Mendoj se, përtej presupozimit të natyrshëm, sipas të cilit të gjithë në një mënyrë apo në një tjetër jemi apo mund të konsiderohemi objektivisht viktima të dikujt, të diçkaje apo të një morie rrethanash, ka një ndarje të qartë mes dy kategorive, edhe pse emëruesin e kanë të përbashkët.
Dyshoj se ka ndonjë prej nesh që, të paktën një herë në jetë, të mos jetë ndier i pafat, i shfrytëzuar, i përdorur, i nëpërkëmbur, ose sikur të gjitha fatkeqësitë e botës kanë rënë mbi të, pa rrugëzgjidhje dhe i dëshpëruar. Në perceptimin tonë, jo gjithmonë fati tregohet i drejtë me ne dhe jo gjithmonë e përballojmë atë me trupin drejt dhe kokën lart. Është shumë e lehtë, thuajse e natyrshme në raste të tilla që njeriu ta lëshojë veten në krahët e viktimizimit personal apo shoqëror.
Por, të çohesh me këmbët e plagosura dhe të vazhdosh të ecësh dhe pse mund të rrëzohesh sërish, ky është sekreti dhe kjo është diferenca mes një njeriu që zgjedh të besojë në forcën dhe fuqinë e tij nga dikush tjetër, i cili, pavarësisht se mund të jetë në rrethana të njëjta apo të ngjashme, zgjedh një rrugë tjetër, viktimizimin
A është zgjedhje të sillesh si viktimë?
Unë besoj se po, sado që shumë njerëzve mund t’u duket sikur “të qenit viktimë” është një status social apo pasojë e natyrshme e rrethanave personale. Nëse ti nuk ndihesh i barabartë në marrëdhënie, je inferior, shfaqesh si viktimë dhe aty fiton vëmendjen, keqardhjen dhe simpatinë e të tjerëve. Duke u shfaqur i pambrojtur, i dobët, i brishtë, ti kërkon nga të tjerët të të japin një vëmendje dhe kujdes që, me shumë gjasa, nuk i meriton dhe këtë kompromis e bën duke vulosur paaftësinë për të qenë zoti i vetes dhe i fatit tënd. Studimet tregojnë që shekulli XXI është shekulli i viktimizimit personal. Pa dyshim që ky nuk është një lajm shpresëdhënës. Përballë këtij fenomeni duhet të reagojmë të gjithë, pak nga pak, duke e nisur ndryshimin dhe dhënien e shembullit nga vetja, nga familja, shoqëria, ambienti i punës e komuniteti ku jetojmë. Duhet të mësojmë jo vetëm të jetojmë “si të rritur”, por dhe të sillemi si të tillë dhe të sensibilizojmë të tjerët që duhet të jetojnë po ashtu.
Viktimizimi në realitet
Më ka ndodhur të njoh në të njëjtin ambient pune dy punonjëse, të cilat kishin të njëjtin profil personal dhe profesional. Ishin të dyja gra në moshë të mesme, me nga dy fëmijë dhe që duhet ta përballonin jetesën të vetme, pasi fatkeqësisht bashkëshortët nuk jetonin më. Janë dy raste tipike që tregojnë se si njëra ia del të punojë dy punë për të mbajtur fëmijët dhe për t’i shkolluar dhe, rasti i dytë, ku ankohet pa pushim për fatin e saj, përfiton nga ambienti i punës të mira materiale në para, ushqime apo veshje për fëmijët dhe “trishtimin” e kalon duke parë telenovela edhe në 8-orëshin e punës. Nëse do të më duhej ndonjëherë të zgjidhja mes të dyjave, pa dyshim që do të zgjidhja të parën, jo se është më pak e brishtë në dhimbjen e saj, porse ka karakter të fortë dhe ka zgjedhur të besojë që në jetë mund t’ia dalësh shumë mirë me punë dhe jo duke u viktimizuar. E keqja më e madhe e zonjës së dytë nuk është forma se si ajo mbijeton, por shembulli që ajo u përcjell fëmijëve të saj, të cilët nesër do të kenë një tendencë të natyrshme për t’u sjellë si nëna e tyre, ndryshe nga zonja e parë që i mëson fëmijët e saj të mos ndalen në kërkim të më së mirës, të mos dorëzohen përballë vështirësive, sepse fitoret më të vështira janë pa dyshim më të ëmblat.
Të sillesh si viktimë nuk të bën më të lumtur. Të mposhtësh ndjenjën e viktimizimit dhe t’ia dalësh vetë, po!
Të qahesh pa pushim për fatkeqësinë që të ka rënë, nuk të nxjerr në dritë. Të gjesh stimuj në një gjendje të mjeruar dhe të marrësh forcë, pa dyshim që do të nxjerrë të fituar. Sfidë është të thyesh pasigurinë, të luftosh traumën dhe të përpiqesh të gjesh lumturinë. Më kujtohet një shprehje e lexuar diku “nëse nuk keni parë ende një hero, shikoni nënën time”. Një nënë heroinë nuk është ajo që nuk qan kurrë, sepse lotët janë krijuar për t’u derdhur dhe për të na qetësuar dhimbjet e shpirtit, por është ajo që, pasi ka fshirë lotët, është ngritur në këmbë dhe ka marrë në dorë fatin e saj, duke dhënë një shembull. Çdo viktimë e munguar është një hero i vogël.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.113
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.