Në fokus

August 29, 2016 | 7:30

Dëshmi/ Xhulieta Keko: Miqtë janë ajri për mua!

Ajo është një femër e fortë. Që di ta zbusë dhimbjen, mërzinë dhe parehatinë e rrethanave të kohës. Ndoshta qëndrimi në dhé të huaj, ndoshta fati ia kanë lehtësuar të gjitha këto mbi supe. Bashkëshortja e të ndjerit Teodor Keko, shkrimtar, publicist e gazetar, Xhuli Keko, përpiqet të ruajë me kujdes fanatik të gjitha ngjarjet dhe miqësitë e saj të vyera. Pavarësisht rezidencës së saj në Holandë, retrospektiva e kthen herë pas here në kujtimet e bukura, me doza humori dhe jo vetëm. I mungojnë aq sa dhe vetë ajri, një liri e domosdoshme dhe jetësore për të cilën vjen një moment kur ndjen se mezi pret të shkelë në tokën e vet. Për Xhulin: njeriu është aty ku ka zemrën!

 

INTERVISTA

Largimi juaj nga Shqipëria me sa jam e informuar, shënon mbi një dekadë. Si ka qenë kjo distancë për ju, marrë shkas që nga shkëputja me njerëzit më të dashur, mes tyre edhe miqtë ‘për kokë’?

Të tregohem e sinqertë është kjo pjesa që vuaj shumë, jo se i kam humbur miqtë por sepse më mungojnë, ende më e vështirë kur vijmë te njerëzit e familjes…. mami, vëllai, mbesa. Më beso, e kam të vështirë të bëj miq të rinj këtu në Holandë. Më duket sikur ‘tradhtoj’ ata të vjetrit dhe të vërtetët. Mua më pëlqen shumë një thënie e Ganthit: “Njeriu është aty ku ka zemrën, jo ku ka trupin”.

 

Miqtë, janë pjesë e jetës sonë në të mirë e në të keq. Me ta, ndajmë momente lumturie e momente hidhërimi. Sa e vështirë është t’i mbash fort lidhjet? Si veproni në të tilla raste?

Miqtë për mua janë si ajri, kuptohet, pa ajër s’ka jetë dhe unë s’e kuptoj ekzistencën time pa ta. Kur isha e vogël prindërit i kisha vazhdimisht jashtë dhe përpos motrës e vëllait, ishin shoqet ato që më plotësuan mungesën e madhe. Unë vij nga prindër, le të themi të rezervuar, shumë familjarë dhe më shoqëri të krijuara që në rini, jo shumë të zgjeruara, ndërsa familja e Dorit ishte krejt ndryshe. Kjo familje artistësh, ku kishte vend për miq të panumërt, zëvendësoi në njëfarë mënyre prindërit që më mungonin dhe ndikoi shumë në formimin tim (kur u lidha me Dorin isha 19 vjeç). Mendoj që këto dy faktorë kanë bërë që t’i kem shumë të çmuara miqësitë e mia.

 

Si e keni ruajtur përgjatë këtyre viteve shoqërinë tuaj?

Si e kam ruajtur shoqërinë, pyetje e bukur kjo, asnjëherë s’e kisha menduar më parë se si ka ndodhur por sigurisht pa ndonjë strategji të përcaktuar. Mendoj që mjafton të japësh dashuri, të dish të falësh dhe sigurisht t’i duash njerëzit ashtu siç janë. Në këtë moment më vinë në kokë shumë mendime por besoj që këto që përmenda janë kapilarët e një shoqërie rezistente. E vështirë mbase nuk është por do gënjeja po të thosha që është e thjeshtë, për më shumë që shoqëria ka dy kahje. Shpesh edhe kam zhgënjyer, edhe jam zhgënjyer, në përgjithësi nga shoqëritë e reja sepse sigurisht ato janë më delikate por edhe më pak të dhimbshme nëse do të të duhet të shkëputesh prej tyre.

 

Cilat janë mikeshat më ‘të vjetra’ në zemrën e Xhulit? Çfarë keni bërë për to apo keni marrë prej tyre?

Kjo sinqerisht është pyetja më e vështirë, po sikur të harroj ndonjërën?! Unë kam shumë shoqe dhe sigurisht nuk mund t’i dua të gjitha në të njëjtën shkallë, ose të paktën çfarë ndaj me secilën prej tyre nuk është e njëjtë, por di të të them se ndjehem me fat që i kam. Çfarë kam dhënë e kam marrë…po të përgjigjem me një shembull. Kur bisedoj ndonjëherë lidhur me këtë temë me të njohurit holandezë, u them se ne në Shqipëri nuk kemi nevojë për psikoterapi, unë për shembull jam shumë e hapur dhe i diskutoj problemet me shoqet e mia dhe po ashtu ato me mua, dhe kjo realisht ndihmon shumë. Sigurisht që këta më dëgjojnë me vëmendje dhe nuk më kundërshtojnë por nuk besoj se janë dakord me mua,(shaka kjo e fundit).

 

Ju kanë vizituar në rezidencën tuaj apo keni ardhur e i keni takuar bashkërisht të gjitha në Tiranë?

Disa prej tyre më kanë vizituar por jo aq sa do të doja unë, sigurisht jo se u mungon dëshira. Unë mezi pres të vijë vera dhe të vi në Tiranë e të rri me to, aq sa mami shpesh mërzitet e më thotë që ti vetëm për shoqet vjen, e një çikë të drejtë ka dhe ajo por jo plotësisht (se këtë intervistën do e lexoj dhe mami). Sigurisht mblidhemi kur jam në Tiranë dhe është vërtet kënaqësi, përpiqem të marr dozën ‘miqësi’ në sasi sa më të mëdha sepse më duhet për gjithë dimrin që kam përpara, por sinqerisht asnjëherë nuk më mjafton. Shpesh ndodh që nuk arrij t’i takoj të gjithë dhe iki me një lloj dhimbje nga Tirana, premtoj që nuk do e përsëris më, por…

 

A është fanatike miqësia juaj? Keni nostalgji për periudhën kur keni shënuar miqësitë e reja? Si ishte atëherë dhe si është sot?

Unë miqësinë e konsideroj gjithnjë si një dashuri, që është e bukur si vetë dashuria, që ka trajektoren e saj: ka një pikënisje, një kulm dhe më pas kalon në një tjetër dimension, ose të qenit pjesë e jetës tënde ose të përfundimit të saj. Nostalgji kam për miqësitë e vjetra, për të rejat duhet të më pyesësh ca vite me vonë. Ekziston një miqësi e përjetshme sipas jush? Po ne a jemi të përjetshëm?!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.82

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top