Fluturojnë të dy në skenë, herë në një balet klasik dhe plot romancë e herë në një kërcim modern e krejt të çartur. Janë balerinë. E nuk ka pse stimulojnë e shtiren plot art si të dashuruar. Ata janë të tillë në fakt. Ky leksion akademie nuk ka vlejtur për ta, a mbase kanë munguar që të dy në ato orë. Dhe mungesa nuk kanë marrë gjithsesi. Bëhet fjalë për çiftin Odeta Dishnica dhe Ervis Nallbani, profesionist në balet që të dy, pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shqiptar. Gjuha e trupit ka qenë pikënisja e një jetëgjatësie në lidhjen pothuaj 11-vjeçare. Fryt i pasionit ndanë artit ishte dhe krijesa e tyre e dashurisë, Matias. Prej pesë vitesh ata kanë kurorëzuar lidhjen e ndajnë të njëjtën çati.
Siç zbulojnë disa sekrete Odeta dhe Ervisi, martesa ne veçantinë e çiftit, për rrjedhojë ka sjellë dhe ndryshimet e para, “të cilat natyrshëm”, thonë ata, nuk kanë shkaktuar probleme. Odeta pohon se: “Personalisht nuk e kam menduar këtë pjesën që sa ndryshe do të jetë në momentin që do të fillonim të bashkëjetonim. Gjërat kanë ardhur si rrjedhojë e jetesës, pak a nga pak. Normalisht disi ndryshim ka bashkëjetesa midis thjesht të dashuruar, ku secili jeton në familje më vete, dhe që ne bashkoheshim bashkë ishte impenjim dhe përkushtim krejt ndryshe. Disi gjërat kanë ndryshuar me ardhjen e djalit në jetë. Gjithë vëmendja jonë është përkushtuar tek ai, por jo duke lënë njëri-tjetrin mënjanë”. E përkëdhelur në këtë fillnisje të re mes çiftit, Ervisi thotë se pritja e ëmbël e djalit ishte ndryshimi më i madh. “Ishte kurorëzimi i mirëfilltë i një familjeje”.
Cilat janë diferencat të cilat i kanë bërë mirë lidhjes?
Odeta: Botëkuptimet duhet të jenë njësoj, pasi nuk mundet të bashkëjetosh dot me një njeri. Megjithatë deri diku diferencat mund të nisin dhe nga mënyra e të jetuarit.
Ervisi: Nuk ka patur diferencë që të më bëjë përshtypje.
Sa i takon moshës?
Ervisi: Jam tre vite më i madh, por jam më i përkëdhelur. Odeta ka dy djem.
Odeta: Lum si unë që kam dy djem që të më mbajnë mirë më vonë. Për momentin i llastoj, pastaj do të më llastojnë ata mua.
Komunikimi njihet si një nga elementët bazikë që afron shpejt dy njerëz?
Odeta: Është art më vete i bashkëveprimit. Duke qenë se kemi një profesion, na puqen shumë pika të përbashkëta në lidhje me situata të ndryshme. Gjuha e trupit është baza e komunikimit në përditshmëri. Ervisi më kupton kur jam e lodhur për shkak të profesioni, kur e kam të pamundur të bëj gjëra të tjera në shtëpi.
Keqkuptimet janë ana tjetër e medaljes. Sa ju kanë ndihmuar ta kuptoni njëri-tjetrin?
Ervisi: Keqkuptime ka, por arma më e fortë është diskutimi, për të qenë sa më afër, për ta lehtësuar apo ndihmuar të kuptohet ky lloj keqkuptimi.
Besoni ju te debatet, që përveç se nxjerrin përfundimet, e zhvillojnë një lidhje, e forcojnë dhe e bëjnë më të matur atë?
Ervisi: E di pse ndodh kjo? Sepse fillon kupton limitet e njëri-tjetrit. Nëse diçka nuk të pëlqen, partneri përkatës e pranon faktin ta respektojë mendimin, atëherë bëhet dhe më pozitive lidhja. Por jo gjithmonë shkon kështu. Kjo është relative.
Kush zgjedh të jetë tolerant mes jush?
Odeta: Në momente të caktuara secili, varet nga debati.
Cilat janë shkaqet e grindjeve të para në martesë?
Odeta: Nuk kemi pasur grindje të forta. Debatet ndodhin në lidhje me profesionin. Në momentin që na jepet një rol për të kërcyer, aty fillojnë debatet për perfeksionin në maksimum.
Ata punojmë me orare të zgjatura. Të qenit në kulmin e profesionit dhe të investuarit në të është një nga pritshmëritë qendrore të jetës e tyre. Profesioni e ka një afat dhe kjo gjë duhet shfrytëzuar. Nga njëra anë projektet e TKOB, nga ana tjetër eventet artistike ku janë të ftuar. Kanë ngritur dhe qendrën e tyre, studion “Dance Life” për t’i dhënë vlerën e duhur artit, duke përçuar njëkohësisht dijet tek të interesuar rreth kërcimit. Kanë dhe plot pasione të tjera, që dy të rinjtë i gjejnë të mishëruara te udhëtimet, natyra, pse jo dhe veshjet. Preferencat kanë një emër. Natyrshmërinë dhe lidhjen me të thjeshtën që është edhe më e bukur. Në linjën e kësaj rubrike zgjodhën Oxys store. “Aty gjej vetveten” thotë Odeta. Ndërkaq frymëzimi, motivim i ditëve të tyre të ngarkuara e me stres është Matias. “Përkushtimi ndaj tij na dhuron shumë qetësi”, shprehet çifti i balerinëve. Falë ndihmesës së madhe të prindërve përkatës, Odeta pohon se, “me ndihmën e tyre e kemi patur më të lehtë. Çdo gjë që ne nuk arrijmë dot ta menaxhojmë, na ndihmojnë ata. Kur ka dashuri në mes asgjë nuk vihet re”. Koha me djalin për ta është flori. Gjëja e parë kur janë me të është si t’ia plotësojnë dëshirat e fundit, por pa e kaluar masën. Natyra është preferenca e parë, ndërsa kur janë në shtëpi, krevati kthehet në kolovajzën e tapetin e lodrimit pa kufi. “Duke menduar se nuk kemi shumë kohë për t’u përkushtuar, ajo kohë që na mbetet duhet të fokusohet te ai” thotë Ervisi. Profesionistë të fushës, as që e kanë menduar t’ia trashëgojnë këtë gjini djalit. Ndonëse ka një fizik premtues, të dy janë të bindur se arti në një drejtim tjetër, në muzikë ndoshta do të ishte zgjidhja e duhur. Odeta thotë: “Më pëlqen të merret me një fushë të artit pasi aty ka disiplinë. Është edukative, të udhëheq në jetë e të mëson rregullat. Ndërsa për Ervisin, “baleti është profesion shumë i lodhshëm, do investim, mund, dhe në Shqipëri jo e jo. Artistët janë emotivë. Një gjë mos u shkoj mbarë e vuajnë shumë, gjë që nuk kam dëshirë t’ia dhuroj fëmijës tim”. Ndërkaq falënderues të pamat u janë prindërve. Ervisi shprehet se: “Ata na dhanë profesionin, kështu që na kuptojnë pak a shumë se çfarë lodhjeje apo stresi mund të kemi dhe çfarë të ardhmeje sigurisht. Komunikimi shkon mirë, edhe pse ndonjëherë ka qejfmbetje. Kjo është jeta në Shqipëri. Neve na stresojnë dhe gjëra shumë të vogla në punë. Janë disa gjëra shumë të vështira që ata na mirëkuptojnë e ne duket se nuk arrijmë t’ua shpërblejmë dot. Shyqyr që i kemi dhe na kanë”.
Si nisi lidhja juaj?
Odeta-Ervisi: Njihemi që në shkollë. Na rastisi fakulteti, Akademia e Arteve. Pas një përvoje në Suedi, Visi u rikthye dhe u gjendëm në të njëjtën klasë. Por edhe shtëpitë pranë njëri-tjetrit, në kafe bashkë, pra gjithë kohës bashkë. Duke qenë se në shoqërinë tonë ishin çifte të lidhur, vetvetiu erdhi dhe te ne kjo gjë. Ishim shoqëri e mirë mes njëri-tjetrit e cila kaloi në një dashuri të mirë.
E keni pëlqyer gjithmonë njëri-tjetrin?
Odeta-Ervisi: Pa diskutim që po.
Kishit dyshime fillimisht?
Odeta-Ervisi: Jo, asnjëherë nuk ka ndodhur, madje as nuk e kemi menduar. Duke qëndruar kohë bashkë e duke ndarë dhe punët private bashkë nuk ka ndodhur kështu.
Cili ishte mendimi i të tjerëve?
Odeta-Ervisi: Çuditërisht nuk na e kanë thënë. Ndoshta nuk ua kemi lejuar ne, ose vërtet jemi në një ambient që vërtetë e njëjta shoqëri na rrethon, por që nuk është se jemi nga ato natyra që merremi me jetën e të tjerëve.
Kur e kuptuat që kishit rënë në dashuri?
Ervisi: Kur më tha Odeta “Të dua!”. Unë mesa mbaj mend i kam dhuruar puthjen i pari. Ka ardhur natyrshëm.
Odeta: Kemi qenë të dy të dhënë pas njëri-tjetrit.
Problemet me të cilat jeni përballur?
Odeta-Ervisi: Nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Çfarë pëlqeni më shumë te njëri-tjetri?
Ervisi: Karakterin, mënyrën si e sheh debatin për të diskutuar qetë dhe ka qëndrueshmëri kur diskuton. Ka qetësinë që i shërben bashkëbisedimit me tone të ulëta.
Odeta: Pëlqej besnikërinë, pjesën e të qenit që bën diskutime dhe sensin e humorit.
Përshkruani partnerin
Ervisi: Është njeriu që unë kam dashur gjithmonë pranë.
Odeta: Është personi që kam zgjedhur të kaloj jetën.
Ku e shihni veten pas 5 vitesh?
Ervisi: Ndoshta me një fëmijë i dytë, i cili krijon stabilitet mes çiftit, forcon atë.
Odeta: Unë kam qenë gjithmonë pro familjes së madhe. Tre fëmijë preferoja. Normalisht lindi Matiasi, i cili pa diskutim që është gjëja më e bukur në jetë që më ka ndodhur, dhe falënderoj Zotin për këtë dhuratë. Normalisht duhet dhe një fëmijë tjetër për të mos e lënë vetëm, për të qenë dhe ai disi i sigurt pasi jeta është e gjatë. E nëse do të ketë një motër apo një vëlla do t’i bënte mirë, megjithatë nuk është se nuk është në planet tona, por ky profesion duhet të na japë siguri. Për momentin më duket i vështirë.
Botuar në revistën Psikologjia, Numri 99
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.