Marrëdhënie

August 19, 2016 | 8:52

Dëshmi/ Rezarta Skifteri: I dua fëmijët me të njëjtën forcë!

Ajo është një grua e fortë, një femër ambicioze dhe gjithnjë e gatshme përpara sfidave të jetës. Kush e njeh nga afër Rezarta Skifterin, e ka lehtësisht të kuptueshme se pas saj fshihet gjithashtu një nënë shumë e përkushtuar. Para pak muajsh ajo u bë mama për herë të dytë, kësaj radhe e një djali. Pavarësisht ngarkesave që krijohen rishtazi për shkak të diferencës në moshë, midis Sarës 7-vjeçare dhe Xhoelit vetëm tre muajsh, ajo është tepër ekuilibruese në raportin e ri të krijuar mes dy fëmijëve të saj. “Para se Xhoeli të lindte, Sara ishte shumë e kënaqur, aq sa herë pas here më bënte pyetje ‘Kur do lindë, se mezi po pres të vijë vëllai në jetë’ dhe pastaj ‘Kur të lindë vëllai, ju do më doni më?’. Dhe, sigurisht, ne uleshim dhe e përgatitnim vajzën që në momentin kur isha shtatzënë, se çfarë do ndodhte me barkun e mamës dhe se çfarë do të ndodhte kur të lindte vëllai. E kam paraprirë këtë bisedë shumë kohë më parë, në mënyrë që vajza të mos ballafaqohej në momentin që do të lindte djali me çdo gjë. Kam marrë këshilla edhe nga mikeshat e mia, nga ato që kanë dy, por edhe tre fëmijë. Dhe më kanë vlejtur, pasi më kanë ndihmuar në mënyrë të tillë që Sara sot të mos bëjë më kësi pyetjesh, sepse ndihet mirë. Unë jam mami i Sarës, dhe mami ndihet në çdo luhatje apo lëvizje të fëmijës së saj. Mjafton të shoh një shikim të sajin, qoftë si e mërzitur, dhe kthehem menjëherë tek ajo për të mos e lënë të mërzitet”. Psikologët thonë se mund të duash dy fëmijë njësoj në mënyra të ndryshme, gjë që pohohet edhe nga stilistja e njohur. Ajo thotë se me zemrën dhe forcën e pakushtëzuar të nënës nuk ka kufij, veçse pengesa që duhen mirëmenaxhuar. Në përvojën e saj, ajo i ka hedhur poshtë tabutë mendësore, të cilat thonë se: fëmijët diferencohen, apo duan më shumë djalin ose vajzën. Sepse, sipas Rezartës, “bëj akoma më çudi që këto femra (pa gjykuar) bëjnë dallim dhe akoma thonë se kë duan më shumë. Për mua, personalisht, është krejt e pamundur të ndahet dashuria. Ajo është e fortë për të dy fëmijët, njësoj, me të njëjtën forcë, si për djalin dhe për vajzën. Fëmijët kanë karaktere të ndryshme dhe unë u përshtatem e mundohem t’i dua në karakteret e sjelljet e gjithsecilit. Unë arrij ta kuptoj te djali që në qëndrimin që mban. Mundohem t’i shkoj ‘pas fijes’ dhe kur ai nervozohet. Pra, arrij ta kuptoj deri në njëfarë mase se çfarë tipi ka, pavarësisht se me rritjen e tyre ndryshojnë”. Të pasurit e gjinive të ndryshme, ka natyrisht ndikim në mënyrën se si e percepton njëri sjelljen, apo tjetri. Megjithatë, Rezarta Skifteri përpiqet të jetë e hapur, komunikuese, bindëse, se të falësh dashuri dhe të dish t’ua mësosh këtë sipas disa rregullave të ëmbla, me patjetër që e ke fituar “betejën”. “Sara është përkëdhelur nga të dy prindërit. Që në momentin e ardhjes së Xhoelit jemi munduar t’i tregojmë asaj dashurinë që kemi për të. Të dy ne, çdo ditë i themi fjalët e zgjimit për ta bërë gati për në shkollë. E pushtoj pas vetes dhe i them: ‘Mos harro asnjëherë që mama dhe baba të duan shumë. Je shumë e rëndësishme për ne’. Po me të njëjtat fjalë, Sara bie çdo darkë në gjumë. Ne jemi të rritur dhe ka momente të caktuara kur bëhemi xhelozë. Duke qenë se ardhja e Xhoelit është shumë e rëndësishme në familje, Sara e do jashtëzakonisht shumë, por si çdo fëmijë ndoshta një xhelozi të brendshme mund ta ketë. Megjithatë, ne mundohemi t’i transmetojmë që edhe ajo është tepër e rëndësishme për ne, në çdo kohë. Nuk e ngremë zërin, përpiqemi të diskutojmë me të në mënyrë që të mos e mbyllim vajzën”.

Në vetëkontroll, pa kushte!

Shpesh kapemi mat nga fëmijët, njëri ta merr mendjen më shumë e tjetri në qoshen e tij të sheh me inat. Në fakt, për stilisten Skifteri, kësi dallimesh janë të rralla. Si çift, ata përpiqen të krijojnë balanca, duke tentuar të krijojnë qetësinë dhe jo shqetësimin mes motrës dhe vëllait. “Meqenëse djali është ende shumë i vogël, ne përpiqemi që në orët kur vajza nuk është në shtëpi, ose në momentin që përkëdhelim djalin, e bëjmë këtë nën emrin e Sarës. Që motra të do shumë, ne e duam shumë motrën, ne ju duam shumë juve. Nuk harrojmë asnjëherë që në momentin që përkëdhelim Xhoelin, të përkëdhelim edhe Sarën. Dhe e bëjmë këtë edhe kur kapemi mat, në momentin që unë apo im shoq i bëjmë një përkëdhelje më shumë djalit. Themi: Ki kujdes, se është dhe Sara. Për ne në këtë moment është e volitshme t’ia bëjmë të ditur në doza të mëdha, t’i transmetojmë vajzës se është shumë e rëndësishme”. E në këtë vetëkontroll përfshihen edhe gjyshërit, ata që nuk reshtin së “thyeri” rregullat.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.80

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top