Pasioni është shumë më i fortë se komoditeti ekonomik. Ndaj dhe ajo e ka mjaft të qartë se në pritshmëritë e saj nuk ka vend për të menduar tërheqjen nga karriera. Për sa kohë zëri i saj, vlerat në art, e përmbushin, për Artjola Toskën, pavarësisht bazave ekonomike që mund t’i ketë siguruar i shoqi, puna përmes artit e mban gjallë. “Ka pasur raste kur jam lodhur shumë e kam dashur ta lë, por i jam rikthyer, sepse dëshira për muzikën, për skenën janë më të forta se unë. Puna të mban gjallë, është element i nevojshëm për cilindo nga ne, sado të pasur të jemi. Adi, bashkëshorti, ka bizneset e veta, dhe është i angazhuar në to. Por, as unë e as im shoq nuk kemi ndërhyrë në terrenet tona profesionale, pavarësisht drejtimeve të kundërta. E kam nisur që fëmijë artin dhe muzika është jeta ime, më vjen keq ta lë”. Në dhjetë vite bashkë, këngëtarja rrëfen se marrëdhënia e tyre ka anuar në peshore të barabartë për gjithsecilin. “Zgjedhjet tona kanë ardhur natyrshëm. Secili ka punën e vet dhe të ardhurat janë për familjen. Ne të dy punojmë paralelisht, por për të siguruar komoditetin financiar në emër të familjes. Nuk punojmë secili për hesap më vete. Përpiqem t’i bëj mirë të dyja, karrierën dhe familjen. Secilës i jap pjesën e vet. Deri tani nuk kam ankesa nga familja, pasi i kam menaxhuar mirë edhe detyrat si bashkëshorte e zonjë shtëpie, edhe si artiste. Në momentin që do i hyja në hak njërës palë, do dija si t’i balancoja detyrat e mia”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.65
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.