Marrëdhënie

September 24, 2016 | 6:15

Dëshmi/Alberta & Artion Vreto: Pas çdo keqkuptimi, lidhja bëhet më e fortë

Fillimet në martesë shfaqin gjithnjë pakënaqësi mes çiftit, aq sa nisin debatet, të cilat prodhojnë edhe konfliktet. Të qenit tipa të kundërt, ka bërë që dhe ata ta shkelin këtë prag, ku mes hatërmbetjesh apo keqkuptimesh, situatat të kenë çuar në ngritje zëri apo mërish në heshtje. Jo gjithçka është perfekte. Ata e kanë gjetur të mesmen e artë. Çelësi për një martesë të gjatë është te qetësia. Në fakt është Artioni, ai që “zbut” shpirtin e Albertës, ndërsa një bashkëshorte si ajo e admiron këtë tipar, duke e vlerësuar si burim i forcimit të lidhjes.

Fillimet në martesë

Alberta: Në fillim kam vënë re gjërat e bukura, faktin që zgjoheshim çdo mëngjes bashkë dhe s’kishte nevojë të lije orar për t’u takuar, apo të parit e një filmi në mbrëmje, në divan, një zakon që na shoqëron ende dhe që s’ka kinema që e kompenson këtë pjesë.

Artioni: Nuk di t’ju them me saktësi se cilat ishin ndryshimet pas martesës, sepse ne kemi shumë kohë bashkë. Kur martohesh (sidomos në vitet e para) humbet liria individuale dhe shtohet më shumë përkushtimi ndaj partnerit dhe koha e kaluar me Albertën u shtua. Kjo është gjë e mirë, e bukur.

Të kundërtat bëjnë mirë

Alberta: Artioni përgjithësisht është i qetë, unë jam impulsive dhe kemi balancuar njëri-tjetrin mendoj.

Artioni: Çfarëdo që të ndodhë unë i marr gjërat me shumë qetësi. Berta është e kundërta, madje edhe për gjëra që mua nuk më bëjnë përshtypje fare. Jemi krejt të kundërt, ose më saktë kemi qenë, se pas kaq vitesh kemi marrë shumë nga njëri-tjetri. Ajo më ka ndihmuar shumë të eci përpara qoftë dhe profesionalisht, ndërsa unë e kam ndihmuar t’i marrë gjërat me më qetësi në jetë. Kjo gjë e ka konsoliduar mrekullisht lidhjen tonë.

Transparenca, çelësi i lidhjes

Alberta: Jemi përpjekur të jemi shokë me njëri-tjetrin. Kjo mendoj se ka qenë pika më e fortë që na mban shumë të bashkuar dhe na bën që çdo mendim ose detaj të ditës ta diskutojmë domosdoshmërisht bashkë.

Artioni: Berta është në fakt tipi që do të flasë dhe të diskutojë për çdo gjë, madje edhe për detajet më të vogla. Ashtu ka qenë që në fillim të njohjes sonë. I mendon shumë gjërat, i stërhollon me analiza pa fund, gjë që nuk ka qenë dhe nuk është tek unë. Unë “i pres më shkurt drutë”, por kur fillon biseda, si tolerant që jam, i shkoj pas fijes. Në përgjithësi, tani kemi një komunikim fantastik. Gjëja më kryesore që kemi është transparenca. Nuk ka sekrete mes nesh, të asnjë lloji. Ky them se është çelësi i marrëdhënies sonë.

Keqkuptimet…? Pa pasoja

Alberta: Nuk më pëlqejnë keqkuptimet. Sjellin tension dhe situata të pakënaqshme, po le të themi që pjesa më e bukur e tyre është kur pajtohesh, pasi ke sqaruar keqkuptimin.

Artioni: Më acarojnë keqkuptimet, më nervozojnë dhe nuk i duroj dot, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhënie. Kanë qenë të shumta gjatë historisë sonë, por fatmirësisht pa pasoja. Pas çdo keqkuptimi lidhja bëhet më e fortë, por krijohen edhe çarje, të cilat nuk mund të ngjiten kurrë. Kjo nuk ka ndodhur me ne, ndaj sot jemi bashkë dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Eh, grindjet…

Alberta: Grindjet e para kanë të bëjnë me oraret, pasi vijmë nga dy stile jete individuale për t’u përshtatur pastaj në një të vetëm. E mesmja e artë ishte pak e vështirë për t’u arritur. Oraret e vona të Artionit kryesisht, që do të rrijë me shokët; Orët që shpenzoj unë për shopping me shoqet, ndonjëherë edhe rregulli në shtëpi.

Artioni: Shkaku kryesor është ndryshimi i stilit të jetës. Jam dakord me shprehjen: “Gjithë jetën gratë mundohen të përmirësojnë burrat e tyre, dhe kur ata ndryshojnë, ato i thonë që nuk je më ai që kam njohur”. Pra, debatet më të mëdha lindin në cenimin e lirisë dhe stilin e të jetuarit. Nuk është e lehtë t’i bësh bashkë. Nuk e di, por mua më duket se gjithmonë grindjet i nis femra, gruaja. Kështu më duket se është edhe në lidhjen tonë. Sa për reagimet, varet nga dita. Personalisht mundohem t’i shmang në maksimum grindjet, sepse nuk dua që jetën time, ditën time, ta prishë asgjë. Aq më tepër kur grindjet mund të nisin për kotësi. Gjithmonë tërhiqem unë, se po të jetë për Bertën, ato nuk mbarojnë kurrë. (Shaka kjo).

Prindërit, mbështetës të jashtëm

Alberta: Kemi qenë me fat, pasi familjet vetëm na kanë mbështetur dhe nuk na kanë bezdisur. Kemi jetuar gjithnjë vetëm dhe kjo i ka bërë mirë lidhjes sonë.

Artioni: Prindërit tanë i kemi pasur dhe i kemi si shokë dhe ndikimi i familjeve në jetën e çiftit ka qenë zero. Për gjithçka vendosim. Sa i përket marrëdhënies me familjen e Bertës unë jam si fëmija i tyre. Më kanë njohur që në adoleshencë dhe kështu kemi kaluar shumë kohë bashkë, pasi unë familjen time nuk e kam në Shqipëri prej më shumë se 13 vitesh. Nga kjo anë, me shaka e them, nuk i është dashur Bertës t’i bëjë kafenë vjehrrit apo vjehrrës në mëngjes. Për jetën tonë kemi vendosur dhe vendosim vetëm ne të dy. Prindërit na kanë mbështetur, kush më shumë e kush më pak, me aq sa kanë pasur mundësi dhe u jemi mirënjohës për këtë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top