Në fokus

April 13, 2017 | 13:00

Dëshmi/ Renis Gjoka: Arsyetimi më ka dhënë rezultate!

Arsyeja, talenti dhe pasioni janë trinomi pas të cilit ai merr energji dhe motivim pafund për të shkuar akoma më lart në rrugëtimin e tij artistik. Për rokerin Renis Gjoka, “një artist i suksesshëm me siguri ka talentin dhe punën si armë të fortë”. Në kulmin e karrierës, e cila jo vetëm i rrit adrenalinën për të çuar përpara sukseset e tij, por ka nxitur gjithaq besimin ndaj atyre që e pëlqejnë muzikën që ai bën. Për Renisin, gati në 90% të rasteve, zgjedhjet që ai ka bërë duke arsyetuar, kanë rezultuar të duhurat!


untitledRasti i një fëmije me sindromën e autizmit më preku, kur pashë se kjo gjë i kish ndryshuar jetën këtij fëmije. Si ju bën të ndiheni kjo gjë? Sa e ka rritur në ndërgjegjen tuaj ngacmimin për të qenë pjesë po kaq e vullnetshme edhe për të tjerë?

Misioni i artit është i përmbushur kur mesazhi kapet nga publiku. Në rastin konkret, i tejkaloi pritshmëritë, pasi mesazhi nuk u kap thjesht nga publiku, por nga një djalosh i vogël për të cilin nuk kishin pritshmëri të mëdha. Është një ndodhi në jetën time, të cilën jam i bindur, nuk do ta fshij kurrë nga memoria deri sa të jem gjallë. Janë pikërisht këto momente që të bëjnë të mendosh me vete: Ja, qenkam
vërtet në rrugën e duhur!

Si është jeta e një artisti midis arsyes për të ndjekur rrugën që ka zgjedhur të jetë dhe logjikës për të treguar kujdes, sepse jo në të gjitha rastet del ashtu siç duam?

Një artist i suksesshëm me siguri ka talentin dhe punën si armë të fortë. Gjithsesi, për mendimin tim janë edhe dy dhunti të tjera pa të cilat nuk do të arrihej kurrë suksesi, ndonëse duke pasur talentin dhe punën. Ato janë si fillim, besimi në vetvete, i cili të bën të jesh i bindur që ti vërtet ke vlera dhe së dyti, durimi. Asnjëherë qëllimet apo ëndrrat mund të na realizohen me një të trokitur të gishtave. Ndodh shpesh që njerëzit të thyhen pas njëfarë pritjeje për suksesin. I duruari, i fituari! Arsyeja është thirrja që ndërgjegjja i bën logjikës, për të arritur një pikësynim, apo për realizime sa më të avancuara të jetës.

Si ka ndodhur me ju në stadet e formimit dhe deri më sot kur shënoni një karrierë të suksesshme?

Unë jam një nga ata njerëz që i japin të drejtë teorisë që ne jemi produkt i ambientit ose mjedisit ku jetojmë. Unë jam produkt i këshillave të prindërve të mi, i aventurave që kam bërë në jetë me shumë njerëz të ndryshëm, jam produkt i dështimeve apo sukseseve specifike që më kanë dalë përpara në jetë, jete etj. Është një shprehje e famshme që thotë: Diferenca midis një vrasësi dhe prifti, është ambienti ose mjedisi ku ka lindur dhe është formuar. Mendoj që deri në njëfarë pike ndikojmë ne personalisht për formimin tonë, pjesën kryesore e luajnë ata që na rrethojnë.

Si mendoni ju: Është më mirë të zgjedhim me mendje apo me zemër?

Unë mendoj që në varësi të situatës mund të zgjedhim alternativën. Duhet të përdoren të dyja. 

2Poeti, piktori dhe filozofi Libanez, Khalil Gibran pohon se: “Arsyeja dhe pasioni janë timoni dhe vela e shpirtit tonë lundrues…” Ka qenë vërtetë edhe për ju timoni i jetës tuaj artistike dhe jo vetëm?

Pasioni fillimisht e më pas arsyeja. Them më pas sepse eksperienca e mosha bëjnë të vetën. Kur e kam nisur, nuk kam pasur këtë kapacitet mendor që kam sot dhe i vetmi ndriçues për rrugën përpara ishte pasioni. Më pas fillova të përpunoja mendime e strategji duke futur arsyen në punë. Arsyeja, talenti dhe pasioni përbëjnë një trinom i cili jep rezultat e duhura. Më renditni disa nga sukseset tuaja. Herë mendoj që janë shumë e herë mendoj që jo. Kjo fazë e të menduarit që nuk janë shumë, më pëlqen disi, pasi e ndjej që më jep energji dhe motivim pafund për të shkuar akoma më lart e akoma më shpejt. Mendoj që njeriu nuk duhet të kënaqet me pak. Duhet t’ia kujtojë arritjet vetes në momentet e të qenit poshtë moralisht, por jo t’i ketë para syve gjithmonë, pasi vetëm do të verbohej e asgjë më shumë. Emocionet udhëheqin shumë prej zgjedhjeve tona.

Janë ato pjesë e vendimmarrjeve të shpejta apo të nxituara? Si ju ka rezultuar?

Siç thashë dhe më lart, zgjedhjet emocionale jo gjithmonë rezultojnë për mirë për sa i përket planeve afatgjata. Një e mirë e sigurt e zgjedhjeve emocionale apo me zemër, është që nuk ke brejtje ndërgjegjeje pasi ke marrë vendimin.

Sa vend zë intuita në të arsyetuarit pozitiv dhe me zgjidhje në situata të shpejta?

Shumë. Po nuk pate ose të paktën ta krijosh me përvojë intuitën ose nuhatjen, ke dështuar. Vendimet e tua me shumë gjasa nuk do të jenë të duhurat dhe rrjedhimisht edhe suksesi nuk do të vijë.

Sipas jush sa ndihmon të arsyetuarit dhe logjika e mirë në mirëqenien jo thjesht psikofizike, por edhe atë të arritjeve personale dhe profesionale?

Të bësh zgjedhje pasi ke arsyetuar, do të thotë që koeficentin e gabimit e ke shumë të vogël në krahasim me zgjedhjen emocionale apo të shpejtë e të paarsyetuar. Mund të them që në 90% të rasteve, zgjedhjet e mia që kam bërë duke arsyetuar, kanë rezultuar të duhurat. Sigurisht që ndjehesh mirë në momentin kur sheh që zgjedhja që ke bërë ka dhënë frytet e veta. Mund të jetë ndoshta një sfidë brenda unit, por
gjithsesi mendoj se gjithmonë do të ketë momente kur do të kemi mundësi të sprovojmë edhe unin tonë. Thjesht, duhet të arrijmë të kuptojmë kur duhet të përdorim logjikën e kur ndjesinë apo zemrën. Kjo do të ishte arritje shumë e madhe.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.109

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top