Marrëdhënie

February 23, 2016 | 8:34

Dëshmi/Aulona Minga: Berti, pika ime e dobët!

Aulona Minga gazetare, drejtuese e “Kafe e së dielës” në TVSH. Vajza e regjisorit të njohur Albert Minga.

Aulona Minga gazetare, drejtuese e “Kafe e së dielës” në TVSH. Vajza e regjisorit të njohur Albert Minga.

Lidhja e tyre ka qenë e ngushtë. Orientim prej busulle. Vetja e të dyve përkonin në hapësira të ngjashme dhe frytdhënëse. Nëse në fëmijëri lidhja e tyre ishte baba-bijë, sot janë dy shokë të mirë. Për gazetaren Aulona Minga, personaliteti i saj identifikohet me të atin, regjisorin Albert Minga. Thotë se përtej të qenit modeli i parë mashkullor, përballë tij gjendet vajza që e ka pikë të dobët babanë. Ndoshta sepse ka qenë fëmija i parë apo faktit se është rritur në familje artistësh. Kujton një fëmijëri të ushqyer me çaste të bukura, ku protagonist ishte babai, ambient brenda një bote të mistershme. Jetuar mes rolesh, çakë-ësh regjisorialë apo përjetime skenash masive. Lidhjen e veçantë Aulona e ka të rrënjëzuar që herët. Para se të vinte në jetë. Fragmente të pashlyera e që vijnë në kujtesë me mesazhe e çaste përmallimi. Në ’74, ai u bë prind për herë të parë, teksa ekranizonte dramën “Zekthi” në TVSH nën interpretimin e Serafin Fankos, lajm të cilin e mori nga aktori shkodran Tano Banushi. Mandej, në filmin “I treti”, kur ajo ishte fare e vogël mban mend nga prindërit çastet e drekave të pushimit gjatë xhirimeve, kur kalonte nga një tavolinë në tjetrën, ku i pëlqenin gjërat e bukura, djemtë apo aktorët e pashëm, apo kur dëgjonte bisedat e ndjera me skenaristin Vath Koreshi. “Jam rritur me punën e babit. Ishim me fat”. Kapërcimi i viteve të vogëlisë, lidhja me të atin, kishin një busull të saktë orientimi. Nuk kishte lavde të mëdha, dorëzim pa kushte apo plotësim tekash të kota. Gjithçka korrespondonte me edukimin e një fëmije që do të çante vetë në jetë. Dhe llogaritë dolën të sakta. Aulona thotë: “Prindërit nuk më kanë llastuar shumë. Ishin tepër kërkues. Kur e bënim një gjë mirë, në mësime apo dhe sot ku përfaqësohem, im atë nuk thotë: ‘Ti je gazetarja më e mirë që ekziston’, por ama më ‘godet’ me kritika, ose më shpjegon aty ku duhet të korrigjoj. Ka dhe herë kur thotë: ‘E ke në rregull, po e bën mirë’. Nuk shkon te lëvdatat e sheqerosura. Angazhimi im në gazetari ka qenë rastësi, as unë nuk e kam kërkuar. Pranova në një periudhë kur im atë ka qenë drejtor i TVSH-së. Më tha: ‘Ti provo, e kuptoj që je e joshur, por duhet të dish një gjë. Nëse nuk bën, do ta them dhe ti nuk do rikthehesh më. Është përgjegjësia jo vetëm e emrit tënd, por edhe si vajza e regjisorit’. E provova. Ishte emision direkt, hera e parë në kamera. Eksperienca kisha vetëm në një radio private, por me naivitetin e një rruge të paprovuar dola mirë. Nuk më bëri komplimente, por e kuptova që mund të vazhdoja”.

Një tjetër periudhë kritike është dhe adoleshenca. Gazetarja Minga rrëfen se në këtë kohë ka qenë pak e hapur me babanë. Ishte viti ’92 kur dhe sistemet kishin ndryshuar.

“Në adoleshencë e sheh veten me sy tjetër, çfarë do bësh, ku do shkosh, si funksionon bota. Prindërit të orientojnë shumë, por për pyetjet personale, intime, të them të drejtën nuk është se jam hapur shumë, aq më tepër me babin. Ata kanë preferuar më shumë të luajnë prindin me mua sesa shoqen. Them se kanë bërë mirë. Duhet të kesh një njeri që të jetë pak autoritar, të të shkundë, sepse është mosha që mund të bësh gabime. Një prind që ka pushtet mbi ty është mirë, se të fut në shina. Atë miqësinë e të qenit shok unë e ndjej tani. Sa më shumë rritem, e shoh që i ngjaj shumë, në karakter, ndjeshmëri, me punën. M’i ka trashëguar shumë mirë disa gjëra”.

Në lidhje me “Kompleksin e Elektrës”, Aulona thotë se babai i saj do të ishte një matës i mirë. “Shikoj marrëdhënien që ka babai me mamanë. Modeli i tyre është referues. Tek ata shoh çiftin jetëgjatë e që i kanë brenda të tëra, debatet, problemet, gëzimet, por ama, im atë është nga ata meshkuj, ndoshta ngaqë është artist, që është natyrë shumë e ndjeshme dhe asnjëherë nuk i ka kursyer komplimentet për mamin. E gjen momentin. E di? Ai me një mesazh ka shumë fantazi. Them: A ka burra të tillë? …Një intervistë me babanë? Dhe atë vetë e intrigon. Më “tremb”, apo e kam të vështirë kur përballë ke dikë që e njeh shumë mirë. Duhet të dish limitin deri ku duhet të shkosh. Është emocionale. Të intervistosh babanë tënd për fëmijërinë, ëndrrat, prejardhjen, problemet me filmat, së fundi dhe me pjesët e teatrit që ka vënë. Unë me të kam punuar shumë ngushtë”.1

Botuar në revistën Psikologjia, maj 2012

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top