Ajo është e vetëdijshme për gjithçka kalon përmes stomakut të saj, edhe në situatat kur i njeh mirë efektet negative që një produkt i caktuar ushqimor mund t’i shkaktojë në shëndet. Por, si një shijuese shumë e mirë, Nora Malaj nuk di të thotë ‘Jo’. Për zëvendësministren e Arsimit, të ngrënit nuk duhet konsideruar thjesht si një proces fiziologjik, gati i pashmangshëm. Është më e rëndësishme që të shijohet gjithçka njeriu konsumon, përpos prirjes delirante për të kapërcyer disi kufijtë e sasisë së lejuar të ushqimit, e porcioneve hiperkalorike, apo manisë njerëzore për të hapur frigoriferin e për të rrëmuar nëpër bufe, sa herë që mërzia apo ngarkesa emocionale bën punën e vet. Kësisoj, nevojitet një ekuilibër për të përmbushur nevojën e të ngrënit, sakaq për të shijuar shëndetshëm gjithçka individi ha. Nora Malaj shpalos recetën e saj të raportit me ushqimin.
Konsumimi i ushqimeve pa receta të kushtëzuara apo pa formula dietike që tregojnë kaloritë, yndyrat etj., a është praktikë e ndjekur nga ju?
Natyrisht, të ushqyerit është kënaqësi dhe njëherazi nevojë për njeriun. Ajo që të gjithë kemi nevojë e deridiku edhe vuajmë prej saj është fakti se mjaft produkte ushqimore, që kanë shumë kalori, shpeshherë bëhen të rrezikshme për ne, pasi kur ato konsumohen në mënyrë jo të drejtë, më pas kthehen në një proces të dëmshëm e të rrezikshëm. Edhe unë hyj në kategorinë e atyre individëve që në pjesën e konsumit, kur e kalojnë masën dhe kur nuk konsumohen në mënyrë të drejtë, krijojnë problematika në drejtim të shëndetit, i cili më pas shfaq problematika të forta obeziteti.
Si ndiheni kur shijoni shumëllojshmërinë e ushqimeve të servirura në tryezë?
Populli thotë që ushqimin nuk e ha goja, mirëpo syri dhe goja janë mjetet më jokorrekte në raport me stomakun. Sikur goja si organ të ishte e përgjegjshme për të marrë ato produkte që do të kërkonte stomaku, ajo kurrë nuk do të lejonte të përtypeshin apo shijoheshin ushqime pikante dhe ushqime të tjera, që për stomakun janë shumë problematike në drejtim të shëndetit. Nga ana tjetër, vetë stresi, si gjendje emocionale, është një tjetër shtysë e fuqishme, e cila shpeshherë nuk është në raport të drejtë me atë që duhet të konsumohet. Personalisht ushqimin e shijoj. Ndonëse jam pak konservatore në zgjedhjen e tij dhe pas një leximi më të kujdesshëm në drejtim të ushqyerjes së shëndetshme, kam kuptuar që problemi më i madh sa i përket raporteve ndërmjet procesit të të ushqyerit dhe aktit të të shijuarit të ushqimit janë dy elemente shumë të qenësishme, të cilat duhet të jenë në raport të drejtë dhe në balanca të ekuilibruara, në mënyrë që jo vetëm të ushqehesh shëndetshëm, po edhe në mënyrë estetikisht të shëndetshme.
Cilat janë shijet tuaja?
Zakonisht më pëlqejnë më shumë ushqimet e kripura, sesa të ëmblat. Për mua ushqimet më të preferuara janë produktet me peshk dhe pulë. Më pëlqen veza e gatuar në të gjitha mënyrat e saj, si dhe djathi, që për mua është mbreti i tavolinës. Më pëlqejnë edhe frutat, ndër të cilët ato që preferoj më tepër janë rrushi dhe pjeshka.
Cilat janë ato produkte ushqimore apo gatime që e dini që ju bëjnë dëm, por që ju nuk i refuzoni dot?
Gatimet që më bëjnë keq janë pikantet, sidomos turshitë, që më shijojnë shumë, të skuqurat, siç janë patatet, që mundohem t’i eliminoj, po jo deri në fund; buka, sidomos e thekur me gjalpë dhe mjaltë, që më shijon pafund, por që duhet ngrënë me masë; si dhe byreqet dhe familja e brumërave, që duhet kufizuar, pasi krijon probleme sidomos për diabetin, se përmbajnë shumë sheqerna.
Kur keni thënë ‘Jo’ përpara një recete të caktuar?
Kur e kam kuptuar që e kam kaluar masën kam thënë “Jo”. Po përgjithësisht nuk jam shumë sistematike në mënyrën e të ngrënit, ndonëse vetë jam amvisë shumë e mirë dhe di të gatuaj mjaft mirë.
Ju ndihmon metabolizmi në aspektin e ruajtjes së linjave trupore, apo jeni moskokëçarëse në këtë drejtim?
Natyrisht që metabolizmi nuk më ndihmon aspak dhe duke qenë se jam person që punoj me kohë të gjatë, nëse stomaku im do të kishte gojë, do të kishte protestuar për mënyrën jo fort korrekte të të ushqyerit nga ana ime. Shpesh më ndodh që të tria vaktet t’i konsumoj në një të vetëm dhe pa më të voglin regjim. Ky është një problem shumë i madh që lidhet me vendosjen e balancave të ushqimit.
Jeni këshilluar ndonjëherë me ndonjë dietologe?
Sigurisht, dhe kam kuptuar një filozofi shumë të rëndësishme, se njeriu duhet të ushqehet sipas grupit të gjakut, duke e vënë të punojë të gjithë organizmin në të mirë të tij dhe së paku duhet të hajë 6 herë në ditë në porcione të vogla për të mos grumbulluar rezervat dhjamore, të cilat organizmi i krijon për mbrojtje, nga pasiguria e të ushqyerit. Ajo çka është e rëndësishme është se duhet ta duash pak veten tënde dhe trupin tënd, që më pas edhe ai të të dojë dhe të të shërbejë. Teorikisht jam në rregull, praktikisht…
Në rastet e ngarkesave fizike apo emocionale njerëzit priren të gërmojmë në frigorifer si terapi e nevojshme për t’u shtensionuar? Po me ju si ndodh?
Një nga defektet më të mëdha që ka njeriu është se në rastet e një ngarkese emocionale të fuqishme, siç janë situata stresi dhe gjendje të vështira, shpesh ka dëshirën vetëm të hajë pa e kuptuar, pasi vetë ankthi prodhon një gjendje të tillë që ti nuk je në gjendje të përballesh. Kësaj i thonë në gjuhën popullore “të hash si puna e budallait”. Në fakt, ajo çka e frenon kequshqyerjen është të ushqehesh me mend, pasi të ushqyerit është një nga kënaqësitë e njeriut për të cilat ai ka nevojë, jo vetëm që të marrë energjitë e duhura që më pas do të shpenzojë, por edhe kënaqësinë shpirtërore dhe estetike për të cilën ai ka nevojë në çdo moment. Shpesh më ka ndodhur që, duke ndjekur televizorin në darkë, të konsumoj ushqim më shumë sesa duhet, pasi nuk e kam pasur mendjen. Kjo ka ndikuar mjaft negativisht për shëndetin. E rëndësishme është se ushqimi duhet konsumuar me orare të caktuara, në porcione të vogla, në kohë të caktuara dhe me një vlerësim për ritualin e të ngrënit, pa e përtypur shpejt ushqimin, por duke e bluar atë deri në fund. Asnjëherë nuk duhet dalë pa konsumuar mëngjesin dhe asnjëherë nuk duhet konsumuar ushqimi më vonë se ora 19:00.
Botuar në revistën , nr.65
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.