Orgesa Zaimi diplomuar për gjuhë-letërsi. Këngëtare dhe drejtuese radiofonike në “Radio Club FM”, me bashkëshortin e saj Mentor Beqa, këshilltar politik i Ministrit të Mbrojtjes.
Disa sekonda për të folur me ty, disa minuta për të mbërritur tek ti… E kush nuk mund të mos i mbaj mend këto vargje. Fjalë dhe emocione që ndjeshëm rikthejnë pas kujtime të përjetuara. Për çiftin Zaimi-Beqa nuk kishte kafe, tavolina çaji apo biseda të gjata bar-esh. Takimet mes njëri-tjetrit ishin të pa fryma. Rendje pas pasioneve, dëshirave dhe përkatësive shoqërore që më ngushtë se kaq i bënë të shtonin afrimet mes të dyve. Brenda një zyre gazete, me kast përshëndetjen e motrës së madhe, Orgesa e gjente veten të përfshirë në kapërcime idesh dhe mendimesh të ngjashme me njeriun që pas disa kohësh do të shkëmbente miqësinë me dashurinë. Ndër ligjërime, ajo shpenguar, spontane dhe tejet origjinale, tregonte vëmendje, përkushtim dhe detyrim personal për të fituar informacione që i dukeshin dyfish të vlefshme kur përballë kishte Mentorin. Siç vlerëson vetë Orgesa, me sy e veshë përqendrohej, ndryshe nga mendimi për ta zotëruar ajo bisedën. “Kjo ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të kësaj marrëdhënieje. Konsolidimi ka ardhur edhe nga paramiqësia. Me Mentorin jemi njohur shumë kohë para se të bëheshim burrë edhe grua. Asnjëherë nuk e kam pyetur para këtyre se çfarë ishte, nga vinte apo kush ishin të afërmit e tij. Pyetja ime ishte: si është e mundur që po më ndodhin këto gjëra me një njeri që e konsideroj si shok. Takimet e para ishin të sikletshme. Tani i kthehem me nostalgji. Muaji parë ka qenë “i vështirë” por kaloi shpejt. Mentorin duke qenë se është më i rritur dhe i pjekur se unë, në fillim e dëgjoja shumë, siç bëj dhe tani. Ka qenë dhe vazhdon të jetë këshillues shumë i mirë, më balancon. Jemi katalizatorë të njëri-tjetrit”. Ajo që askush nuk mund ta besonte në bisedat e tyre, ishte se të dy ishin të ndjeshëm karshi muzikës, asaj angleze rrok të viteve 60-70 që përfaqësoheshin me Deep Purple. Një natyrë racionale siç ishte Mentori, njëkohësisht gazetar politik, shihej nga Orgesa si një çudi për t’iu përkushtuar të njëjtit pasion. “Mentori është shumë racional, i rezervuar, i ndjeshëm dhe romantik. Nga jashtë duken të hekurt, por është e kundërta. Kam qenë shumë e vëmendshme. Kur kujtoj veten time pas, e kuptoi se gjithçka rrodhi natyrshëm deri kur mori tek unë dimensionin e njeriut me të cilin vendosa të kaloj jetën”.
Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.