Mirëqenie

July 26, 2016 | 8:25

Dëshmi/Aulona Musta: Buzëqeshja, i bën njerëzit më interesantë!

Që të jetë buzagaz, nuk i duhen doemos stimuj të fortë… Përveç adrenalinës që ajo e ka në gjak, thuajse tek të gjithë faktorët përreth, gazetarja Aulona Musta gjen cilësisht faktorë për t’u ndjerë hareshëm. Ajo i sfidon edhe situatat e përditshmërisë, ku për shkak të punës dhe shpenzimit të kohës në terren janë ato vonesat tipike nëpër takime, përballja shpesh me një realitet të zymtë, gati mbytës, me njerëz të stresuar, të papunë, mjedise të ndotura e rrugë të pashtruara, që e bëjnë të besojë se ka një tjetër realitet, përtej buzëqeshjes tipike. Sensi i ndjeshmërisë qytetare të paktën e ndihmon të reflektojë mbi të tilla norma të mohuara qytetarie, dhe kaq. Nuk ka vend për brejtje ndërgjegje. Natyra solare e saj e ndihmon të gjejë “diellin” edhe në kohë me shi, sepse ndryshe ajo nuk do të ishte pjesë e formatit më të ri televiziv, “Thumb”, të cilin e drejton së bashku me mikeshën e saj, Fatmën. Të thumbuarit e realiteteve tona, herë me të qeshur e herë të tjera me gajasje, të paktën bën që mesazhi të mbetet aty, i kapshëm, domethënës. Jo pa shkak është një emision ku nuk i duhet dalja mediatike për t’u ndier thjesht vetja. Ndaj, kur recetës së saj të profilit dhe punës si gazetare i shtohet edhe një tjetër përbërës, siç është ironia therëse, ashtu me atë buzëqeshjen e paevitueshme puntatë pas puntate, gjithashtu përtej profilit të punës, edhe në marrëdhëniet shoqërore dhe ato familjare, gazetarja Aulona Musta di të dhurojë buzëqeshje ngado dhe për këdo!

Cila është marrëdhënia juaj me buzëqeshjen?

Oh, unë e adhuroj buzëqeshjen! Mendoj se është një ndër pikat më të forta të çdo njeriu. Një portret i buzëqeshur është gjithmonë më simpatik sesa një portret i ngrysur, prandaj përpiqem të shfaqem sa më shumë të jetë e mundur e buzëqeshur, jo vetëm në daljet e mia mediatike, por edhe gjatë jetës së përditshme. Edhe pse kuptohet që, pavarësisht dëshirës së madhe, jo gjithmonë është e lehtë, aq më shumë në këtë ambient të mbushur me stres në të cilin jetojmë. Megjithatë nuk më duhen aspak stimuj të fortë për të dhuruar buzëqeshje, përkundrazi çdo arsye, edhe ajo më banalja, është për mua një motiv më se i vlefshëm.

Ju pëlqen të rrethoheni nga njerëz që ju dhurojnë buzëqeshje, apo më mirë nga ata që ju mundësojnë biseda interesante?

Idealja do të ishte të rrethoheshe nga njerëz që të bëjnë të buzëqeshësh me anë të bisedave të tyre interesante. Megjithatë, nëse do më duhej të zgjidhja mes këtyre të dyjave, patjetër që do të zgjidhja alternativën e parë. S’ka gjë më të bukur sesa të jesh e rrethuar nga njerëz që të dhurojnë buzëqeshje. Edhe pse, dua ta theksoj, me mua këto të dyja janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pasi një njeri që arrin të të dhurojë buzëqeshje, patjetër që është interesant në bisedë.

Sipas psikologëve: Buzëqeshja u shërben njerëzve si një terapi pozitive për një jetë më të shëndetshme dhe më të lumtur! Cili është mendimi juaj?

Më se dakord! Nuk ka dalë kot edhe shprehja “e qeshura të zgjat jetën”. Një njeri që buzëqesh do të thotë se ndihet mirë me veten, është i gëzuar, i lumtur dhe një njeri i lumtur në mënyrë të paevitueshme ua transmeton këto emocione pozitive edhe njerëzve që ka pranë dhe kështu krijohet një reaksion zinxhir, i gjithi i mbushur me pozitivitet dhe që e bën botën më të bukur. Eh, sikur të kishte më shumë njerëz që buzëqeshin, bota do të ishte me të vërtetë më e bukur…

A ju ka ndodhur të tërhiqeni nga një mashkull, për arsye se një tipar i dallueshëm i tiji mund të ishte fakti që dinte të falte shumë buzëqeshje në marrëdhënie me ju?

Di që në studime dhe sondazhe të ndryshme që janë bërë nëpër botë, një ndër tiparet kryesore të meshkujve që i tërheq femrat është humori, i cili mund të shfaqet në forma të ndryshme, me anë të batutave, shakave apo buzëqeshjes. Kështu që patjetër mendoj se buzëqeshja është një tipar që i bën njerëzit mjaft tërheqës.

Mund të na tregoni se cilat gjëra apo ngjarje ju bëjnë të qeshni në jetën tuaj?

O sa shumë të tilla ka! Në vend të parë qëndrojnë bisedat me miqtë e mi dhe me partnerin tim, të cilët karakterizohen të gjithë nga një nivel i lartë humori. Kohët e fundit gjithnjë e më shumë më bëjnë të qesh rrjetet sociale dhe ato çka shoh të postuara në to, statuse, foto, komente. Kur kam nevojë për të ngritur humorin, shoh ndonjë film ose emisione të ndryshme humoristike. Ah, se harrova… Më bëjnë shumë të qesh edhe politikanët tanë. Për fat të keq është e vetmja e qeshur që më le një shije të hidhur më pas…

Botuar në revistën Psikologjia, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top