Në fokus

May 11, 2017 | 9:50

Dëshmi/ Paulin Vilajeti: Papunësia është një fuqi demonike!

Nga Orjona Tresa

Në kishën e tij ka vend për të gjithë. Ajo është mikpritëse e kujtdo i rizgjon përmes besimit vlerat që i ka. Këtu ka vend për jetimët, vejushat në moshë të thyer, njerëzit që janë ndryshe, pra me probleme e handikape, të cilët mbështeten ekonomikisht. Por kur bëhet fjalë për dembelët, apo të papunët, besimtarë që nuk dinë t’i thonë “mirëmëngjesi” punës dhe presin me sytë lart, ndihma bëhet edhe më serioze, duke u lutur bashkërisht për ta. “Nëse fuqinë për të gjeneruar punë të suksesshme Perëndia e ka vënë brenda njeriut që ta bëjë të pavarur atë, papunësia padyshim është një fuqi demonike që bën të kundërtën”, vlerëson Paulin Vilajeti, i cili e shpreh hapur mendimin e tij kur thotë: “Lutja është përkrahja më e madhe për një të papunë apo dembel”. Ky pastor ungjillor, i gatshëm të ofrojë pa kursyer ndihmesën e tij, ka si sllogan një fjali të shenjtë që në Bibël citohet pastër: Njeriu duhet të punojë me djersën e ballit!

untitled

Pastor Paulin Vilajeti / Foto Vlasov Sulaj

Sa e vështirëson papunësia gjendjen psikoemocionale të individit?

Papunësia e prek jashtëzakonisht shumë gjendjen emocionale të njeriut. Unë besoj se brenda tij, në ADNnë e vet ekziston që, njeriu duhet të punojë, edhe sikur ai të mos ketë dëshirë për të punuar. Është ADN-ja që gjithmonë e nxit, e drejton ose e inkurajon për të bërë diçka. Nuk mendoj që njerëzit janë të papunë, pavarësisht nëse ata nuk janë në një vend ku të marrin një rrogë, por nuk ka njeri i cili të mos angazhohet. Njeriu duhet të punojë! Në botën që ne jetojmë sot, papunësia është ndoshta problemi më i madh që mund të haset, sepse vetë jeta është e ndërtuar në atë mënyrë që je i detyruar. Kapitali të detyron ta kryesh patjetër këtë detyrim financiar. Jeta është e lidhur me kapitalin. Nëse ti nuk je pjesë e kësaj rrote, nuk funksion jeta në mënyrë normale.

Në fillesat tuaja e keni prekur këtë prag, çfarë keni mësuar?

Unë kam ardhur në Tiranë në fund të vitit 1989. Kam punuar me një kompani gjermane “Keifer”. Ata bënin frigoriferin e madh të Tiranës, që tani është shkatërruar. Aty mësova diçka që në Shqipëri ishte e re. Mësova se si mund të bëheshin instalimet elektrike sipas sistemit automat. Unë shkoja në mëngjes në punë në orën 07:00, punoja deri në 19:00 të mbrëmjes dhe shkoja e bëja instalime elektrike jashtë pune.

Mësuat si të thuash një kulturë të re pune, përtej modelit që kishit përftuar në komunizëm?

Absolutisht jo vetëm aq, por duke punuar me këtë kompani gjermane, kuptova saktësish se çfarë do të thotë korrektësi në punë. Dhe një ndër gjërat që duhej të ndryshoja në natyrën time ishte korrektësia. Përveç rrogës që merrja në atë kohë, shefi im gjerman më jepte detyrë ekstra, që puna të bëhej siç duhej dhe në kohë. Dua të them që ishte shumë e vështirë për ne që ishim familje e re, të sapomartuar, me bashkëshorten të pa punë. E kam filluar në një mënyrë shumë, po shumë të vështirë. Më duhej të ngrihesha herët, merrja paketa cigaresh që ishin me 30 lekë në atë kohë dhe i shisja nëpër autobusë me 35 lekë deri në orën 06:45. Shkoja në punë, punoja, kthehesha, shkoja punoja prapë elektricist. Pastaj në ’91 me Zotin në krah, gjeta një shtëpi te “Rruga Bardhyl”, të cilën e kam blerë 120’000 lekë të reja. Ndoshta duket çudi, por unë me të vërtetë jam pastor, por sot kam edhe biznesin tim, i cili merret me materiale ndërtimi. Gjithashtu i shërbej edhe Zotit. 

untitled1Si e shikoni papunësinë si fenomen?

Unë nuk mund ta imagjinoj veten time pa punë. Kur dikush është i papunë, çdokush mund të ndjejë një lloj keqardhjeje, ndërsa unë ndjej një lloj ndjenjë frike. Mendoj që papunësia është një fuqi demonike, një e keqe që i sillet njeriut rrotull, sepse do ta mbajë njeriun larg suksesit, të zgjedhurit ose të gjeturit e asaj fuqie që Perëndia e ka vendosur brenda njeriut për ta bërë atë të pavarur, për ta bërë një njeri që të jetë i suksesshëm. Fjala e Zotit në Bibël thotë: Njeriu duhet të punojë me djersën e ballit. Besoj që, nëse nuk është e tillë, pra kur shoh një njeri të pa punë, unë gjithmonë lutem për të.

Sa e vështirë është në kushtet e një mentaliteti social ku burri është ai që duhet të sjellë më shumë të ardhura se gruaja?

Unë jam një njeri që besoj te barazia gjinore, por jo te baraspesha. Personalisht besoj se, shumë herë për shkak se ne njerëzit me botën e sotme e kemi sulmuar barazinë gjinore, e harrojmë që peshën më të madhe e ka burri. Mua personalisht nuk më ka qëlluar ndonjëherë në jetën time që të mos punoj dhe të jetoj me punën e gruas. Por njoh njerëz, (kjo për shkak se jam pastor), kanë ardhur e kanë biseduar me mua. Nuk ka hall më të madh për një burrë se sa të rrijë pa punë dhe gruaja të jetë personi që ia siguron. Një burrë mund të jetë i sëmurë, nuk është hall; mund të jetë i paralizuar, prapë nuk është hall, por nëse është i papunë, është një hall shumë i madh. Kam hasur burra, të cilët për shkak të papunësisë kanë menduar divorcin, me mendimin se do ishin më të çliruar, pra, të hiqnin ndjenjën e fajit. Pra, e imagjinoni se sa keq ndihet një burrë?! 

Ju jeni pastor e natyrisht jeta ju përball me familje me të tilla probleme. Cila ka qenë ndihmesa juaj?

Mendoj se jam një pastor pak ndryshe në disa gjëra. Në kishën time unë nuk jap ndihma humanitare. Kur fillova shërbesën në ’92 në Berat, kisha shkonte deri në 800 vetë, sepse vinin ndihma nga Anglia, Skocia, nga Uellsi dhe arrita në konkluzionin që, unë me ndihma nuk mund të bëj një besimtar. Nuk e harroj kurrë, kur një djalë i ri, i cili sapo kishte mbaruar shkollën për muzikë, shumë miq me familjen e tij, (në atë kohë isha vetëm 27 vjeç), e pyes: Përse nuk punon? Por unë, më tha, kam mbaruar për kitarë dhe nuk ka punë. I them: Të të gjej unë një punë. Ma ktheu: Çfarë? Nesër në 07:30 eja në mëngjes tek shtëpia ime dhe do të gjej unë një punë. Erdhi. Kisha dy lopata. Njërën ia dhashë atij e tjetrën vetë. Por kjo çfarë është, më pyeti. U nisa bashkë me të në bregun e lumit të Beratit. Në atë kohë ngarkohej zhavorr. U themi atyre: A keni dëshirë t’ju ndihmojmë? Po na thanë. Ne ngarkonim makinat, dhe ata kur e panë këtë na paguan. Djaloshi më pyeti sërish: Punë është kjo? Dhe unë ia kthej: Sa para ke në fund të ditës? Ishin shumë më shumë se dikush normal mund të kishte atëherë.

Çfarë ju ka mësuar kjo rrugë?

E di çfarë kam kuptuar? Mua më duket sikur Shqipëria ka një mallkim, dhe ky është mallkimi i diplomave. Të gjithë e duan një të tillë, dhe pastaj se si e marrin atë është diçka e diskutueshme. Për shkak të së kaluarës tonë, ku ne ishim të privuar nga shkolla e lartë, ku pothuajse shumë pak njerëz e kishin këtë të drejtë, prindërit e sotëm, përfshirë edhe mua, janë të prirë që fëmija të ketë një diplomë të shkollës së lartë, dhe mund të sakrifikojmë jashtëzakonisht që ta arrijmë atë ëndërr që brezat tanë ishin të privuar për shkak të ideologjisë, për shkak se nuk e kishe mesataren mbi tetë etj. Por në fakt, po të vësh re, është bërë si një mallkim i madh për brezin e ri, ku secili vjen me një diplomë. Mua nuk më pëlqen fare kur kryeministri i Shqipërisë thotë: Kamerierët janë me diploma dhe mund të kenë edhe dy të tilla. Lavdi Zotit që ka njerëz të tillë, të cilët mbarojnë një shkollë të lartë dhe punojnë diku. Unë njoh miq të mi në Angli, të cilët kanë mbaruar një shkollë të lartë, dhe nuk e patën kurrë shansin që të vinin në lëvizje atë diplomë që kishin marrë si profesion. Unë e shoh universitetin si biznes. Ashtu si çdo biznes mund të falimentojë, edhe diploma mund të falimentojë. Ne shqiptarët akoma nuk kemi arritur ta kuptojmë që nëse ke një diplomë që nuk po të shërben, mos quaj veten dështak, por quaje si një biznes të falimentuar, e fillo një biznes tjetër. Ky është problemi më i madh në vendin tonë sot. Kjo sjell papunësi, dembelizëm, dhe jam i bindur që një ndër gjërat që unë bëj si pastor në Kishë është kur dikush vjen dhe thotë: Unë jam i papunë. Unë nuk e ndihmoj kurrë nga ana financiare. Kam hequr dorë së ofruari ndihma që në ’94. Kisha ime le të jetë me dy vetë, mua dhe gruan time, ama ne të dy jemi njerëz që punojmë dhe besojmë në Zot, se sa të kem një kishë plot me njëmijë vetë që janë dembelë dhe presin ndihma.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.111

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top