Marrëdhënie

April 6, 2016 | 7:20

Dëshmi/ Violeta Gjoka: Kam qenë nënë e rreptë me time bijë

Nuk është vështirë të bëhesh prind, por vështirë është të jesh prind. Në fakt ky është një perifrazim që shumë prej çifteve japin sa herë që kryen sondazhe në lidhje me marrëdhënien prind-fëmijë. Një modelim i ri i jetës që ke bërë më parë. Një tendencë për të riparuar gabimet e prindërve e deri diku, një shkollë e re që pret t’i japësh fëmijës tënd gjatë procesit të rritjes së tij. Por sa e vështirë është e gjithë kjo? A ka arsye për të qenë të “fortë” e njëkohësisht tolerantë në sjelljet me fëmijën? Sa mund duhet që krijesa jote të dijë të ndërtojë ekuilibrat në raport me jetën? Në rrëfimin e tyre, personazhet tanë tregojnë se misioni prindfëmijë ka problemet e veta. Ndryshimet si breza, në karaktere, veçori që nuk janë aspak të lehta për t’i kapërcyer.

Violeta Gjoka është një grua e fortë, një grua që di t’i bëjë ballë vështirësive dhe të kalojë pengesa që jeta të përball. Në nënë dhe një baba që për fëmijën e tyre do të jepnin gjithçka për ta bërë të zot në jetë. Violeta, gazetarja e njohur e një brezi të shquar të televizionit publik shqiptar, njëkohësisht nëna e një prej vajzave të njohura të ekranit të pas ’90 Enxhi Ninit, rrëfen se në raportin që ka me të bijën përveç dashurisë ekziston dhe një marrëdhënie ku primare është komunikimi. “Në lidhjen tonë ka përkushtim, sinqeritet. Me kalimin e viteve ky raport ka ndryshuar. Enxhi është rritur, ndjehet më e pavarur në jetë, megjithëse po ta pyesësh ajo mendon të kundërtën”, tregon Violeta. Prezantuesja e ekranit vlerëson në sjellje me të bijën, gjuhën e nënës që ka arritur të përdorë kur bëhet fjalë për edukimin, deri në personalitetin që ajo duhej të shfaqte. “Si nënë, jam përpjekur t’i fal gjithë dashurinë time. Jam munduar të kuptoj të gjitha nevojat e saj që kur ishte fëmijë, të kuptoja personalitetin e Enxhit, të sillesha si fëmijë për të krijuar një imunitet mbrojtës për vajzën time në këtë drejtim. Këtu fillon ndarja e madhe e rrugës që fëmija do të marrë, në kuptimin që do të bëhet tekanjoz, i paedukuar, egoist, apo një fëmijë i mbarë dhe i arsyeshëm”, cilëson Violeta. Në barazinë me të drejta të “plota” Violeta ka arritur të transmetojë tek Enxhi rëndësinë që kishte lidhja e tyre përmes gjuhës që ajo ka përdorur me të bijën e vetme të saj.

***

Por si çdo grua e re, për herë të parë nënë, ajo kurrsesi nuk do ta kishte të lehtë të sillej në çdo moment mirë me Enxhin. E rritur sikundër e vetme nga nëna, në moshën tetë vjeçe kur humbi babanë, Violeta arriti të përftonte një model deri diku të ngjashëm prej mamasë së saj. “Sillem në një mënyrë që mendoj se është e mirë për vajzën. Sigurisht që pikë referimi kam pasur nënën time. Por them se shpesh herë nënat dhe gabojnë, duke e tepruar me kujdesin e tyre. Por mbeten nëna gjithnjë. Unë nuk e kam llastuar vajzën time. Mund t’ju them se jam treguar e rreptë në momente të caktuara por kam dhënë gjithnjë dashuri me bollëk, ngrohtësinë dhe vëmendjen maksimale ndaj bijës sime që asaj të mos i mungonin këto cilësi thelbësore të jetës”, thotë Violeta. Të qenit prind në të dyja anët e medaljes, për të ishte mjaft e vështirë. E ka konsideruar dhe vazhdon të bëjë një gjë të tillë, si përgjegjësinë më të madhe të njeriut në të gjitha kohërat. “Përveç kënaqësisë që më jepte ajo si fëmijë, pjesa tjetër ka qenë një kalvar i vërtetë për vetë kohët që kemi kaluar. Ishin kohë të vështira e të zymta për një grua. Ajo që mund të them është se nga e gjithë kjo kohë jam bërë më këmbëngulëse e më e fortë”. Vajza e saj Enxhi Nini me profilin e krijuar artistik ka mundur ta gëzojë mamin me arritjet e saj. Deri në La Scala të Milanos ka arritur, ku për mjaft artistë shqiptarë duket si një lule mos më prek. Ky fat dhe e gjithë kjo udhë për t’u vlerësuar, për vajzën e Violetës, është si një lloj shpërblimi që fëmija i “detyrohet” prindit. Enxhi është një violiniste e talentuar me të cilën, disa prej këngëtarëve të famshëm italianë, kanë preferuar të kenë bashkëpunime, që nga Renato Zero e deri te Gigi D’Alessio. Për Violetën, Enxhi është e kompletuar tashmë dhe ndihet mirë kur sheh guximin e së bijës dhe vlerësimin që ajo shfaq nga rruga e gjatë që kanë bërë të dyja.

Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top