Në fokus

January 12, 2016 | 7:47

Dëshmi/ Sonila Qato: Prona… “mision” i pamundur?!

Orjona TresaIntervistoi: Orjona Tresa

“Haka te i zoti”… apo “Prona atij që i takon”. E gjithë kjo sentencë, shumë e lashtë dhe më shumë se tragjike në vetvete, duket sikur tanimë është vetëm në dorën e saj. Mjafton të shkosh atje dhe nuk ka më vetëgjyqësi. Ajo mund të ta kthejë pronën e humbur, atë të grabitur, atë të falsifikuar apo atë të mbivendosur. Duket sikur ajo dhe vetëm ajo është kasaforta sekrete që nëse qëllon t’i gjesh kodin, bëhesh i lumtur. Duket sikur është vetë dora e Zotit…

E megjithatë nuk është kështu. Sonila Qato është një nëpunëse modeste e shtetit, megjithëse me një pozicion jo të zakontë në administratë. Ajo është Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra, për të thënë të vërtetën një prej drejtoreshave VIP, të cilës kryeministri i ka besuar kyçin e një kasaforte brenda të cilës ndodhet “thesari i nënshtetasve”. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Sepse që të marrësh pronën e trashëguar nga gjyshi a babai nuk duhet të kesh mik Sonilën. Ajo nuk ka të bëjë me llojin e drejtorit që jemi mësuar jo rrallëherë: të pijë alkool lokaleve me gota të mëdha, të marrë zarfe me para nën tavolinën e ahengut dhe të hedhë firma në mënyrë arbitrare. Përkundrazi, që të marrësh tokat në bregdet apo qoftë dhe një stallë të rrënuar e të konfiskuar nga regjimi i mëparshëm, duhet të kesh letra, tapi të noterizuara apo vendime gjykate. Nuk është Sonila që vendos mbi pronën tënde për më tepër që pas saj është një ushtri e tërë specialistësh e interpretues ligjesh. Ndërsa te dera e drejtorisë gjithmonë pret një “pronar” vazhdimisht i pakënaqur që është i gatshëm të hapi gjyqin e radhës. E jetuar në këtë mënyrë dita e punës duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. E me gjithë terrorin që mund ta ndjejë gjithkush për së largu, Sonila e ka marrë qetësisht detyrën e saj të vështirë, të cilën po e ushtron që prej dy vitesh. Sepse tek e fundit edhe pse një grua në karrierë është bashkëshorte e nënë e dy fëmijëve që janë dhe drita e syve të saj.

Para pak kohësh zyrat e AKKP ishin të mbushura me qytetarë. Për çraë ishin këto rradhë të gjata dhë a është zgjidhur problemi i ndonjërit prej tyre?

Radhët e gjata në dyert e institucionit të AKKP-së nuk janë gjë tjetër veçse tregues i neglizhencës së madhe që është treguar në këto 23 vjet proces i nisur për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave në raport me pronarët. Interesi i tyre për të mësuar për fatin e aplikimeve të tyre, për njohjen e pronës, apo i dosjeve me vendimmarrje kompensimi, u rrit shumë pas transparencës që mundëm me shumë vullnet të realizonim në Agjenci një vit më parë, në korrik të 2014-s. Aktualisht, qytetarët e interesuar për fatin e pronave të tyre marrin shërbim nga zyra jonë e marrëdhënieve me publikun, ku çdo ditë u shërbehet me angazhimin për t’i rikthyer fytyrën kësaj Agjencie deri dje jo shumë e hapur për informacionin ndaj publikut. Përmes faqes ëeb të AKKP-së, çdo ditë u kthehet përgjigje dhjetëra email-ve që na dërgohen. Qytetarët vijnë nga të katra anët e Shqipërisë dhe secili prej tyre mbart specifika të ndryshme dhe angazhim të posaçëm. Të gjithë në Agjenci përpiqemi fort të forcojmë besimin e qytetarëve tek institucioni që drejtojmë. Fatkeqësisht, në çdo bisedë me ta shfaqet dukshëm zhgënjimi i madh e i përjetuar nga përvoja e jetuar më parë në këtë Agjenci, dhe personalisht më krijon gëzim dhe emocion çdo reagim i tyre pozitiv ndaj imazhit të ri, që me shumë mund po përpiqemi të ndërtojmë çdo ditë, kontakt mbas kontakti me qytetarët. Sigurisht që jemi ende larg imazhit ku duam të arrijmë, por për një gjë kam siguri, jemi në rrugën e duhur!

Prej dy vitesh në krye të institucionit që drejtoni, cila është ecuria? Sa problematika mbart ky dikaster?

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është një nga ato Agjenci të atij niveli qeverisës, funksioni dhe veprimtaria e të cilës zë një rol të rëndësishëm në rregullimin dhe vendosjen e një ekuilibri në disa aspekte të veprimtarisë shoqërore. Pyetja që më drejtoni kërkon disa faqe për t’i kthyer përgjigje, ndër to aspekte të cilat nuk do mund t’i ezauronim në të gjithë problematikën që ajo mbart. Një gjë di të them me siguri: aty ku ka një regjim juridik të sigurt të tokës dhe si rrjedhim të pronës, aty garantohet edhe një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, investime te sigurta dhe qarkullim të të drejtave që rrjedhin nga pronësia. Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave ne vendin tonë nuk është trajtuar asnjëherë me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Pronarët janë trajtuar gjithmonë si një shtresë shoqërore e mbajtur peng përmes një procesi i cili është tërhequr zvarrë për mbi 23 vjet, me premtime të një klase politike, e cila asnjëherë nuk ka bërë përpjekje serioze dhe të qëndrueshme për ta zgjidhur këtë gangrenë. Përpjekjet e vitit 2004 përmes miratimit të një ligji të ri aktualisht në fuqi, u shpërfytyruan nga dhjetëra ndryshime ligjore që iu bënë këtij ligji aq sa sot nuk është e mundur efektivisht zbatimi i tij. Ky ligj është karakterizuar nga një mungesë transparence në implementimin e tij dhe ka lënë vend për shumë raste korrupsioni, të cilat kanë prevaluar mbi të drejtën, duke prishur balancat dhe duke shkaktuar dëm të madh për të gjithë sistemin e ekonomisë individuale e shoqërore dhe regjimin e pronës. Kjo ishte në vija të përgjithshme gjendja e institucionit në tetor të vitit 2013. Një panoramë e trishtë e mosfunksionimit, çorganizimit, keqadministrimit të një prej fushave më të rëndësishme të qeverisjes. Kjo fushë në fundvitin 2013 u klasifikua nga qeveria si një nga 6 prioritet e saj. Ky ishte fillimi i nismës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të ndërmarrë një reformë të thellë në këtë fushë, përmes reformimit të legjislacionit në fuqi dhe reformimit të institucionit. Një nismë e përkrahur nga qeveria dhe që këto ditë po komunikohet me publikun me qëllim konsultimin publik dhe thithjen e sa më shumë sugjerimeve në funksion të përmirësimit dhe krijimit të një skeme të qëndrueshme, drejt një mbylljeje të drejtë të këtij procesi.

AKKP ka arritur nga sa është vënë re dixhitalizimin e arkivës. Çfarë është lënë pas dore dhe sa nga objektivat e tjera që keni pasur para dy vjetësh janë realizuar?

Gjatë dy viteve të fundit kemi bërë në agjenci një punë të mirë për të çuar këtë institucion drejt një organizmi dhe administrimi të atillë, i cili mund të realizonte pritshmëritë e pronareve. Qëllimi ka qenë rritja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përmes rritjes së performancës, rritjes së transparencës mbi aktivitetin 23-vjeçar të realizuar në këtë fushë, sistemimit të fondit të dosjeve të trajtuara apo në proces trajtimi, identifikimi i të gjitha dosjeve me njohje pronësie, në trajtim dhe pozicionimin hartografik të tyre. Krijuam për herë të parë regjistrin e vendimmarrjes për të gjithë periudhën nga nisja e këtij procesi deri në ditët e sotme, një metadate e rëndësishme prej së cilës u mor në analizë i gjithë aktiviteti vendimmarrës në këtë fushë. Rreth 5500 dosje të patrajtuara asnjëherë u nxorën nga pluhuri i arkivës për shqyrtim i arkivës, për t’ju bashkuar rreth 4000 dosjeve që prisnin shqyrtimin në sektor. U mor ky vendim, pasi rinisja e procesit të shqyrtimit dhe vendimmarrja përkatëse duhet të bëhet në mënyrë të unifikuar, duke i trajtuar të gjitha dosjet në tërësi përmes vlerësimit të kufijve dhe dokumenteve arkivore në krahasim me vendimmarrjet e tjera të marra gjatë viteve.

Dixhitalizimi ishte nisur në fakt, përmes një projekti të USAID në vitin 2005. Qëllimi ishte dixhitalizimi i dosjeve në zyrat rajonale të Agjencive në rrethe. Fillimi i këtij projekti kishte rëndësi të veçantë edhe në atë kohë, por fatkeqësisht zgjati vetëm 1 vit. Mungonte vullneti për të forcuar transparencën dhe luftuar korrupsionin. Dyert e projektit u mbyllën së bashku me të drejtën për të mësuar në lidhje me fatin e dosjeve të pronarëve. Shto faktin që imazhet e ruajtuara në arkivën dixhitale ishin të formatit fotografi, një situatë e cila sot në 2015 nuk përputhet as me teknologjinë dhe as me inovacionin që po krijohet në këtë fushë. Ndaj që në ditët e para të punës në Agjenci morëm një vendim të rëndësishëm: dixhitalizimin e arkivës 25-vjeçare të kthimit dhe kompensimit të pronave përmes krijimit të Arkivës teknike shkencore, e cila sot ka grumbulluar, regjistruar dhe inventarizuar të gjitha dosjet e shpërndara nëpër arkivat e rretheve të ndryshme, ku qytetaret nga njëra anë sorollateshin për të gjetur dosjet, sa nëpër rrethe e sa në Tiranë, dhe Agjencia nga ana tjetër ishte në padije të vendimeve të marra gjatë trajtimit dhe vendimmarrjes përkatëse. Ky mosveprim nuk lë vend tjetër veçse për korrupsion, për fshehje faktesh dhe krijimin e rrethanave rënduese për të interesuarit pronarë. Gjate dy viteve të administrimit në krye te kësaj Agjencie është bërë një punë e jashtëzakonshme në lidhje me këtë fakt dhe falë vullnetit dhe profesionalizmit të të gjithë stafit, sot kemi krijuar baza të forta për realizimin e një reformë të rëndësisshme, e cila shpresoj të shënojë në kalendar vitet e fundit të ekzistencës së kësaj problematike.

Nëse e krahasojmë me peshoren e drejtësisë, nga anon më shumë ajo, nga problematika e vështirësitë e çështjeve të pronësisë apo nga zgjidhja e tyre?

Përballja ime e parë me këtë fushë ka qenë pikërisht fillimi i detyrës time në këtë institucion. Kisha dëgjuar shpesh për problematikën dhe tejzgjatjen e këtij procesi, pasi edhe më parë për shkak të punës jam marrë me çështje që kishin të bënin me menaxhimin e pronës dhe problemet e pronarëve për ët vërtetuar pronat efektivisht të tyre. Por realiteti me të cilin u përballam qe i ashpër dhe tejet i vështirë.

Përballja me një sistem të kalbur e të lënë pas dore prej shumë vitesh, më forconte idenë se peshorja e problematikave që kjo fushë mbart, rëndon dhimbshëm në krahasim me zgjidhjet e ofruara të paktën deri dy vite më parë. Sot e vlerësoj ndryshe. Serioziteti dhe përkushtimi me të cilin u angazhuam dy vitet e fundit, më forcoi bindjen se për çdo problem ka një zgjidhje, boll që të ekzistojë besimi, vullneti dhe dëshira për t’i kapërcyer së bashku pengesat që paraqiten sa herë merr në trajtim çështje të pamundura si kjo e pronës në vendin tonë.

Cila është periudha më e vështirë për t’u trajtuar si më vete, në historikun e pronësive?

Periudha më e vështirë në këndvështrimin tim është periudha e suprimimit të zyrave rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave në vitin 2010, fakt i cili ndikoi negativisht në fenomenin e frenimit të aktivitetit porsa i përket vendimmarrjes. Por kjo sa i takon anës organizative në procesin e njohjes së pronësisë. Në fakt unë do i konsideroja 10 vitet e fundit, si vitet e rrënimit të këtij procesi nga i cili u krijua një sistem ku nga njëra anë prodhonte vendime njohje, kthimi apo kompensimi për pronat dhe nga ana tjetër prodhonte sistematikisht konflikte gjyqësore pa fund për pronarët e implikuar për shkak të mbivendosjeve ashtu sikurse rriste detyrimin e qeverisë përkundrejt mosekzekutimit te gjatë dhe të pa rregulluar asnjëherë të kompensimit të tyre. Asnjeë qeveri deri te qeveria e vitit 2013 nuk kishte llogaritur ndonjëherë për kompensimin e pronarëve dhe pikërisht ky ka qenë edhe shkaku se përse asnjëherë nuk u paraqitën masa konkrete dhe efektive për përmbylljen e këtij procesi.

Po qytetet më problematike?

Jugu i Shqipërisë mbart problemet më të mëdha në këtë fushë. Sidomos në zonat turistike, si qarku i Vlorës. Në këto qytete janë kryer edhe masakrat më të mëdah në çështjet e pronësisë. Sistemi i krijuar ndër vite qysh nga fillimi i këtij procesi stimuloi korrupsionin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Gjatë vitit të fundit AKKP ka bërë rreth 30 kallëzime penale për vendime kthim prone mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara e deri te rastet ku prona është regjistruar me vendime komisioni inekzistente ose më saktë të falsifikuara. Kjo situatë në jug të Shqipërisë, por sidomos në rrethin e Vlorës vjen edhe për shkak të faktit se pronarët nuk arrijnë dot të vërtetojnë origjinën e pronës dhe lidhjen me to deri në vitin 1945. Shkak është edhe kultura shoqërore e historike e këtyre zonave në regjistrimin e pronave të tyre, fakt i cili sot e vështirëson shumë procesin e vendimmarrjes për njohje pronësie në këto zona.

Mësuam se po ndërmerrni një reformë të thellë në këtë fushë. Ju si drejtoreshë e AKKP, duke pasur edhe mbështetjen e qeverisë, si mendoni se do të mund të bëhet zgjidhja përfundimtare e këtij procesi? A do t’i kënaqë kjo rëformë të gjithë pronarët?

Objektivi i punës së agjencisë në këto dy vjet qeverisje ka qenë pikërisht reformimi i këtij procesi në dy nivele: në atë ligjor dhe në atë institucional. Reforma ligjore ka lidhje me normimin dhe rregullimin e një situate alarmante përsa i përket sidomos çështjeve të kompensimit të pronarëve. Po ju jap një shembull: Në dhjetë vitet e fundit nga viti 2005 deri në vitin 2014 janë kompensuar pjesërisht nga 200 m2 deri në 600 m2 vetëm 850 vendime përfundimtare për kompensim. Ndërkohë presin të kompensohen 26 mijë vendime të tilla. Me këtë ritëm qeveria do mund ta mbyllë këtë proces pas minimumi 300 vitesh. Dihet se vendi ynë është vend bujqësor dhe është i ditur fakti që reformat e para të viteve ‘90 ndanë tokën bujqësore të ish-kooperativave me ligjin 7501. E gjithë toka bujqësore e ndarë me këtë ligj pritet t’u kompensohet pronarëve të origjinës së vjetër të tyre. Është i ditur gjithashtu fakti që asnjë toke bujqësore nuk është kompensuar asnjëherë nga asnjë qeveri deri më sot, ndërkohë që efektet e ligjit të Legalizimeve kanë shtuar kostot në kurriz të shtetit për kompensimin e pronarëve. Është e paimagjinueshme se si në 23 vjet proces nuk u mor asnjëherë përsipër trajtimi i pronarëve me kompensim financiar, fizik apo lloje të tjera kompensimi, siç i parashikon ligji. Është pikërisht kjo reformë që ne finalizuam në këto dy vjet çelësi i një zgjidhjeje reale në këtë fushë. Reforma në ligj sjell angazhimin e plotë të qeverisë për të përmbyllur brenda një afati 10-vjeçar kompensimin e pronarëve sipas një skeme efektive përmes një shpëblimi të drejtë. Për herë të parë do u paraqitet pronarëve një formulë realiste, e cila sjell pritshmërinë e mbylljes së kësaj gangrene. Nga ana e saj qeveria bën transparente mundësinë efektive të saj për të mbyllur në 10 vjet procesin e kompensimit, duke vënë në dispozicion të gjitha burimet e mundshme financiare apo fizike për pronarët dhe nga ana tjetër opronarët do mund të gëzojnë të drejtat e fituara prej 23 vjetësh në aktet tashmë të zverdhura nga koha të vendimeve të tyre për kompensim.

A do të ketë të pakënaqur?

Sigurisht që do të ketë të pakënaqur. Pritshmeritë e pronarëve kanë qenë të mëdha. Në fushata elektorale dhe në ligje të tilla u është premtuar gjithnjë e më shumë. Por premtimet ndaj tyre nuk u mbajtën asnjëherë. Asnjë qeveri nuk mundi t’i shohë në sy e t’u tregojë të vërtetën e zgjidhjes së problemeve të tyre. Kjo qeveri po përpiqet në mënyrë të sinqertë të marrë përsipër për të shlyer gabimet e kryera në 23 vjet proces nga qeveritë e kaluara, duke sjellë një draftligj, i cili rivendos të drejtën për të ekzekutuar përmes një shpërblimi të drejtë brenda një afati të arsyeshëm faturën totale të kompensimit që rëndon mbi qeverinë dhe që pronarët presin ta gëzojnë prej tashmë shumë vitesh. Të gjithë taksapaguesit shqiptarë do te kontribuojnë në shlyerjen e kësaj fature, ndaj në funksion të një çështjeje me interes publik dhe në funksion të një normaliteti në funksionimin e shtetit, duhet të arrihet një kompromis midis shumë pronarëve që do të përfitojnë nga kjo reformë dhe atyre pronarëve të cilët nuk do të mund të realizojnë sa duhet pritshmëritë e tyre. Ky është i vetëm pas 23 vitesh për ta çuar drejt përfundimit këtë proces, ndaj çdo përkrahje nga cilido individ apo grup shoqëror është me vlerë në këtë proces të nisur.

——–

Sa e vështirë është për një drejtuese femër të përballet me situata të pakëndshme ndaj personave që prej vitesh enden drejtorive apo gjykatave për të sistemuar dosjet e pronësisë?

Të qenit femër nuk më ka penguar asnjëherë të kryej detyrat apo përgjegjësitë që më janë ngarkuar kohë mbas kohe. Përkundrazi e shoh si vlerë të shtuar drejtimin e një institucioni si AKKP-ja nga një femër. Ky institucion kërkon shumë përkushtim, shumë vëmendje, ndjekje sistematike të problemeve dhe mbi të gjitha pjekurinë për të marrë vendime të urta në momente të vështira. Për të qenë shumë e sinqertë, përballja me qytetarët e lodhur tashme nga sorollatjet shumëvjeçare është edhe pjesa më e vështirë e punës time të përditshme. Mosha mesatare e qytetarëve që trokasin në dyer të Agjencisë është rreth 60 vjeç. Në ditët e para të punës, një qytetar i moshuar më dëshmoi se e kishte filluar interesimin dhe procesin për njohjen e pronës së gjyshit të tij që kur kishte qenë në moshën 42-vjeçare. Sot ai është 62 vjeç dhe akoma endet sa nëpër gjyqe e sa nëpër zyra për një vendim. Të tillë u mësoja të takoj përditë në zyrën time. Deri më sot nuk më ka ngjarë të kem asnjë situatë të pakëndshme, përveçse urimeve të tyre për të vijuar këtë proces me seriozitetin që kemi dëshmuar këto dy vjet. Secili prej tyre e ka kuptuar se mungesa e vendimmarrjes këta dy vjet ka shërbyer për të ngritur një sistem i cili do t’i lërë automatikisht jashtë të gjitha dallaveret dhe korrupsionet që janë bërë deri më sot në këtë fushë dhe ka zvarritur pa fund vendimet për dosjet e tyre. Unë kam pasur fatin të takohem çdo ditë me njerëzit më fisnikë që kam njohur gjatë aktivitetit në punë, të cilët me shumë durim dhe qytetari, e me besim te shteti kanë pritur përmbushjen e premtimeve ndaj tyre me lugë të zbrazur. Çdo ditë shoh të rritet besimi i tyre te qeveria dhe te kjo agjenci, ndaj uroj që zgjidhjet që kemi ofruar në këtë draftligj të mirëpriten dhe të mundemi të gjithë bashkë ta çojmë përpara këtrë reformë.

Ju vetë keni patur ndonjë situatë konkrete të vështirë, ju kanë kërcënuar në pozitat ku gjendeni?

E vetmja situatë e vështirë që mbaj mend në këto dy vjet drejtimi në AKKP është përballja e parë me ekspertët e Këshillit të Evropës, të cilët erdhën në Shqipëri me misionin për të asistuar AKKP-në në hartimin e një ligji të atillë, i cili të mund të plotësonte rekomandimet e GJEDNJ dhe normat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Të lodhur si duket me premtimet e përfaqësuesve të mëparshëm dhe me një mungesë besimi se kësaj radhe do të ishim të vendosur për një zgjidhje te re, u paraqitën në takimin e parë të zhvilluar në zyrën time, me bindjen se “ky është mision i pamundur”. Përsëritja brenda katër orëve në takim i fjalës “mission i pamundur” vuri në krizë për disa çaste të gjithë përpjekjen tonë për t’u mbështetur nga ata. Skepticizmi i tyre arrinte të njëjtin dimension po aq sa problematika që po diskutonim. Por në fund fatmirësisht rezultati qe pozitiv. Atë ditë e kaluam me sukses klasën drejt një bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe me shumë mund arritëm të fitonim bashkëpunimin e tyre drejt një asistence dhe ekspertize të vazhdueshme për çdo hap të kryer deri neë finalizimin e draftit të fundit të ligjit të ri “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Për natyrën që kam, kërcënimet zakonisht ngjallin tek unë efektin e kundërt të qëllimit të tyre, ndaj kjo personalisht nuk më shqetëson.

Psikologjikisht është një detyrë që e përballoni?

Absolutisht që po! Nuk e kam shtruar asnjëherë në këtë aspekt vijueshmërinë e detyrës që kryej prej dy vjetësh. Kush më njeh nga afër e di që sfidat i pranoj me shumë përgjegjshmëri dhe aq më shumë kush më njeh e di se është pikërisht pasioni për punën dhe sfida, dy elementët që më shtyjnë çdo ditë të eci përpara me besim te puna ime dhe kontributi i stafit me të cilin bashkëpunoj.

Cilat janë risitë në krye të institucionit që drejtoni?

Në një institucion ku deri dje ishte bërë shumë pak në lidhje me organizimin dhe funksionimin e tij, për mua ashtu sikurse për çdo person me më pak përvojë pune se unë në drejtim, nuk do të qe e vështirë të identifikojë e më pas të nxisë zbatimin koherent të një plani emergjent masazh, të cilat nga njëra anë normalizonin funksionimin e rregullt dhe ligjor brenda institucionit dhe nga ana tjetër të rrisnin shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve të cilët do të trokisnin në dyert e kësaj agjencie. Rritja e besimit të publikut qe edhe vendimi i parë që u mor qysh herët në Agjenci. Në dy vjet realizuam transparencën 23-vjeçare, realizuam projektin e hartës dixhitale të vendimmarrjes në qarkun e Vlorës, llogaritëm faturën 23-vjeçare të kompensimit, krijuam një formulë të re kompensimi, përcaktuam mekanizma të rinj të brendshëm për trajtimin e kërkesave të paraqitura në agjenci, draftuam një ligj të ri reformues të të gjithë sistemit të deritanishëm, përmes procedurave të lehta për aplikim, favorizuese për pronarët, ku barra më e madhe e përgjegjësisë i bie shtetit. Qëllimi është standardizimi dhe lehtësimi i procedurave, aplikimi i shërbimeve online për subjektet, dixhitalizimi i plotë i sistemit, shmangia e korrupsionit dhe vendosja e drejtësisë së munguar në trajtimin e çështjeve që mbulon kjo fushë, bazuar në parimin e sigurisë juridike, barazisë në trajtim, mos diskriminimit dhe transparencës me publikun.

Po mirënjohje, ndaj kujt do të donit të shprehnit?

Sigurisht që këto arritje nuk janë produkt i një pune individuale. Asgjë nga këto realizime nuk do të ishte kryer pa mbështetjen dhe profesionalizmin e një grupi të rinjsh e të rejash, pjesë e stafit të agjencisë dhe bashkëpunëtore në këtë proces, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në përkthimin e orientimeve të dhëna nga drejtuesi i institucionit në arritje konkrete. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë përkushtimin e secilit prej tyre, për të finalizuar këtë hap, i cili vlerësohet krucial për fatin e zgjidhjes së kësaj problematike të thellë. Por, sigurisht, e njëjta mirënjohje edhe për të gjithë mbështetjen pa rezerva që kam pasur në të gjitha nivelet më të larta të bashkëpunimit prej të cilëve kam pasur përkrahjen maksimale dhe mbështetjen e duhur për realizimin e kësaj reforme.

***

Këtë pyetje ua kam bërë shumë zonjave drejtuese: Kryeministri në fillim të mandatit ua besoi këtë pushtet femrave. Sa e vështirë ka qenë për ju të qenit grua në karrierë, ne raport me impenjimet personale?

Besimi i kryeministrit Rama në aftësitë drejtuese të vajzave dhe grave është promovuar vite më parë, që kur ai zgjodhi të qeverisë Bashkinë e kryeqytetit me shumicën e bashkëpunëtorëve dhe drejtueseve të institucionit femra. Ndaj nuk pritej që të ndodhte ndryshe edhe në drejtimin e qeverisë së sotme. Personalisht kam pasur fatin të punoj herët nën drejtimin e kryeministrit Rama dhe çdo ditë pune nën drejtimin e tij ishte një përvojë e pashlyeshme në mënyrën se si duhen bërë gjërat, se si duhen kuruar detajet, dhe se si duhet të besosh në punën që bën në mënyrë që të arrihet suksesi, por mbi të gjitha çelësi i sukseseve është aftësia për të punuar në grup si ekip. Ndaj prej shumë vitesh ndjek një ritëm të atillë pune, e cila zë pjesën më të madhe të ditës në dispozicion. Unë jam rritur me pasionin për punën dhe të njëjtin pasion trashëgoj dhe unë. Përkushtimi ndaj detyrës në vite është kthyer në një mënyrë jetese, ndaj edhe familja, edhe shoqëria ime nuk çuditet shumë nga impenjimi i marrë përsipër nga viti në vit. Gjatë karrierës time nuk e kam parë asnjëherë veten si grua në karrierqë, dhe nuk kam parë asnjë ndryshim midis veprimtarisë time si grua me veprimtarinë e një burri në karrierë. Të qenit femër e shoh si vlerë të shtuar në detyrat që më janë ngarkuar jo për shkak të gjinisë, por për shkak të disa aftësive që gratë nga natyra e kanë të lindur dhe që kur vihen në funksion të detyrave japin rezultate shumë të mira në punë.

Jeni ndjerë e paragjykuar në postin që drejtoni?

Shpeshherë përballem me paragjykime të cilat në të vërtetë nuk më përkasin. Unë jam një grua e cila është rritur dhe edukuar në një mjedis ku parimet e demokracisë dhe të së drejtës mësoheshin në bankat e shkollës. Besoj shumë te sistemi i drejtësisë dhe dua të jap shembullin më të mirë të funksionimit të tij. Respektoj të tjerët dhe të drejtat e tyre dhe përpiqem të bëj më të mirën në raport midis meje si individ dhe shoqërisë përballë. Ndaj paragjykimet e njerëzve i konsideroj si një e drejtë e tyre për të dyshuar deri në vërtetimin e të kundërtës. Ndaj, duke pasur besim te formimi im personal e di që me kalimin e kohës do fitoj edhe besimin e njerëzve që sot mund të paragjykojnë.

Çfarë ju motivon në jetën pas punës?

Pa diskutim familja dhe miqtë e mi. Kam fatin të kem një familje të mrekullueshme, e cila është gjithmonë pranë. Më ka mbështetur në të gjithë aktivitetin tim. Po aq sa kam fatin të rrethohem nga miq e mikesha shumë të mira, të cilët më sigurojnë një mjedis të qetë dhe të sigurt pranë tyre.

Angazhimet për shkak të detyrës jua kanë rrëmbyer kohën e mjaftueshme familjarëve. Si e kompensoni mungesën tuaj?

Nuk mund të mohoj faktin që oraret e zgjatura prej kohësh në punë më kanë rrëmbyer një pjesë të konsiderueshme nga koha që duhet t’i kushtoja familjes. Unë kam dy fëmijë djem, njëri 15 dhe tjetri 10 vjeç, të cilët po rriten shumë shpejt. Sa herë shoh djalin e madh, në moshë adoleshente, aq herë më merr malli për të kur qe fëmijë i vogël. Ka qenë bashkëshorti, i cili më ka ndihmuar në mirërritjen e tyre. Sa herë kam pushim dhe sa herë që fundjavat janë të lira, ato destinohen literalisht për fëmijët. Por gjithsesi, puna nuk më ka penguar të kujdesem për familjen time, nuk ka munguar kurrë prania ime në rritjen dhe edukimin e tyre.

Cila jeni ju në raport me karrierën dhe familjen? Çfarë roli luan ajo dhe sa mbështetje keni gjetur te ata në momente të ndryshme?

Në karriere nuk tërhiqem lehtë nga angazhimet e marra përsipër, ndërsa në familje jam një grua e cila jep maksimumin për të mbajtur ekuilibrat në drejtimin e familjes dhe rritjen e fëmijëve. Nuk është e lehtë por as e pamundur. Po të dish të vendosësh ekuilibrin e duhur midis karrierës dhe familjes, çdo gjë është e realizueshme. Megjithatë asgjë nuk vë përpara familjes kur është fjala për çështje të rëndësishme. Nuk e lë kurrë atë pas dore për shkak të karrierës. Në rastin tim: familja ime më ka përkrahur që në ditët e para të punës time dhe e kam pasur pranë në çdo moment të vështirë që mund të kem kaluar. Ky është çelësi i suksesit tim.

I ndani ju bisedat e punës brenda në familje? Sa e rëndësishme është për ju të merrni mendimin e bashkëshortit?

Në shumicën e rasteve i mbaj larg problemet e punës nga familja. Preferoj t’i lë jashtë derës së shtëpisë çështjet që i takojnë punës. Kohën që kaloj me fëmijët dëshiroj ta shfrytëzoj maksimalisht për të folur me ta. Por sigurisht, ka raste kur është e paevitueshme biseda rreth punës me bashkëshortin. Shumë vite bashkë kanë bërë ta njohim njëri-tjetrin dhe të dallojmë shenjat e shqetësimeve edhe kur nuk i tregojmë. Kjo bashkëjetesë na ka dhënë pjekurinë për të respektuar mendimin e njëri-tjetrin, brenda diskrecionit dhe besimit që ushqejmë te njëri-tjetri. Sigurisht, mendimi i tij në raste të caktuara është shumë i rëndësishëm.

Studimet e viteve të fundit e shohin femrën me vlera të mëdha në shoqëri, parë sidomos në veçantinë që e karakterizon atë sa i takon zgjidhjes së situatave falë intuitës dhe …..

Pa diskutim, femra për shkak të natyrës së saj është një katalizator në shoqëri dhe si e tillë, roli dhe pjesëmarrja e sa më shumë grave në aktivitetin e përgjithshme, social, administrative, politikbërës, artistik apo kulturor nuk bën gjë tjetër veçse siguron harmoni dhe bashkëpunim të përsosur. Në mjediset e punës ku ka femra edhe meshkujt sillen ndryshe, ndjehet dukshëm ndikimi pozitiv i pranisë së saj, përpos faktin që gruaja e lindur për të qenë nënë ka aftësi të veçanta në zgjedhjet që bën dhe zgjidhjet që ofron. Por kurrsesi nuk dua ta shoh të qenin grua si përparësi për t’u favorizuar në raport me burrin. Për mua ka rëndësi formimi, edukimi i marrë, personaliteti që shfaq dhe profesionalizmi që gëzon në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të mi pa dalluar faktin nëse janë burrë apo grua. në jetën time profesionale kam njohur burra me intuitë të shkëlqyer ashtu sikurse edhe gra të tilla. Megjithatë burrat kanë çfarë të admirojnë te femrat në detyrë dhe përgjegjshmëria, thjeshtësia dhe besimi që një grua trajton një tematikë është shembulli më i mirë që mund të marrë një burrë.

Ju si Sonilë ke falënderoni në ecjen tuaj në karrierë, “ndihmën e vogël” apo veten tuaj?

U jam shumë mirënjohëse çdo kolegu apo kolegeje, çdo shoku apo shoqeje, prindërve tanë që na kanë ndihmuar të rrisim familjen tonë të vogël, çdo personi që ka besuar te personi im, te përkushtimi im në detyrë dhe te serioziteti me të cilën jam përpjekur të punoj nga dita e parë e punës kur sapo kisha dalë nga bankat e fakultetit të drejtësisë deri më sot. Asgjë nuk arrihet e vetme, puna në grup është me siguri promotori i të gjithëve në karrierën e tyre. Askush nuk mund të eci përpara vetëm, por shumë mund të shkojnë larg duke dhënë besim dhe duke ndarë dhe marrë përgjegji të mëdha mes njëri-tjetrit.

Keni dy djem. Cilin keni të privilegjuar nga dy fëmijët, apo të “voglin e pleqërisë”?

Kemi dy djem, Mario dhe Heldi. Mario tashmë një djalë i rritur dhe Heldi që na jep ende gëzimin e një fëmije të vogël në familje. Vitet kalojnë shumë shpejt dhe të dy do rriten e do dalin në jetë. Unë ndjej që sot mall për fëmijërinë e tyre. Mario disi më i tërhequr, por shumë i mbarë, Heldi arrin të sigurojë çdo gjë që dëshiron falë ledhave të tij dhe buzëqeshjes së bukur që ka. Të dy janë të mrekullueshëm.

Në raport me fëmijët jeni mama autoritare apo liberale?

Nuk jam as autoritare dhe as liberale. U rri pranë në çdo aspekt të jetës dhe përpiqem t’i mbush me dashuri dhe t’i siguroj që familja është gjëja më e shtrenjtë për të cilin ia vlen të luftosh. Ata duhet të gjejnë oazin e qetësisë së tyre pranë njëri-tjetrit dhe të mund të mbështeten te njëri-tjetrin. Bisedojmë së bashku, ndajmë problemet, Heldi më tregon shpesh për shkollën, shokët, mësuesen, me Marion ndajmë dhe dëgjojmë me respekt njëri-tjetrin dhe përpiqem t’u gjendem pranë mes këshillave, vërejtjeve dhe besimit te vetja e tyre.

Cili prej tyre ndan më shumë kopshtin e tij sekret?

Mario ka trashëguar personalitetin tim, është mjaft diskret në gjërat e tij dhe ne të gjithë e respektojmë privatësinë dhe mendimin e tij. Jam e sigurt që kur të ketë moshën e duhur dhe rastin që ia vlen, të ndajë dhe kopshtin e tij sekret. Ashtu sikurse jam e sigurt që Heldi nuk do e frenojë dot dëshirën për të na folur dhe treguar.

Jemi në fund të bisedës, periudhë pushimesh. Ku keni menduar t’i kaloni?

Më pëlqen jashtë mase jugu i Shqipërisë për të kaluar pushime të qeta. Jam e prirë të udhëtoj shumë me makinë për të zbuluar vende të reja. Më pëlqen deti Jon dhe dielli përvëlues ashtu sikurse më tërheqin bujtinat e tipit agroturizëm, ku kaloj disa ditë të këndshme mes kulturës vendase dhe ushqimit tradicional. Pushimet e mia janë të lidhura fort midis një libri të bukur, diellit dhe natyrës përreth.

Botuar në revistën Psikologjia nr.98

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top