Në fokus

December 30, 2017 | 8:15

Dëshmi/ Xhejn Kumria: Njerëzit e bashkuar janë gëzimi i festave!

Nga Orjona Tresa

Festat janë gjithmonë një arsye më shumë për të marrë dhe përcjellë mesazhe pozitive. Të qenit “fëmijë dhjetori” i gëzohet edhe më shumë kësaj periudhe të shënuar, ku padurimit i shton gjithaq grimcat pozitive që fundviti sjell. Për kantautoren e talentuar, Xhejn Kumria, “jo më kot quhet muaji më i mirë i vitit. Njerëzit janë më të ngrohtë, sikur ka më shumë shpresë, më shumë dashuri për njëri-tjetrin, ose të paktën, disa mallëngjehen më shumë gjatë kësaj periudhe”.

1

2Çfarë janë për ju festat e fundvitit: frymëzim, dëshirë për të qëndruar pranë njerëzve të zemrës, mirësi?

Edhe pse pothuajse gjatë 24 viteve të mia, kjo është hera e dytë që do t’i kaloj festat larg familjes dhe kjo do ta bëjë dyfish më emocionale mbase këtë fundvit. Për mua, ky muaj dhe festat simbolizojnë periudhën e ndryshimeve të mëdha, qoftë shpirtërore, personale apo dhe profesionale. Qëllime të reja, mësime të reja etj. Le të themi, frymëzim për të shënuar në kalendarin e ri arritje të reja në aspektet e lartpërmendura.

Bëni dhurata apo i prisni ato? Ku qëndron, sipas jush, simbolika në të dyja rastet? Kanë ato domethënie për ju?

Po ta marr në këndvështrim të përgjithshëm, shumica në Shqipëri s’e kanë të praktikuar traditën e dhuratave dhe kjo gjë fillon që nga zanafilla e gjithë gjësë, ekonomia, që prapë s’është aspak justifikim, pasi dhuratat jo domosdo janë gjithnjë materiale. Në përgjithësi preferoj më shumë të bëj sesa të marr. Konkluzioni im është që të japësh, të bën të ndihesh shumë herë më mirë se sa të marrësh. Dhe mendoj që kushdo që ka mundësi, duhet të drejtohet tek ata me më pak. Simbolika (unë i hyj pak thellë kësaj periudhe në çdo aspekt meqë ra fjala) është një nga misionet e njeriut, “sharing”, që po të ishte zbatuar 100%, do të jetonim në një botë më të lumtur e të paqtë.

A janë festat, sipas jush, reflektim mbi disa vlera?

Mendoj që janë reflektim, ashtu si për historinë e gjithë këtyre datave e duke kaluar në datat dhe vitet tona personale. Siç thashë edhe më lart, është periudha e shpresës, por uroj që për shumë të mos mbetet vetëm e tillë, por edhe me lëvizje. Mendoj që duhet shfrytëzuar atmosfera e ngrohtë që na falet çdo fundvit, për të qenë më në kontakt me veten tonë dhe për të finalizuar projektet, dëshirat që aq shumë duam, por mbase gjatë vitit s’kemi guxuar për t’i realizuar, qoftë prej ngarkesës, mungesës së guximit, kohës, madje qoftë dhe për t’i përpiluar ato, apo frikës ndaj të pamundurës. Ju merreni me muzikë, këndoni.

Ka vend në këtë periudhë për pushime të dëshiruara?

Muzika është ajo që po më mban të gjallë në çdo aspekt. Dhe pushimet e mia kanë qenë gjithnjë me muzikën të pranishme. Mbase as këtë vit s’do kem luksin të kem pushimet që çdokush do të ëndërronte, por duhet të jemi falënderues që, përpos gjithçkaje, kemi pranë njerëz të dashur. Në raste të tilla, miljet s’janë pengesë për të ndier atmosferën e duhur dhe dashurinë e njerëzve që gjithmonë të kanë rrethuar.

Çfarë ju lumturon për festa?

Më lumturon çdo detaj i kësaj periudhe, jo vetëm festat si festa. Duke përmendur më të paktat: që nga zhveshja e pemëve nga gjethet e vjeshtës, deri te veshja e tyre me dritat e qytetit, duke hyrë më pas më brenda dyerve të shtëpisë, te vendosja e bredhit, aroma e portokajve, mandarinave në tavolinë, përqafimet, të cilat sikur marrin tjetër peshë dhe duke ndalur kohën te 31-shi, ku çdo familje përbrenda do dëshironte që si ajo natë të ishte çdo natë e vitit, paçka asaj që shtrohet në tavolinë. Ajo çka është e rëndësishme janë ata, njerëzit e bashkuar, urimet me sy kur gotat përplasen për të thënë: Gëzuar!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.115

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top