Mirëqenie

July 21, 2016 | 7:05

Dëshmi/ Virgjil Kule: Leximi përmirëson cilësinë e jetës!

Shoqëria jonë ka nevojë absolute për lexim në të gjitha fushat, sidomos në ato historike, filozofike, të biografive, përgjithësisht të librave të shquar që promovojnë vlerat universale të njerëzimit. Përkufizimin e asaj çka vjen përmes leximit, i cili si i tillë shërben edhe si një terapi çlodhëse e motivuese, Virgjil Kule e zgjeron edhe më tej kur thotë se, leximi të jep mundësi të pakufishme për të kryer procesin kulturues të verifikimit të mendimeve dhe arsyetimeve të tua. Pra, sipas tij, leximi e ‘pjek’ personalitetin e individit. Leximi, thotë Kule, nuk bëhet thjesht për të kaluar kohën, por është pjesë integrale e procesit të civilizimit dhe të vetëdijesimit të njerëzve për rolin e tyre në shoqëri…

Biblioterapia apo shërimi përmes leximit. Si ka funksionuar te ju?

E kam konsideruar gjithmonë librin si mënyrë jetese dhe jo si terapi të kufizuar në momente të veçanta krize fizike apo shpirtërore. Biblioterapia është një terapi që funksionon, madje shumë mirë. Veçse jo çdokush mund “të shërohet” nëpërmjet leximit. Duhen ca kushte paraprake: mund të shërohen ose të lehtësohen nëpërmjet leximit ata që e kanë krijuar refleksin e të lexuarit, refleksin e gjetjes së përgjigjeve te librat e mirë për problemet ose ankthet që i mundojnë. Një fushë e tillë për mua ka qenë historia dhe, e ngushtuar më tepër, historia e Skënderbeut. Në fillim ngrita pikëpyetjet, pra krijova terrenin e kërkimit. Pastaj fillova leximin, që shoqërohej nga një ndjesi eksplorimi në rritje. Leximi më dha disa përgjigje për pyetjet që kisha ngritur. U krye një proces intensiv i zënies së trurit me punë konkrete. Kjo quhet ergoterapi.

“Kush jeton, jeton jetën e vërtetë; kush lexon, jeton edhe jetën e të tjerëve”, thotë shkrimtari Ferdinando Camon. Sa ju përngjet ky përcaktim?

Nëpërmjet librave e kam përsosur mekanizmin tim të induksion-deduksionit, pra kam mundur të zhdërvjelltësoj analizën nga e përgjithshmja tek e veçanta dhe anasjelltas. Thënë ndryshe, leximi më ka dhënë mundësi që të mos e ndiej të nevojshme t’i përjetoj në vetë të parë të gjitha situatat për të kuptuar dhe shpjeguar thelbin e tyre. Veç kësaj, leximi të jep edhe mundësi të gjithanshme për të njohur tipat dhe karakteret e njerëzve e për të mbajtur qëndrimet përkatëse ndaj tyre. Kur je i pajisur me përvoja jetësore nga leximet, e ke të lehtë që në rast se krijohet një ekuacion me një ose dy të panjohura. Figurativisht kjo quhet “matematika e jetës”, e cila, si çdo shkencë tjetër, kërkon ushtrim. Leximi është ushtrimi më i mirë për të përvetësuar matematikën e jetës.

Të lexosh është një mënyrë e rëndësishme për t’u kujdesur për veten, shkruan i madhi Borges, sepse çdo libër është një univers…

Borgesi me shumë finesë i bën jehonë Platonit, i cili ka thënë se muzat na e dhanë artin jo për kënaqësi të paqëllimtë, por si një mjet për të akorduar telat e shpirtit kur ato na çakordohen dhe na pezmatojnë harmoninë tonë të brendshme. Jo më kot Apolloni është konsideruar njëkohësisht edhe perëndia e poezisë dhe i shërimit dhe, jo më kot, në Greqinë antike spitalet apo shtëpitë e kurimit ndodheshin thuajse gjithmonë pranë teatrove. Si shembull mund të merret qyteti i lashtë i Epidavrosit, ku shfaqjet dramatike konsideroheshin si pjesë e protokollit të terapive shëruese. Në ditët e sotme të tilla kombinacione i gjejmë në Indi, ku të sëmurëve me kancer u bëjnë një terapi intensive psikologjike duke u shfaqur dy tragjedi dhe një komedi çdo ditë. Por librat dhe arti nuk shpëtojnë gjithmonë jetë njerëzish. Shkrimet mbi holokaustin nuk e penguan shkrimtarin dhe kimistin hebre-italian, Primo Levi, që të kryente vetëvrasje shumë vonë pas holokaustit, më 1987. Madje nobelisti hebre Ellie Wiesel tha se Primo Levi, në fakt, kishte vdekur në holokaust që 40 vjet më parë. Po kështu leximi, ose më mirë leximi së prapthi i Vargjeve Satanike të Salman Ruzhdies, çoi në vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Megjithatë, forca e letërsisë për të shëruar e tejkalon shumë herë kapacitetin e saj dëmtues.

Sa nevojë ka shoqëria jonë për të qenë më e ndërgjegjshme ndaj leximit?

Çdo shoqëri e civilizuar dhe çdo individ nuk mund të ecë përpara pa lexim. Disa herë kisha vrarë mendjen për t’u gjetur një përcaktim përgjithësues situatave politike, shpesh paradoksale, që kalon vendi ynë. Një ditë zbulova se dikush e kishte shprehur tamam siç mund t’i përshtatej arsyetimit tim. Ky ishte një ambasador i huaj, i cili kishte bërë këtë përcaktim: “Situata torturuese për logjikën!”. Çfarë ndodhi në këtë rast? Dikush tjetër, që mund të jetë një person apo një libër, më dha mundësinë që të gjeja kostumin përkatës për të veshur e përmbledhur mendimin tim. Shoqëria jonë nuk dallohet për ndonjë etje të madhe për lexime të kualifikuara. Rrjedhimisht, ka një numër të madh njerëzish që nuk ia kanë dhënë asnjëherë vetes mundësinë e vetëverifikimit nëpërmjet leximeve. Kjo quhet injorancë, e cila reflektohet te naiviteti dhe nganjëherë brutaliteti në marrëdhëniet midis njerëzve, te fjalori i varfër i bisedave, te temat dhe idetë e vjetruara, te mbizotërimi i reflekseve bazike të komunikimit, te besimi i tepruar ose mosbesimi absolut në propagandat elektorale, te lulëzimi i legjendave urbane. Shoqëria jonë ka nevojë absolute për lexim në të gjitha fushat, sidomos në ato historike, filozofike, të biografive, përgjithësisht të librave të shquar që promovojnë vlerat universale të njerëzimit. Leximi nuk bëhet thjesht për të kaluar kohën, por është pjesë integrale e procesit të civilizimit dhe të vetëdijesimit të njerëzve për rolin e tyre në shoqëri. Ai të imunizon nga të papriturat që ofron jeta si në planin individual, ashtu edhe në atë komunitar. Dhe imuniteti i fortë është mirëqenie. Këtë fakt institucionet e edukimit duhet t’ua bëjnë të ditur të rinjve, në mënyrë që ata të mësohen e orientohen për kah librave për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të jetës. Pra, vlera e leximit duhet paraqitur në aspektin e saj si kusht për jetë cilësore, dhe jo thjesht në aspektin hedonistik.

Botuar në revistën Psikologji, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top