Në fokus

September 3, 2016 | 8:15

Dëshmi/ Nisida Tufa: Fëmijët, pasuri për shpirtin

Kur kuptoi se familjes së saj të re do t’i vinte shpejt një krijesë e dëshiruar, ndjesitë e bënë të vërtiste në kokë mendime. Çasti i shumëpritur kërkonte përgatitje. A do të ishin prindër të aftë për të përmbushur një mision, pse jo të vështirë. Të papërshkrueshme ishin emocionet, por arsyeja i kapërcente ato. Madje, edhe vetë koncepti për jetën do të shihej me tjetër sy. Të qarat e ardhjes në jetë të Enios, djalit të parë, ia shtuan më shumë lumturinë, dashurinë që deri atëkohë ishin përqendruar në çift apo mes familjarësh. Atypari përjetoi një kthesë të madhe.

Për Nisidën, ndryshimi ishte burim për lumturinë e saj, kënaqësi e papërshkueshme. “Mund të them me bindje të plotë se jeta ndryshoi rrënjësisht kur Enio lindi. Një ndjesi e rrallë, e pazëvendësueshme me asgjë tjetër. Gjithë vëmendja tek ai, ditë pas dite, duke parë njëherësh sesi ai rritej dhe sesi gjërat ndryshonin çast pas çasti. Ndihesh jo vetëm e plotësuar, por edhe e realizuar. Edhe marrëdhënia në çift nuk është më si më parë. Me bashkëshortin tim, Ermirin, mësuam sesi të tregohemi më të kujdesshëm në çdo gjë, sesi të jemi më të qetë në përballimin e gjithçkaje me fëmijën, kuriozë për njëri-tjetrin në një përjetim të cilin më parë nuk e kishim jetuar. Personalisht jam bërë më e duruar dhe më e ndjeshme. Nisa t’i shoh gjërat me sy tjetër dhe gjithçka ta lidhja me fëmijën e mbarëvajtjen e familjes. Një ndjesi e papërsëritshme dhe një lumturi që vetëm një nënë, pasi ka sjellë në jetë fëmijën e saj, di ta përshkruajë”.

Pavarësisht orëve të angazhimit profesional, ngarkesave rutinë dhe detyrimeve të tjera familjare, gazetaria nuk e ka penguar të jetë një nënë e përkushtuar. Kjo sepse për Nisidën fëmijët janë universi i jetës, fryma pa të cilën nuk bën dot dhe, natyrisht, busulla janë ata dhe vetëm ata. Mirëpo, ajo nuk është nënë vetëm e Enios. Prej një viti familjes i është shtuar gëzimi me ardhjen në jetë dhe të Jonit. Përjetim, i cili të gjen të përgatitur. “Joni lindi rreth dy vite pas Enios. Për gjininë nuk e kemi pasur problem asnjëherë. Të dy me bashkëshortin dëshironim që fëmijët të ishin të shëndetshëm dhe asgjë tjetër veç kësaj nuk do të përbënte rëndësi. Mund t’ju them se thellë meje e ndieja dhe kisha parandjenjën se përsëri do të kishim një djalë. Dhe kështu episodet ishin të njëjta për ne, i dinim hapat që do të ndiqeshin. Di t’ju them se të kesh dy djem me një diferencë të vogël në moshë, tre dhe një vjeç, paçka lodhjes dhe impenjimit, është bukur. I sheh teksa rriten bashkë, luajnë bashkë. Fillimisht ajo që na shqetësonte ishte xhelozia për më të voglin në familje, madje tregoheshim tejet të kujdesshëm që të mos qëndronte në asnjë moment vetëm. Ishte një periudhë pak mujore, kaloi shpejt, dhe tani para syve tanë është një dashuri vëllazërore, fëminore, sa e bukur aq edhe emocionuese”.

Përvoja e tyre rritet çdo ditë bashkë me të vegjlit. Nuk “tremben” më nga përballja me të papriturat, ndaj dhe jeta u është bërë më e bukur, siç e pohon vetë Nisida. “Fëmijët janë pasuri për shpirtin dhe për jetën. Edhe ne kemi thesarin tonë, që janë Enio dhe Jon. Ardhja në jetë e një fëmije është konkretizimi dhe plotësimi i një familje. Mes dy njerëzve që duhen dhe kanë gjetur njëri-tjetrin për të kaluar e shijuar jetën, është edhe fryti i dashurisë së tyre, boshti ku rrotullohet gjithçka, nga ku buron vetë gëzimi dhe lumturia. Kështu ka qenë edhe për ne, që si çdo prind tjetër që kanë mes tyre fëmijët, mendojmë se jemi të plotësuar, realizuar e tërësisht të lumtur.”

 

Sipas Nisidës…

Është bukur kur te fëmija transmetohet dashuria që kanë prindërit për njëri-tjetrin, duke u kthyer në shembull për ta. Është e rëndësishme marrëdhënia që krijohet në familje, e cila absolutisht ndikon në personalitetin dhe botëkuptimin e fëmijës. Po përqendrohem vetëm tek emocionet që të falin çdo ditë fëmijët e që, për rrjedhojë, sjellin mbushje në shpirt e pse jo zgjatje të jetës. Ja pse çdo nënë, pas një puthje apo përqafimi të fëmijës së vet, mendon e shpreh me zë “Ma shtove jetën!”. Fëmijët janë bekim, që vetëm Zoti di të dhurojë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.85

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top