Mirëqenie

May 13, 2016 | 9:59

Dëshmi/ Rita Lati: Plakja, larg nga unë!

Kur humori dhe e qeshura futen si “sheqer në gjak”, ato të zgjasin jetën, të mbushin çdo çast të ditës me gëzim, aq sa të bëjnë të harrosh se përtej kësaj bote të bukur e plot ngjyra, ka edhe probleme nga më të vështirat. E për një aktore humori siç është Rita Lati, profesioni ka bërë të vetën! Ka skalitur tek ajo imazhin e një femre që e përqafon të qeshurën në çdo kohë, që shpesh i kalon situatat pa e vrarë shumë mendjen dhe pa krijuar gjendje të vështira emocionale, një aktore që e do skenën dhe mbi të gjitha një grua me shije që tregon kujdes për vete… ndërsa festoi para pak ditësh 50-vjetorin e lindjes. Plakja si nocion, por edhe si proces, krijon tek aktorja një gjendje stresi, gati-gati fobi! I trembet asaj, ndërsa uron që ajo ditë të jetë sa më e largët. Për momentin, ndihet si një vajzë e re 20-vjeçare, jo vetëm fizikisht, por edhe në shpirt. E jeton jetën në të gjitha dimensionet e saj, aq sa thekson se energjitë nuk i shterojnë kurrë. “Mundohem ta largoj nga vetja idenë e plakjes… aq sa edhe ditëlindjen time të 50 vjetorit nuk e festova me bujë të madhe, sa u thashë miqve të mi me shaka: ‘Nuk është normale, ju të hani dhe unë të vuaj që mbusha 50 vjeçe’. Nuk dua ta pranoj këtë ndjesi, prandaj duke qenë njeri i humorit e kaloj me të qeshur çdo situatë”, pohon Rita. Nuk është e fiksuar pas rinisë së përjetshme, por ndihet fatlume për pamjen e saj. Ndoshta “gjenet e arta” kanë funksionuar mrekullisht mirë tek ajo, po t’i referohesh vetëm disa rrudhave të lehta që i dallohen në pjesën e syve. “Kur zgjohem në mëngjes dhe dal para pasqyrës, i them vetes: ‘dashtë Zoti nuk më janë shtuar rrudhat!’. Kujdesem për të pasur një lëkurë të mirë dhe të shëndetshme, duke përdor vetëm një krem kozmetik dite dhe nate. Nuk bindem kollaj për efektin e produkteve të tjera të shtrenjta, madje i shoh thjesht si një industri me qëllime komerciale. Edhe pse i lashë të 50-at, ndihem me fat që kam një lëkurë të mirë, të kuruar dhe nuk jam e mbuluar nga rrudhat e tepërta apo qelizat e vdekura, që në këtë moshë janë normale për çdo femër. Rrudhat apo thinjat e para kanë qenë normale… për mua ishin sinjalet e para të kalimit të moshës, por jo të plakjes. I kam parë dhe i kam pranuar po aq natyrshëm sa dhe ato erdhën tek unë”, vijon ajo. Rita duket se ka një marrëdhënie të ngushtë me pasqyrën. I beson verbërisht imazhit që përcjell ajo, dhe shpesh e gjen veten të kapur ngushtë, nëse pasqyra ia vë në pah vijëzat e rrudhave. Vihet përpara një situate të tillë, sa herë që i drejtohet një salloni bukurie apo estetike për të kryer shërbime të caktuara. Dhe nëse qëllon të ulet në karrige dhe dielli të bjerë direkt mbi fytyrën e saj për t’ia theksuar edhe më tepër rrudhat, një gjë është e sigurt: Rita do të çohet menjëherë nga vendi ku është ulur, për t’u pozicionuar ndokund tjetër, vetëm që pamja që i shfaqet sakaq përpara syve të mos jetë aq e papranueshme. “Kujdesem për format e mia, aty po që kam pikën time të dobët, pasi fillimisht dua të ndihem e lehtë dhe plot energji e vitalitet për të përballuar skenën, pse jo për të pasur edhe një pamje të mirë. Dua të jem e këndshme për syrin e spektatorit dhe të atyre që më rrethojnë dhe kjo më bën të mos ndihem aspak se po i afrohem moshës së tretë, apo plakjes. Nuk jam në stadin e moshës së tretë, është shumë shpejt për ta pranuar”, thotë Rita Lati. Për këtë motiv, ka preferuar të nxjerrë nga fundi i magazinës biçikletën që kish zënë pluhur aty për shtatë vite me radhë. Kjo sepse, 50-vjeçarja ka vendosur të praktikojë darkave lëvizjet apo xhirot me biçikletë, një formë e mirë kjo për të lëvizur e tonifikuar muskujt. Duke dashur pafundësisht jetën dhe gjithçka që e rrethon, Rita bën shumëçka vetëm për të mos lënë përshtypjen e një femre që nuk kujdeset për veten, vetëm sepse vitet po i ikin, apo sepse mosha bën të vetën. Përkundrazi! Ka një fuqi të pashoqe me të cilën mposht barrierat e plakjes (të cilën as nuk denjon ta mendojë). “Jam një shpirt që dashuron pa fund. Jam e përkëdhelur dhe e llastuar nga jeta, kam punuar për të plotësuar gjithçka në shërbim të vetes sime. Linda, u rrita, sot jam 50 vjeçe, çka tregon se kam jetuar. Është normale që fuqitë do bien, sepse ky është ligji i natyrës. I kam kaluar të gjitha etapat e jetës dhe shumë natyrshëm do vijë edhe plakja. Në moshën e tretë fillon rreziku dhe unë trembem… Atëherë kur do ndjej se fuqitë nuk do i kem në maksimum, do e përjetoj keq, do jetë e trishtueshme… e s’besoj se do dua të jetoj gjatë”, përfundon aktorja e humorit.

Psikologji Nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top