Anjeza Shahini këngëtare, përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë në Eurovizion në 2004 me “Imazhi Yt”, në Stamboll. Në 2005 firmos kontratë me një menaxhues artistësh në Vjenë. Rikthehet në 2007 me “Këngët e Shekullit 2” dhe “Kënga Magjike”. Në 2008 Anjeza nxjerr albumin e saj të parë “Erdhi Momenti” ndërsa vijon planet në pritje të realizimeve të reja artistike.
Më ndodh ndonjëherë të më kritikojnë për veshjen. Me shumë dashamirësi pranoj. Më pëlqen të marr mendime nga njerëzit, kam nevojë për ta. Do të isha mërzitur nëse ndonjë mike e imja do ta kishte bërë një gjë të tillë ndërkohë që unë nuk jam në veshjen e duhur
Në “magazinën” e veshjeve që ka, gjithherë e ka të nevojshme të ndryshojë gardërobën. Syri kritik nuk e lë asnjëherë të qetë. Ndërsa del para pasqyrës, nuk “ngopet” lehtë as me mundësitë që i ofrohen. Kërkesat kthehen në teka. Dyshimet rreth stilit apo përzgjedhjes së teshave e kanë një shkak. Pritshmëritë pas pragut të derës dhe fakti i të qenit publik. Mjaftojnë këto për t’ia vështirësuar zgjedhjen. Imazhi duhet të jetë i rregullt, i pastër dhe identifikues për një këngëtare si ajo. Anjeza Shahini e ka tejet thelbësore mënyrën e të veshurit, sjelljen, deri qëndrimin që duhet të tregojë në situata të ndryshme, pasi në profesionin e saj, i bie të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes. “E kam si parrullë”, thotë Anjeza: Po çfarë të vesh sot? Kjo më ndodh gjithnjë në mëngjes, pasi shoh orarin dhe jam bërë vonë. Mendohem, stresohem dhe më shtohen ankthet e përgatitjes. Kompleksohem më tepër para një koncerti apo pritjeje, por edhe në përditshmëri”. Për shkak se është dhe person i njohur, i duhet ta mendojë mirë se sa herë e ka veshur një fustan, apo ku i ka veshur ato këpucë e të tjera, dhe për çfarë. Dhe kjo është ajo që e sikletos dhe e bën të mendojë se sërish dollapi ka nevojë të plotësohet. Nisur dhe nga modeli i familjes, kryesisht nëna dhe dy motrat e saj, shpesh prehet te ato për të gjetur zgjidhjen e duhur. “Mamaja ime kurrë nuk ka dalë nga shtëpia, qoftë për të blerë bukë apo për të hedhur mbeturinat, pa qenë e rregullt. Gjithmonë kështu e kam parë. Kjo më ka ndihmuar shumë. Gjithashtu dhe motrat më të mëdha se unë, janë treguar të kujdesshme në estetikën e tyre. Duke parë ato, shoqërinë që më ka rrethuar, ambientin dhe rritjen time, kam ndryshuar”. Veshja në njëfarë mënyre është dhe identitet. Kontrolli i imazhit para pasqyrës, përse-të dhe pse-të e bëjnë Anjezën të jetë tepër e ndjeshme në përcaktimin e përshtatjes së stilit, kombinimit të ngjyrave dhe materialeve. Duke mos qenë stiliste, thekson ajo, maksimumi që mund të bëjë është të vërë në funksion stilet që ka përftuar gjatë rritjes së saj si artiste. “Maksimumi gjej kombinimet e vogla. Preferencë kam thjeshtësinë, por edhe atë që pëlqej te të tjerët më pëlqen ta bëj dhe te vetja. Jashtë skenës zgjedh veshjet praktike, sport, pse jo dhe me fustane”. Veshja për këngëtaren e re, ndikon dhe në aspektin e humorit. Siç rrëfen vetë Anjeza: Nëse kam veshur atlete filloj e bëj si djaloshare,vetvetiu, ndërsa kur vishem klasike më jep të kuptoj që veshja ndikon në qetësinë dhe stilin e sjelljes. Në skenë veshja që duhet të kem është shumë e rëndësishme. Ajo më bën të ndihem mirë dhe bukur me veten. Ata që më rrethojnë dhe ma thonë këtë, bëjnë që unë mos ta kem më mendjen te veshja, por te kënga”.
Botuar në revistën Psikologjia, Prill 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.