Pandi & Bledi Laço. Ndajnë mes tyre tipare të përbashkëta deri në detajet më të parëndësishme. Por, janë gjithashtu krejt të kundërt me njëri-tjetrin. Sakaq, çfarë i bashkon, veç të qenit vëllezër… punojnë bashkë. Laçot thonë se nuk e kanë pasur fare të lehtë ndarjen e gjithçkaje që duhet bërë, pavarësisht se kontributi i tyre është pëlqyer dukshëm në publik. Pas kuintave, dhomave të montazhit apo edhe tavolinës mes miqve të ngushtë me të cilët ndajnë idetë, vëllai më i madh, Pandi, tregon se ‘përplasjet’ mes tyre kanë qenë aq të dukshme, sa në sytë e të tjerëve janë parë thuajse me çudi. Dy njerëz, rrjedhim i botës së artit, e për më tepër që artin e kanë pasionin e jetës së tyre, duket se bashkohen vetëm këtu. Natyra e tyre jashtë profesionit është e kundërta e fasadës shembullore “dy vëllezër të pandarë”. Pandi si skenarist dhe Bledi si regjisor gjatë detyrës ndajnë të njëjtat sekrete, ndërsa në jetën e tyre, përtej saj, nuk tentojnë të ndajnë më gjë. Ekuilibrin për ta bërë gjithçka mirë e kanë gjetur falë fatit që, veç kolegë, janë edhe vëllezër. Por, siç shprehet Pandi, të qenit pozitiv është shumë më e rëndësishme në një marrëdhënie. Dhe ata, për hir të së vërtetës, kanë arritur ta vendosin këtë ekuilibër, pavarësisht se gjatë intervistës vëllai i madh rrëfen se një gjë e tillë për të dy nuk ka qenë e lehtë.
A ka pasur mosmarrëveshje në kohën e adoleshencës apo periudhën kur ishit bashkë në të njëjtën çati?
Sigurisht që kemi pasur mosmarrëveshje, sidomos kur unë isha adoleshent 15-16 vjeçar dhe Bledi 10-11. Por ato nuk kanë qenë për gjërat personale si librat, sendet, veshjet apo raftet. Megjithëse dy meshkuj, karakteristikë e të cilëve është shpesh mungesa e rregullit, nëna jonë, si një grua korçare e tepër nikoqire, ka qenë një njeri i veçantë, që gjithmonë na ka imponuar rregull. Mosmarrëveshjet kanë qenë kur ne duhej të rrinim bashkë, ose unë duhet ta shoqëroja diku Bledin (si më i vogël që ishte). Mundohesha ta mbaja larg, jo vetëm problemeve të mia, por edhe larg fizikisht. Më dukej sikur një fëmijë mund të më krijonte probleme në raport me shoqërinë, rrethin që frekuentoja. Më dukej sikur shokët do më thoshin “Po ky ç’do me ne, ne kemi të tjera interesa”. Për sa i përket problemeve të zemrës, kurrë nuk janë përzier gjëra të tilla në marrëdhënien tonë. Asnjëherë s’e kam pyetur, asnjëherë s’ka kërkuar këshilla, madje edhe kur mora vesh që Bledi gati 16 vjeç kishte filluar duhanin (unë s’kam qenë amator i tij). Kurrë s’i jam imponuar që ta linte. Tani them që kam bërë gabim, po ja që kështu ka qenë marrëdhënia jonë.
Si e keni gjetur ju ekuilibrin?
Ekuilibri ynë është ai që kanë dy vëllezër, që në fund të fundit përpiqen për të mirën e gjithçkaje. Të qenit pozitiv është shumë e rëndësishme në një marrëdhënie. Ne, për hir të së vërtetës, ekuilibrin në marrëdhënien profesionale që kemi nuk e arrijmë lehtë. Përkundrazi, ata që na njohin, që kanë punuar me ne, kanë përjetuar debate dhe “sherre” jo të vogla mes nesh. Dhe kjo për shkaqe edhe banale, edhe për ide të kundërta, për gjëra fare të vogla. Po kjo për hir të së vërtetës ndodh dhe ka ndodhur vetëm për arsye pune. Asnjëherë për çështje vëllazërie apo pronësie siç ndodh edhe shpesh të dëgjojmë.
Cilat janë ato vese, të cilat ende i shikoni te vëllai juaj, sikundër dhe ju në marrëdhënie me të?
Askush s’është perfekt nga ne! Unë si vëllai i madh, mundohem të jem dominues në këtë marrëdhënie pune, duke harruar shpesh që ai është regjisori dhe është ai që firmos në çdo produksion televiziv. Me regjisorët e tjerë kur kam punuar, ky fenomen nuk ndodh. Nuk jam ky që jam me tim vëlla. Po edhe Bledi ka të vetat, kokëfortësi shpesh e pajustifikuar, mbase edhe atëherë kur nuk duhet. Kompleksi se është vëllai i vogël e bën shpesh të vështirë. Veset nuk na mungojnë, po për fat ato që kam unë, s’i ka Bledi, kështu që ekuilibri arrihet me pak sforco. Përveç kësaj, në marrëdhënien tonë profesionale, ka edhe bashkëpunëtorë. Një i afërt është Adrian Hila, i cili në rastin tonë është më shumë se koleg. Ka kaq vite që bashkëpunojmë, sa na njeh me dhëmbë e dhëmballë dhe jo pak herë ndërhyrja e tij ka qenë vendimtare, nëse fiton njëri apo tjetri mendim.
“Të jeni vëllezër nuk do të thotë të keni të njëjtat qëllime, interesa… me pak fjalë, nuk do të thotë të jeni identikë”, pohon një psikologe. Si e keni rigjetur pajtueshmërinë dhe harmoninë?
Sigurisht që kështu është. Jo vetëm që nuk jemi identikë, por jemi shumë të ndryshëm madje, shpesh të kundërt. Me përjashtim që kemi të njëjtin profil pune; qëllimet dhe interesat jashtë artit dhe televizionit mendoj i kemi të ndryshme. Bledi ka tjetër ritëm dhe e ndërton ndryshe axhendën e ditës. Unë kam të tjera pasione. Ai është më i dhënë pas teknologjisë, elektronikës, unë më tepër pas udhëtimeve. Megjithatë, harmoninë s’është vështirë për ta gjetur, sidomos në këtë sferë që ne punojmë. Të dy synojmë të bukurën, që nëpërmjet saj të kemi sukses; të dy nuk kënaqemi me pak, jemi në kërkim… kështu pajtohemi dhe harmonia lind vetvetiu.
Sot që flasim nga një këndvështrim i ri në jetën tuaj, të dy prindër, me background për t’u vlerësuar, si është e ndërtuar marrëdhënia juaj? Dialogu në funksion të një raporti në një punë të përbashkët. Si e menaxhoni gjithë këtë?
Të dy prindër, ai i dy djemve, unë i dy vajzave, edhe këtu ndryshojmë apo jo? (qesh) Për sa i përket background-it, ka diçka të veçantë kjo marrëdhënia jonë artistike. Bledi vjen nga një shkollë krejt artistike (regji në Akademinë e Arteve), unë, Gjuhë-Letërsi e Gazetari. Më pas ai punonte me informacionin, emisionet sportive dhe ndeshjet e futbollit, unë nga eksperienca në redaksinë e programeve artistike në TVSH dhe bashkëpunime me regjisorë me përvojë, mes të cilëve Vera Grabocka. Por ja që një ditë u bashkuam në TV Klan, dhe pothuaj rastësisht realizuam një program televiziv që atëherë pati shumë sukses. Së bashku me Agron Llakajn, “TV Titaniku” ishte gati një telefilm humoristik që edhe sot mbetet një produksion i mirë artistik. Kjo ishte puna jonë e parë. Më pas erdhën realizime të tjera. Dialogu është shumë i domosdoshëm, natyrisht edhe debati, po nganjëherë e kalojmë masën. Janë thyer celularë, tastiera kompjuterësh, bashkëkolegët tanë e dinë mirë. Nuk e ekzagjeroj, dhe për më tepër që këto nerva s’kanë lidhje me atë që quhet nerv artistik. Por mbase ky sinqeritet mund t’u vlejë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë që ta menaxhojnë më mirë marrëdhënien.
Shumë projekte të rëndësishme dhe pozitive për publikun. A ka rregulla mes jush dhe cili është çelësi i suksesit të bashkëpunimit tuaj edhe në profesion?
Nuk ka rregulla të qarta. I vetmi rregull është punë, punë dhe punë përkushtuar. Një profesion tjetër ndoshta merr 8 orë pune në ditë, ky i yni shumë më tepër. Nuk ka orare, nuk ka rregulla, ka sakrifica ashtu si çdo profesion tjetër. Por ama ka diçka shumë pozitive. Që të jep kënaqësinë që shumë profesione nuk ta japin. Është kënaqësia që merr kur në ekran sheh diçka që publiku e pëlqen, teleshikuesi argëtohet. Kënaqësi ka qenë “Gjeniu i vogël”, kur ti sheh se po zbulon talente. “Këngët e Shekullit”, kur ti sheh se po i shërben kulturës së vendit tënd dhe kur sheh se sa konsumohet ky produkt artistik që ti ke realizuar. Kënaqësi ka qenë “Histori me Zhurmues”, një program që i shërben memories dhe historisë së një kombi.
A mendoni se media dhe profesioni ju mban të lidhur dhe vetëm aty shihni pika takimi mes njëri-tjetrit, apo kjo gjë ndodh edhe në jetën tuaj private?
Nuk e di sesi do të ishte jeta jonë po të mos ishim kolegë në media. Ndoshta në jetën private do të ishim të lidhur më shumë, po fakti që ne jemi gati gjithë ditën bashkë, bën që në jetën private të jemi të lidhur aq sa ç’janë dy vëllezër në moshën tonë. Në pushime p.sh, rrallë ndodh të jemi bashkë.
Dikur jeni shprehur në një intervistë se babai juaj është “personi që e kalçifikon marrëdhënien tuaj si vëllezër”. Sa e vërtetë është kjo dhe a mund të na jepni disa detaje?
Kjo është e vërtetë. Babai është faktor në marrëdhënien tonë. Kur është ai, ne konsumojmë ato pak probleme familjare që kemi. Ai na lidh me origjinën, na bashkon në Dardhë të Korçës, në shtëpinë ku shpesh pushojmë, atje ku ndodh ndonjëherë të stakohemi sadopak nga makinatelevizion dhe të vijmë në një realitet tjetër për t’u marrë me punët e thjeshta të një shtëpie fshati, si duhet riparuar, çfarë duhet ndryshuar, etj. etj.
Si mendoni, ku qëndron suksesi i marrëdhënies suaj, në raportin vëllazëror apo në raportin si kolegë në shumë projekte të suksesshme televizive?
Një nga çelësat e suksesit është të dish të mbash marrëdhënie me njerëzit që punon, me stafin televiziv, me stafin teknik. Të mos harrojmë që të realizosh një program duhet të punosh me dhjetëra profesionistë të tjerë. Përveç këtyre, duhet ditur të mbash marrëdhënie me artistët që bashkëpunon. Artistët janë të vështirë, por duhet të përpiqesh t’i ndërtosh marrëdhëniet me ta. Nuk pretendojmë që ne jemi perfektë, po psikologjia ka jo pak rol në këto marrëdhënie. Në fund, një punë e dedikuar me orë të zgjatura në kërkim të më të mirës.
Psikologji Shkurt 2011
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.