Shqipërisë prej disa kohësh i është shkëputur një tjetër yll në ngjitje. I përket botës së artit, baletit. Tashmë karriera e saj po përvijon në kontinentin e largët amerikan, një zgjedhje e denjë për të realizuar edhe më shumë ëndrrat e thurura në fëmijërinë e saj. Adela Lami, balerinë e njohur, në këtë rrugëtim të ri të jetës së saj, vlerëson se gjithçka është duke e bërë për atë që ajo do më shumë, baletin. Në këtë rrëfim të sajin, Adela pohon se i është mirënjohëse modelit të të parëve, të cilët e kanë edukuar mbi të gjitha me vlerën e punës, ndërsa ajo e ka gjetur këtë mishërim tek arti, të cilin e përfaqëson denjësisht.
Sa e vështirëson papunësia gjendjen psiko-emocionale të individit?
Të thuash shumë, përsëri ke thënë pak. Si një individ gjithmonë i përkushtuar pas karrierës dhe profesionit, për mua puna zë një nga vendet parësore në jetën time. Mungesa e saj prek thellë jetën e çdokujt, cilido qoftë statusi ekonomik i tyre. Puna nuk vështirëson vetëm gjendjen financiare, por vetëvlerësimin dhe statusin e individit në shoqëri.
E keni prekur këtë taban dhe çfarë keni mësuar prej saj?
Fatmirësisht, jam punësuar që në moshë të vogël në profesionin tim, por punësimi është një sfidë e pafundme. Gjithmonë je në kërkim të një pune më të mirë dhe më frytdhënëse. Por fatkeqësisht kam pranë vetes njerëz që e kanë prekur këtë taban dhe kam kuptuar që papunësia nuk fal, sidomos në Shqipëri merr përpara më të paaftin dhe të aftin.
Sa e vështirë mund të duket për një femër përballë staturës mashkullore, çfarë keni mësuar nga puna dhe sa e rëndësishme është ajo për ju?
Ashtu si në çdo profesion tjetër dhe në balet femra ka më shumë disavantazhe në krahasim me një mashkull për shkak se, numri i meshkujve që bëjnë pjesë në balet është shumë herë më i vogël në krahasim me atë të femrave dhe si rrjedhojë, në një audicion që konkurron një femër dhe një mashkull, ky i fundit ka përparësi për të fituar punën. Siç e quajmë dhe ndryshe diskriminim pozitiv. Puna dhe karriera përbëjnë jetën time. Ndonjëherë më është dashur të marr dhe vendime të vështira, të cilat kanë sakrifikuar familjen time, si ai i vendimit për të jetuar në Amerikë, për shkak të punës më të suksesshme që më ofrohet.
Sa kohë shpenzoni për të?
Ka shumë shprehje në jetë që kur i lexojmë, i marrim për të mirëqena, por na duhet t’i provojmë me kalimin e viteve, që të kuptojmë vlerën e tyre sicc ka qenë për mua shprehja: “Zgjidh një punë që dashuron dhe s’do punosh asnjë ditë të jetës tënde”. Unë kërcej, sepse unë dhe baleti jemi një dhe nuk e di si mund të ekzistoja pa të. Dhe gjithashtu, po studioj një degë që e adhuroj (Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare) dhe i pres me padurim edhe vitet që do të punoj në këtë fushë. E dua punën dhe shpenzoj pjesën më të madhe të ditës me të.
Ju është shpërblyer mundi?
Jo gjithmonë, por ç’kuptim do kishte nëse do ndodhte. Ndonjëherë kur nuk marrim atë që meritojmë, bëhemi më të fortë dhe këmbëngulës. Kujt i jeni mirënjohës për edukimin ndaj punës si tipar i rëndësishëm për ekzistencën e njeriut? Stërgjyshit dhe gjyshit tim që më kanë mësuar rëndësinë e saj. Si dy njerëz të arritur në profesionet e tyre, më mësuan të bëja gjithmonë detyrën time nëse do doja që një ditë të merrja atë që meritoja, duke mos harruar që dhe fati, (ndonëse unë nuk besoj shumë në të), do të luante pjesën e tij, por edhe disiplina e hekurt e baletit që në vegjëli, më ka mësuar rëndësinë që ka puna dhe profesioni në jetën e njeriut.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.111
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.