprizohej tek do dëgjonte që unë po kontribuoj sërish tek Arsimi i Lartë dhe te një institucion si “Luarasi”, prej 12 vitesh me prezencë cilësore në arsimin e lartë në Shqipëri. Duke mos u shkëputur asnjëherë nga arsimi i lartë dhe nga detyrimet e mia akademike, nga puna me studentët, pas angazhimit në Bashkinë e Tiranës, e pranova me kënaqësi dhe u ndjeva e nderuar nga propozimi i SHLUJ “Luarasi” për të drejtuar Bordin e Besimit, i cili orienton politikat e përgjithshme të organizimit akademik dhe administrativ të “Luarasit”, në përputhje me ligjin e Arsimit të Lartë. Anëtarët e bordit janë figura publike me përvojë në fushën e ligjit, biznesit dhe kërkimit shkencor në këto fusha, ndaj me to dhe të gjithë ekipin e universitetit do punojmë për sigurimin e cilësisë akademike, nxitjen e shprehive të studentëve dhe cilësinë e tyre për tregun e punës. Mendoj ky është edhe ndryshimi më i rëndësishëm që i nevojitet tërë sistemit të AL.
Në 12 tetor fillon viti i ri akademik. Cilat janë pritshmëritë dhe ndryshimet në këtë universitet?
Për momentin, oferta akademike e SHLUJ “Luarasi” ka arritur nivelet e standardizuara nga APPAL, e provuar kjo edhe nga akreditimet e marra për ciklin e parë, të dytë dhe ato në proces. Ndërkohë, për të përmirësuar cilësinë e ofertës akademike, kërkohet vazhdimisht zhvillimi dhe rifreskimi i saj. Në këtë kontekst, SHLUJ “Luarasi” së pari: duhet të fuqizojë programet ekzistuese, të sigurohet numri i nevojshëm i personelit akademik me kualifikim të përshtatshëm, si dhe numri i studentëve që duan t’i ndjekin këto studime. Aspekti i dytë, lidhur me zgjerimin e sistemit, ka të bëjë me burimet fizike të ndërtesave dhe pajisjeve. Mjediset e SHLUJ “Luarasi” do të zhvendosen shumë shpejt në një godinë të re të standardizuar, në rrugën e Elbasanit, dhe do synojmë që ato të përdoren përgjithësisht në mënyrë efektive për studentët dhe komunitetin gjatë javës dhe gjatë gjithë vitit. Zgjerimi i SHLUJ “Luarasi” është një prioritet që do të ndiqet në vijimësi, por pa cenuar cilësinë dhe emrin elitar që ai ka.
Të qenit femër në Shqipëri ka ngarkesat e veta, vështirësi, pengesa, paragjykime, rivalitet. Si jeni ndjerë kur u kthyet nga studimet jashtë për të dhënë kontributin tuaj në vendlindje?
E gjithë karriera ime është ndërtuar mes shumë vështirësish, që për hir të së vërtetës në shumicën e rasteve nuk kanë ardhur se jam femër, por nga sistemi i vlerave që ne kemi ngritur në Shqipëri. Ti punon fort, studion fort, arrin të fitosh rezultatet më të mira, bën sakrificë për të studiuar jashtë, refuzon edhe punësim shumë të mirë atje, për t’u kthyer e për t’i shërbyer vendit tënd, dhe papritur kthehesh këtu dhe nuk gjen hapësirë. Ndaj e di, e njoh dhe e kam “pësuar” të jem pjesë e rivalitetit profesional në shoqërinë shqiptare. Është e vështirë, por mision i mundur dhe i suksesshëm nëse je realisht profesioniste, me integritet dhe vetvetja. Curcilli thoshte: nëse do ndalosh e do qëllosh çdo qen që leh në rrugën tënde, nuk do bësh kurrë përpara”! Unë ia kam dalë!
Postet që ju mbani, a janë një punë komode për femrat? A janë ato po kaq të suksesshme?
Besoj se situata dhe faktorë të ndryshëm kanë mundësuar/lehtësuar komoditet femëror në pozicionet që kam mbajtur, por sigurisht më është dashur të demonstroj që e meritoj, dhe kjo me shumë punë e sakrifica familjare.
Si është të drejtosh përballë staturës mashkullore?
Është garë e brendshme, pa zë, me vepra e shembuj drejt përsosmërisë dhe përsosmëria është çështje meritash e talenti dhe jo gjinish.
Si e menaxhoni kohën në hapësirën e të qenit bashkëshorte, nënë e dy vajzave, por edhe në disa detyrime të tjera familjare?
Duke ushtruar “presion” mbi veten dhe detyrat që duhet të mbyllen brenda orarit të punës. Nuk ia dal gjithmonë, dhe kjo më bën të ndihem “borxhlije kohe dhe dashurie” me to, por dinamika e familjes tashmë është krijuar, të gjithë për një e një për të gjithë! Deri tani përformanca ka qenë e mirë!
Besoj koha e juaj me fëmijët ka qenë një sakrificë e vazhdueshme për hir dhe të angazhimeve. Cila është formula e kompensimit?
Të shpenzosh kohë të shëndetshme me fëmijët është gjithmonë një sfidë. Unë jam munduar që me vajzat të jap një model të nënës punëtore, me angazhime disa planëshe, aktiviste, me miq e shokë shumë, me një telefon që bie pa pushim dhe gjithmonë ka një përgjigje, me mamin që bën drekën e shijshme, apo sanduiçin më të mirë, apo mamin që bashkë me babin bëjnë pazar, pastrojnë, na lexojnë libra, na ndihmojnë… Kjo deri më tani është formula. Pak e ngatërruar, por ne e kemi për zemër.
Sa i takon familjes, bashkëshortit, i diskutoni çështjet e punës edhe në shtëpi? Sa e nevojshme është të marrësh mendimin e tij?
Me tim shoq jemi gati moshatarë. Jemi njohur si kolegë në Universitet, pastaj miq, u dashuruam dhe vendosëm të krijonim familjen tonë. Kështu siç po i radhis, po kështu e kemi konsoliduar marrëdhënien, mirëkuptimin, konsultimin dhe vendimmarrjen në familje. Mendimi i tij është shumë i rëndësishëm, jashtë klisheve. Ai është këshilltari im më i mirë! Zoti na ka lidhur dhe na ka dhënë gjithçka, bashkë na takon ta mbajmë e ta ruajmë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.100.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.