Ajo është një individ që punon fort. Nuk kursen as kohën e lirë për t’u gjendur në ballë të detyrimeve që e lidhin me profesionin e saj, apo me studimet në fushën e ekonomibiznesit, të cilat, edhe pse i kanë dhënë doktoraturën, me buzëqeshje i quan ende të paezauruara. Sepse, në fakt, të mësuarit vlen deri në fund të jetës. Lexon shumë dhe këtë e shpalos mjaft mirë me artin e komunikimit. Them kështu, sepse ajo ka një mënyrë artikulimi të të menduarit që vjen në vesh sa konciz, aq edhe i saktë. Në vrullin e impenjimeve të biznesit, mësimdhënies, por edhe përkushtimit familjar, Silvana Baltadori gjen kohë për një bisedë të lirshme. Ashtu, me ‘njëmijë gjëra ndër duar’, plane pune dhe pushimesh, për t’ia arritur t’i bëjë në kohë dhe me kënaqësinë e merituar. Në racionalitetin që e karakterizon, Silva është me parimin: Çdo gjë në kohën dhe vendin e duhur. Pushimet, pushime dhe puna, punë. “Jam mjaft e saktë në pikën që do bëj pushime dhe pikë. Nëse jam jashtë shtetit, e programoj”. Ama, nëse do të përdorte një përcaktor renditës, ajo më thotë: “I sakrifikoj pushimet për punën!”. “Në fillimet e para të biznesit, tri vera nuk kam bërë pushime fare. Merresha vetëm me konsulencën, biznesin e madh me hidrosanitare, pllaka dhe rubineteri. Kuptohet, njerëzit e rregullojnë shtëpinë në fund pranvere për të pasur stabilitet. Kishim ngarkesë. Isha vetë presidente firme, menaxhere. Praktikat i ndiqja vetë, sepse pavarësisht besimit që kisha moralisht te stafi im profesional, por dhe të një defekti timin, jam për: beso dhe kontrollo gjithçka. Dhe them se ia vlen. Kështu, në ato pushime dërgova vetëm bashkëshortin me djalin, ndërsa vajza erdhi më vonë, në ’97 në Itali”. Sa i takon rikthimit në punë pas pushimeve, Silva më bën një parantezë vlerësuese: “Jam grua akademike dhe librin e kam një nga pasuritë në tërë hierarkinë e vlerave. Jam shumë njerëzore, shumë e thjeshtë. Motoja ime në jetë është Nënë Tereza, e cila thotë se ‘Jeta jepet vetëm një herë dhe është shumë e çmuar, prandaj jetoje’ dhe ‘Jeta është e vyer, prandaj kujdesu për të’. Dhe të kujdesesh për të do të thotë të investohesh në vlerat kulturore, sepse informacioni për mua është një nga pasuritë që ti e ke në dorë dhe të menaxhon shumë mirë për të shkuar në shinën e duhur, që drejtimi yt të jetë gjithmonë i saktë, i duhuri. Që do të thotë, nuk jam tipi që bëj ditarë e të jem fanatike. Natyrisht, nëse nuk e hap sot e-mail-in kur jam me pushime, për punën, sepse është shumë e rëndësishme. Për mua puna është e pandarë nga pjesa tjetër e jetës. Nga puna krijojmë të mirat materiale për të jetuar e për t’u kujdesur për shëndetin, për familjen e për të bërë prapë pushime. Është dimensioni i kulturës. Konstrukti i saj është një fjalë në zgjedhjet që individi bën pastaj. Nuk jam fanatike, sepse preferoj të kem ditë të veçanta me ngarkesë, më të mëdha dhe kur vjen puna për pushimet e dua qetësinë, por jo të shkëputem nga kontaktet me stafin tim të zyrës së këshillimit, punën, të rejat, siç është rasti post-zgjedhjeve. Duhet të jesh koherent, sepse koherenca është informacion. Jam shumë kohezive si tip në konceptet sociale, dhe mund të them që është një faktor pozitiv që të mban gjallë”.
Vlera e pushimeve
“Jam ekstreme dhe e polarizuar, për çlodhjen absolute, spontanitetin, thjeshtësinë sikundër dhe paratë që shpenzoj për pushime nuk pendohem kurrë, pavarësisht se ajo kosto mund të shkojë për mermerë e gurë”. E në gjithë këtë, koncepti i saj për pushimet merr një vlerë tejet të rëndësishme, për të cilat duhet investuar dhe, pse jo, nuk duhen lënë kurrë pa bërë, duke shfrytëzuar të katërta stinët e vitit, pse jo?! Dhe pushimet ajo kurrë nuk i koncepton me të tretë, por vetëm dhe vetëm me familjen e saj, bashkëshortin, djalin 23-vjeçar dhe vajzën 15-vjeçare. “Nëse vërtet shpenzoj para, preferoj për pushimet dhe shkollimin e fëmijëve. Natyrisht, edhe për veshjet. Jam pak shoppomane, por pa kaluar në ekstrem. Preferoj që pushimet të jenë në vendet ku kam edhe mundësinë të bëj blerje. Në mënyrë të sinqertë, preferoj t’i bëj të gjitha pazaret me skonto. Pushimet i dua në dy kategori. Relaksuese, pa make up, e veshur thjesht, pa taka apo luksin e parukiereve, dhe për këtë përdor shtëpinë që kam në Himarë. E kam si një stacion për të lëvizur në Dhërmi, Jalë apo Sarandë. Kam edhe një varkë të vogël për të shëtitur. Pjesa tjetër janë pushimet lodhëse, të cilat më çlodhin me lodhjen e tyre. Preferoj të rri gjithë natën të kërcej, të bëj shumë aktivitet sportiv, jo vetëm not, por edhe lojëra në ujë. Jam e çmendur në këtë pikë. Më kujtohet vjet një detaj, në Aquapark-un e Korfuzit, që është një nga më të mirët sot, te loja ‘Qilimi Fluturues’. Hipa me vajzën. Qëndronim lart, në drejtim vertikal. Ndërkohë isha e palidhur dhe duhej të mbahesha me këmbë e duar fort. Në një moment mendova të hidhesha në ujë. Ishte hera e para që u tremba vërtet. Kur u ulëm në breg mësova se punonjësi e kishte shkelur normën e sigurisë dhe u ndëshkua. Sepse rreziku, ajo që unë kisha menduar, të hidhesha nga lart, ishte i madh për nga shpejtësia e distanca dhe rrezikohej dëmtimi fizik. Një incident tjetër ka qenë në Turqi, në Antalia, tek ura e famshme, ku më ra kapela. E kisha si kujtim, blerë në Amerikë, dhe bëra të njëjtën gjë. Nxora dorën për ta marrë dhe rrezikova”.
Botuar në revistën Psikologjia, Shtator 2013
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.