Zilia për të është “një mëkat i dobishëm”, fenomen që ka ekzistuar dhe vazhdon të qëndrojë gjatë gjithë kohërave, si një zinxhir i pazgjidhshëm. Në shoqërinë tonë, gazetarja e “Vila 24”, Androniki Kolka, zilinë e shikon si një “shërbim” për vazhdimësinë e suksesit. Por ka edhe çaste, vlerëson ajo, kur ngasja nga sukseset e dikujt tjetër të bëhet e volitshme, pikërisht si një shtysë për të ecur përpara në detyrat që i ke vënë vetes. Nga ana tjetër, tepria e smirës, shoqëruar me negativitet, sjell dëme të pallogaritura morale. “Personalisht e kam ndier zilinë jo vetëm në ambientet e punës, por edhe jashtë saj. Ndonjëherë ka qenë zili e mirë, sepse pavarësisht se nuk është shfaqur drejtpërdrejt, e kam kuptuar nga vështrimet, sjelljet, apo mënyra se si të tjerët janë pozicionuar ndaj meje. Gjithsesi, mendoj se zilia është në disa raste regres. Kryesisht në ato raste kur ajo bëhet pengesë e madhe dhe personifikohet më shumë me smirën. Në ambientin e punës aktualisht nuk kam ndier erë zilie apo smire, ose ajo mund të jetë aty vërdallë, por nuk më ka prekur negativisht. Ka njerëz që të thonë: ‘Të kam zili për mirë’, dhe kjo mënyrë veçse të inkurajon të ecësh më tej të realizosh objektivat e tua”. Për sa i përket rrethit mediatik ku jep kontribut, zilinë shpesh e sheh të “veshur” me kuptimin “ambicie”, ndonëse sipas Nikit ato qëndrojnë larg me njëra-tjetrën. Mirëpo, sado “e keqe” mund të jetë si ndjenjë, zilia nuk është tërësisht e padobishme, thekson Niki. “Jam munduar të shoh aspektin pozitiv të saj dhe të mirat që mund të sjellë te njerëzit që e kultivojnë si ndjenjë. Të kuptohemi, gjithnjë në përmasat e duhura. Pra, zilia për mua vjen si një mënyrë e mirë për të ecur përpara, për të ndryshuar dhe përmirësuar vetveten në disa aspekte. Edhe anasjelltas, nëse personalisht ndihem pak ziliqare kundrejt të tjerëve, këtë ndjenjë nuk e shoh si të keqe për tjetrin, por thjesht këtë ndjenjë mundohem ta vë në shërbim të ndryshimit tim, përmirësimit dhe arritjes së disa objektivave. Pra, mundohem ta vë atë në shërbim të vetvetes”.
Sipas Andronikit…
Është provuar dhe shembuj ka plot… Zilia është një ndjenjë e fortë dhe shpesh shkatërruese për atë që e kultivon. Mirëpo, kjo ndodh në rastet kur vetëvlerësimi është shumë i ulët. Kështu, në këto pozita, zemërimi ndaj atyre që janë më mirë se ty ekonomikisht, nga gjendja shoqërore apo situata të tjera, bën që zilinë ta kenë si mekanizmin e vetëmbrojtjes. Kjo mund të çojë deri në mbylljen në vetvete, të urresh të tjerët apo të përflasësh suksesin e tyre. E rëndësishme është të mos teprohet me zilinë, kryesisht me atë zili që vjen nga brenda dhe që është negative. Mes shoqeve ka më tepër zili, p.sh: zili për një veshje të bukur, për flokët, për linjat e trupit, për notat në shkollë, për një lidhje të mirë, apo pse jo edhe për një arritje të caktuar. Por femrat ndiejnë zili ndaj një tjetre edhe për kthjelltësinë në marrjen e vendimeve, qetësinë me të cilën shpesh ato arrijnë të ndërtojnë jetën, familjen, apo edhe thjesht u reflektohet si tipar i bukur në fytyrë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.81
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.