Në fokus

June 23, 2017 | 9:37

Dëshmi/Arjola Prenga: Viktimizmi, të “përdorësh” jetën për të përfituar

Emri i saj bart plot angazhime të rëndësishme në karrierën si volejbolliste me famë ndërkombëtare. Jo pak tituj ka marrë si përfaqësuese e shteteve të huaja, ndërsa për gjithë këto arritje ajo i është mirënjohëse punës së saj të palodhur dhe familjes, e cila, sipas Arjola Prengës, me besim dhe mbështetje i ka dhënë udhë rrugëtimit të saj sportiv. Natyrisht që i gjithë ky investim i fortë i ka mësuar se në jetë, të përballesh me sfida, është gjëja më normale, por t’i tejkalosh ato e ta lartosh emrin me punë, ndershmëri e sakrifica është meritë e pashoqe. Ja si e sheh ajo jetën, në një kapërcim të shpejtë e me pengesa sipas fokusit tonë:

untitled

Cili është angazhimi aktual i juaji dhe sa e vlerësuar ndiheni nga arritjet e deritanishme?

Momentalisht ndodhem në Turqi. Këtë sezon jam pjesë e klubit “Bartin Polisgücü Spor”. Kur punon gjithmonë, çdo ditë dhe çdo vit me të njëjtën disiplinë, përkushtim edhe seriozitet, sigurisht që do vlerësohesh, pavarësisht që të ndodhin edhe raste kur mendon se nuk po ndodh apo nuk po vjen ky shpërblim. Megjithatë, edhe në ato të pakta raste, mendoj të tregohem indiferente dhe të vazhdoj rrugëtimin tim, duke punuar edhe më shumë. Besimi dhe mbështetja e familjes e shoqërisë janë vlerësimi më i madh për mua.

Flasim për temën e fokusit tonë. Cili është opinioni juaj për viktimizimin? Është ai një lloj inferioriteti?

Eh viktimizimi! Gjithmonë kam qenë kundër personave që e shfaqin me qëllim ose jo. Duke u viktimizuar, disa njerëz mendojnë se është mënyra ose rruga më e mirë për të arritur qëllimet. E kanë më të lehtë të qahen gjatë gjithë kohës se sa të marrin timonin e jetës së tyre dhe të motivohen për të arritur objektivat. Nëse të tilla sjellje i kanë sepse ndihen inferiorë, përsëri analiza fillon nga vetja. Nuk ka arsye të ndihesh inferior apo i pasigurt përballë askujt për aq kohë sa ti e pranon veten tënde për atë që je, respekton dhe vlerëson ambientin ku punon. Jo gjithmonë do fitosh apo do marrësh vlerësim për atë që ke punuar dhe synon, por kjo nuk të ndalon t’i japësh forcë vetes dhe mundësish ta duash edhe më shumë. Ti i pari i jep guxim vetvetes, e mbështet dhe ndihesh krenar për atë që i ofron ambientit që të rrethon.

A është viktimizimi një lloj dorëheqjeje nga autonomia?

Siç u shpreha edhe më lart, disa me dashje apo pa dashje e zgjedhin si rrugën më të shkurtër ndaj suksesit apo qëllimeve viktimizimin. Dhe automatikisht, një viktimë jo vetëm dorëhiqet nga autonomia, por edhe nga të qenit vetja. Po shprehem bazuar rasteve që mund të jem ndeshur në shoqëri apo profesionin tim.

Shumë njerëz, për shkak se nuk arrijnë të plotësohen në jetë, të kenë gjërat që i kanë të tjerët, përpiqen të përfitojnë duke bërë figurën e viktimës.

Mendoj se pjesa më e madhe sillet si viktimë me koshiencë të plotë. Në jetë jo gjithmonë do të kesh çdo gjë që ka tjetri. Kjo kategori e njerëzve nuk e pranon dot këtë fakt më shumë për ego se sa për meritë. Unë as nuk do guxoja të viktimizohem, por as nuk do t’i lejoja personat rreth meje të përfitonin nga viktimizimi. Mendoj se është shumë bukur të ndihmosh dikë për t’u forcuar, për ta motivuar dhe për t’i dhënë shpresë se gjërat e fituara me punë janë lumturia dhe krenaria më e madhe.

Sa ndihet kjo brenda profesionit tuaj, sa përfitues janë njerëzit që, përmes këtij roli, bëhen pengesë edhe për ata që e meritojnë vërtet?

Mendoj që njerëz që viktimizohen mund të ndeshësh në çdo lloj profesioni, dikush e mbështet, dikush jo, dikush nga dhembshuria që ndiejnë, i mbështesin personat që
viktimizohen. Personalisht kur ndodhem përballë dikujt që viktimizohet, flas edhe më troç seç duhet, sepse jam kundër këtij fenomeni. Nuk është e drejtë dhe as e ndershme që i viktimizuari të “fitojë” hapësirë për diçka që as nuk ka punuar.

Ju jetoni e investoni jashtë të ardhmen tuaj? Është shoqëria atje ndryshe nga e jona, ku vihet re?

Viktimizimin e ndesh gjithkund, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë. Në sport nuk është edhe aq e lehtë të përfitosh duke u viktimizuar. Megjithatë, në qoftë se dikush ka përfituar, nuk ka zgjatur shumë, s’mund të jetosh në atë mënyrë dhe as shoqëria apo ambienti i punës nuk duhet të pranojë persona viktimë. Të mendosh që t’ju largohesh përgjegjësive të bën më të suksesshëm, është shumë e gabuar, aq më tepër edhe të shpikësh gjëra për veten. Mendoj se një sjellje e tillë nuk të sjell përfitime dhe as suksese aq sa do të sillte e kundërta. Nuk mund të “përdorësh” jetën tënde për të përfituar. Përkundrazi, pranoje jetën tënde, pranoji gabimet, forcohu, jepi siguri vetes dhe do të fitosh edhe më shumë.

Po në marrëdhënie shoqërore apo dhe në familje?

Familja ka një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e karakterit dhe personalitetit të fëmijës. Nuk mund të tregohesh indiferent kur shikon që fëmija vlerësohet për diçka që as ka punuar, nuk mund të gëzohesh me faktin që fëmija i “fiton” gjërat lehtshëm. Dhe nuk mund ta lejosh të rritet me të tillë jetesë. Megjithatë, sado dikush mund të ketë pasur mangësi nga familja për ta edukuar me parimet thelbësore, arrin një periudhë kur ti je aq i ndërgjegjshëm për të dalluar pozitiven nga negativja. Kështu që jo gjithmonë faji është i prindërve. Dhe as vetë shoqëria nuk duhet të bjerë dakord për të mbështetur ata që viktimizohen, por as të tregohemi inferiorë. Të gjithë mendoj se mund të ndihmojmë te të tillë persona për t’i motivuar që vetëm puna të jep atë që dëshiron dhe, për më tepër, ta shijosh.

Juve ju ka ndodhur ndonjëherë ta përdorni këtë formë sjelljeje për të dalë nga ndonjë situatë vërtet e pakëndshme?

Absolutisht jo. Po të analizoj jetën time, mund të kisha përdorur shumë situata për t’u viktimizuar, por as nuk e kam menduar kurrë një sjellje të tillë. Prindërit e mi nuk do të ishin krenarë për mua nëse do përdorja veten time apo familjen për të arritur qëllime. Në çdo lloj situate që jam ndeshur apo do ndeshem, mbaj përgjegjësitë. Për të arritur synimet dhe për të qenë e suksesshme më duhet shumë punë, kështu që për t’i shijuar ashtu siç duhet sukseset, pëlqej të punoj dhe të jem shumë korrekte me të gjithë.et sukseset, pëlqej të punoj dhe të jem shumë korrekte me të gjithë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.113

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top