Marrëdhënie

October 4, 2016 | 9:24

Dëshmi/ Sabina Kodra & Robert Budina: Bashkëjetesa të mëson vlera

Viti i mbrapshtë ’97, ama një vit që do të shënjonte një kthesë të rëndësishme në jetën e dy artistëve të rinj. Në korridoret e Akademisë së Arteve, zhurma dhe negativiteti që zhvillohej jashtë nuk kishte asfare rëndësi. Shijet për artin, morali, kënaqësitë individuale dhe pritshmëritë konsideroheshin fjalëkyçe në praninë e njëri-tjetrit. 17 vjet më vonë, prindër të Danielit dhe Jonit, i kujtojnë me emocione pragjet që kanë kapërcyer. Duhet pohuar ajo e vërtetë, që vështirësitë si pjesë e jetës, të japin mundësinë të zgjedhësh jo vetëm më të mirën që të takon, por të falin një pjekuri që mund t’ua përcjellësh dhe ta modelosh te pasardhësit e tu.

1

Robert Budina pohon se: “Pas emigrimit në Itali, e mbarova Akademinë në 1994 pas një shkëputjeje dyvjeçare. Më pas fillova një biznes privat, por e ndieja vazhdimisht se më mungonte një pjesë e madhe e imja që ishte regjisura, ndaj e frekuentoja shpesh dhe ndiqja të gjitha provimet e studentëve. Aty u njoha me Sabinën, ishte një studente që binte në sy. Më tërhoqi natyra e fortë, ndjeshmëria e inteligjenca. Nga komunikimi që kishim, ndieja se ndanim shumë të përbashkëta, edhe pse në fillime kemi debatuar. Të qenit dy për mua ka qenë sfidë, sepse të pranosh tjetrin dhe, mbi të gjitha të ndash me të gjithçka, jetën e profesionin, do të thotë që jo rrallë duhet të heqësh diçka nga vetja. Fillimisht ndihesha i cunguar, pasi më dukej sikur cenonte lirinë time, por me vite kuptova që ishte vlerë e shtuar, sidomos në profesionin që bëja, i cili nuk të ofron asnjë siguri për të mbajtur familjen. Falë mirëkuptimit dhe punës së madhe të Sabinës në organizimin dhe arritjen e projekteve që na kanë lejuar të mbijetojmë, nuk do të ishim këtu”.

E gjithë kjo periudhë, sot pas 13 vitesh ligjërisht të kurorëzuar, nga Sabina Kodra krahasohet “si një luftë e ndarë në disa beteja, por që më në fund kemi mbërritur në paqe. Fjala kyçe është bashkë- jetesa. Të ecësh përkrah në një rrugë të panjohur, të rritesh dhe kapërcesh vështirësi të panumërta, nga ato më banalet deri tek ekzistencialet”.

Nga ana e tij, raportit në çift Budina i shton edhe “debatin deri në lodhje, por konstruktiv ama, luftë e ftohtë, ndryshim të vazhdueshëm të vetvetes. Nëse nuk janë të gjitha bashkë, vështirë se mund t’u mbijetosh sfidave që jeta të vë përballë. Në mënyrë fare të natyrshme dhe të pashprehur kemi kuptuar secili dëshirat, pikat e forta dhe të dobëta të njëri-tjetrit duke i plotësuar ato vazhdimisht përgjatë bashkëjetesës. Sabina më ka ndihmuar t’i shoh disa fenomene me sy më shumë realist nga ç’do të kisha bërë po të kisha qenë i vetëm. Kam pasur mundësi për t’i parë gjërat edhe me sytë e saj. Mendoj se kjo është pasuri e madhe nëse di ta vlerësosh”.

Pengesat kanë qenë të shumta, thotë Budina, sidomos për shkak të profesionit. “Arsyeja kryesore që kemi arritur t’i kalojmë është fakti se kemi ditur të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të maksimalizojmë avantazhet që ka secili nga ne dhe minimizojmë disavantazhet duke plotësuar njëri-tjetrin”. Kjo ka bërë që çdo ditë të zbulojmë vlera që nuk i njihnim më parë. Nëse nuk ke përgjegjësi për të ndarë siç është ajo e familjes, është shumë e thjeshtë që të zgjedhësh rrugën më të lehtë ndaj vështirësive. Ky trekëndësh ka ruajtur ekuilibrat”.

Sabina pohon se: “Nuk e di nëse do të isha realizuar pa përkrahjen e Bertit. Ne jemi ata që jemi si rezultat i njerëzve që na rrethojnë. Mirë apo keq, pjesë e rëndë- sishme është udhërrëfimi që Berti më ka bërë. Po t’i referohesha Kunderës, ne nuk do të mund ta dinim kurrë si do të ishte jeta jonë nëse do të kishim bërë zgjedhje të tjera për aq kohë sa jemi këta që jemi, si rezultat i zgjedhjeve të kryera. Besoj shumë fort se kam bërë zgjedhje të shkëlqyer. Me shaka u them shoqeve të mia se Berti është burri më i mirë në Tiranë”. Të kundërtat bëjnë mirë, të paktën ky është këndvështrimi i pohuar edhe nga çifti.

Sabina Kodra thotë se: “Kryefjala e marrëdhënies është DEBATI. Të dy jemi luftarakë dhe mbrojmë me forcë bindjet tona. Bindjet profesionale kanë ndikuar edhe raportin në çift e në marrëdhëniet në familje. Modeli që u përcjellim fëmijëve është puna dhe pasioni, mundësi për të qenë qytetarë më të mirë, më të ditur, më njerëzorë dhe tolerantë.

Budina shprehet se “nëse na sheh duke debatuar, mendon se nuk ka kurrfarë tolerance, sepse secili mbron idetë e tij deri në fund dhe kjo mbase vjen se vetëbesimi te secili nga ne është i konsiderueshëm. Sabina është më këmbëngulëse dhe e prerë. Unë jam më i ndryshueshëm. Ajo i kap gjërat më shpejt dhe derisa të njehsohen mendimet e përbashkëta, na duhet të kalojmë nga debati i ashpër, por gjithmonë konstruktiv. Ajo mendon se me fëmijët duhet të jemi të disiplinuar, unë e shkel. Ndonjëherë jam më tolerant se ç’duhet. Ajo mendon se para fëmijëve duhet t’i kursejmë debatet, unë mendoj se ato formojnë tek ata ndjenjën e lirisë. Përpiqemi të komunikojmë me fëmijët dhe të ngjizim tek ta parimin e së drejtës, ndihmës për më të dobëtin, arritjen e qëllimeve të tyre pa shkelur mbi tjetrin. Personalisht konsumoj shumë kohë me ta, kur bëjnë detyrat, kur luajmë së bashku, madje jo pak herë flas me gjuhën e tyre e zihemi e duhemi si të ishim shokë dhe jo prind-fëmijë. Kjo jo rrallëherë më çon në fëmijëri dhe më risjell në mendje raportet që kam pasur me prindërit, që sigurisht nuk janë të njëjta, por në thelb është e njëjta dashuri dhe komunikim. Sakrificat në emër të profesionit kanë forcuar lidhjen. Budina vlerë- son se: “Si rezultat i punës që bëjmë, na qëllon që të largohemi nga shtëpia edhe me muaj, duke qëndruar larg fëmijëve, por pastaj përpiqemi të rikuperojmë kohën e humbur me ta”.

Ndërsa Sabina pohon: “Kam pranuar Bertin dhe ai më ka pranuar mua. Mund të tingëllojë qesharake, por të pranosh tjetrin është të mohosh pjesë nga vetja për t’i bashkuar, qepur, ngjitur me ato copëza që nuk janë të tuat, por që ditë pas dite vijnë dhe bëhen si pjesë e pandashme e jetës, trupit tënd. Kur kam qenë e vogël habitesha se si çiftet që kanë vite që jetojnë bashkë, fillojnë dhe ngjajnë. Duket sikur edhe ADN-ja fillon dhe ndryshon si rezultat i kësaj bashkëjetese. Shpresoj në fakt që të mos më bien flokët së shpejti. Ndaj nuk besoj se kam bërë asnjë sakrificë përveçse kam mësuar të jetoj në çift”.

Sa u takon gjërave të vogla që ndikojnë në jetëgjatësinë e çiftit, Budina ndihet deficitar, por pa dashje. “Kam menduar se gjërat thelbësore kanë më shumë rëndësi. Kjo ka qenë sfidë që më është dashur të luftoj përditë për të ndryshuar. Megjithatë nuk kam bërë ndonjë progres të madh, edhe pse është e vërtetë që në çaste të caktuara shprehin shumë”. Për Sabinën, “pas kaq vitesh, nuk i vë re fare. Në fillimet e historisë e kam patur problem përkujdesjen dhe delikatesën ndaj detajeve të vogla. Ato gati-gati mund të përcaktonin edhe peshën specifike të mbarëvajtjes së ditës, javës apo muajit. Por koha më mësoi se gjëra të tjera kishin më shumë rëndësi dhe duhej të më përcaktonin aksin e humorit si: bashkëpunimi, mbështetja, toleranca në ditë të vështira, me shi e stuhi. Mund të përmend në këtë kontekst faktin se Berti nuk ka tentuar të më ndryshojë asnjë aspekt të natyrës dhe karakterit tim”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.89

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top