Është një prej deputetëve të Parlamentit shqiptar, por edhe i legjislaturave të mëparshme. Një ishzëvendëskryeministër i fillimviteve ’90 e shumë ndryshe nga “politikanët tipikë shqiptarë” që kemi njohur, që s’u përgjigjen telefonatave apo tregohen “si indiferentë” ndaj mediave. Mënyra e veçantë e komunikimit dhe batutat ironiko-komike të Dashamir Shehit, apo Dashit, siç e njohin kryetarin e Lëvizjes Kombëtare për Zhvillim (LZHK), e bëjnë atë të jetë një qenie krejt ndryshe. E kur i komunikuam si i përzgjedhuri i temës së mirënjohjes, Dashi e nis atë me “fatkeqësisht, turp është me e thënë, por e kemi këtë lloj boshllëku, pasi jemi pak mosmirënjohës…”. Megjithatë, në vijim biseda jonë mori tone pozitive, mbase për shkak të natyrës së tij prej “babaxhani”… Dita e Falënderimeve është festa kombëtare e amerikanëve, një nga më të rëndësishmet për ta gjatë vitit, me një domethënie të rëndësishme: mirënjohjen. Ndonëse kjo ditë mund të jetë një ferr i vërtetë për njerëzit, pasi mbingarkohen me ushqime, gjela deti apo pije, nga ana tjetër është një festë që kultivon mirënjohjen… Një studim tregon se “ndjenja e mirënjohjes i bën njerëzit më pak agresivë kur ata provokohen”. Mirënjohja e mosmirënjohja, sipas kryetarit të LZHK-së, qëndrojnë jo shumë larg njëra-tjetrës… së paku, kur flasim për një shoqëri të ardhur nga një regjim degradues për njeriun, ndonëse kanë kaluar pothuajse 22 vite. E sipas një pasazhi në Bibël, besimin të cilin nuk e njohëm kurrë përgjatë komunizmit: “Njeri shpirtëror është ai që është mirënjohës për gjithçka. Është njeriu që pret gjithçka me falënderim dhe që e di se ai nuk ka asgjë në dorë, përveç atyre që jep Zoti”. Kështu, ne të revistës “Psikologjia” u munduam t’i japim një ton pozitiv bisedës sonë me të, ndërsa e fillojmë me ndonjë mirënjohje të veçantë që duhet të ketë Shehi ndaj tiranasve, si një njohës e debatues i flaktë sa herë “bie fjala për kryeqytetin”. “Mirënjohja nuk është një ndjenjë me karakter lokal, – thotë Shehi, – por ajo njerëzore, si në Tiranë apo Gjirokastër, si në Evropë apo Azi”. Ndërsa ka vijuar duke rrudhur buzët se “fatkeqësisht, turp është me e thënë, por e kemi këtë lloj boshllëku, pasi jemi pak mosmirënjohës”. “Pse?”, ka ngritur pyetjen retorike Dashamir Shehi, “…pasi jemi paksa devidentë ndaj të tjerëve, – shton ai. – Për arsye të izolimit që kemi pas, të tipit përtej lumit, malit… ndodhej armiku. Kundërshtari kështu shihej. Por, ajo ndodhte edhe këtu. Ishim dyshues para tjetrit dhe e kemi justifikuar këtë punë shpeshherë me idenë që gjërat ndodhin, pasi janë të detyruara të ndodhin për hir të rastësisë, e jo për hir të vullnetit njerëzor”. Pra, sipas Shehit, “mirënjohja për dikë fillon nga një nder apo favor që i është bërë”. E ka vijuar idenë duke thënë se “mirëbërësi ia ka hequr vetes e ta ka dhënë ty. Ajo është një ndjenjë mirësie, e cila rikthehet në kohë. Gjatë kësaj kohe ne shqiptarët harrojmë…”. Por nëse i rikthehemi Tiranës, Shehi thotë se “unë i gjykoj të tjerët që janë mosmirënjohës ndaj Tiranës. Ky vend ka qenë qytet mbi qytet e askush nuk është quajtur jabanxhi. Po të shkosh në Korçë, edhe sot e kësaj dite thonë kjo është vajza e jabanxhiut, që ai së shumti ka ardhur nga fshatrat e Korçës, gati 10 kilometra larg. E megjithatë, shumë mendojnë se për çfarë duhet ta falënderojmë popullsinë lokale, duke u harruar atyre mirësinë se si u pritën, u sistemuan këtu, disa me pare, disa legalë e ilegalë, apo disa me pushtet. Në shumicën e rasteve e vërtetë, ka qenë zotësia e tyre për të ardhur dhe zënë vend…”. Në fakt, thotë Shehi, “kjo është një shenjë e mosmirënjohjes, e më vjen keq që duke folur për mirënjohjen, në të vërtetë po flasim për mosmirënjohjen”. Dashamir Shehi është i idesë që më mirë të themi gjërat e vërteta e të sinqerta në këtë pikë. Sipas tij “mosmirënjohja vjen nga disa faktorë”, teksa ka përmendur kulturën qytetare dhe nivelin e dobët të emancipimit të shoqërisë sonë, “duke bërë që të na mungojë shpeshherë mirënjohja”. Ndërsa me tone pozitive është shprehur se “gjykoj që Shqipëria po ndryshon, me ndryshimin e gjeneratave”. Për të vijuar me faktorët që e sjellin këtë mosmirënjohje, deputeti Shehi ka thënë se ajo është “varfëria”, pavarësisht “se duket diçka e rëndomtë”. “Një njeri që është në luftë për mbijetesë, nuk mund të ketë delikatesë”. Kur e pyesim Dashamir Shehin se, në të vërtetë, ndaj kujt ai vetë ndihet mirënjohës, është përgjigjur se “nga kjo anë jam paksa më fatlum se të tjerët, pasi gati 20 e ca vitet e fundit më detyrohen të tjerët më shumë sesa u detyrohem, për arsyet rrethanore të jetës. Në shumë pak raste më ka ndodhur të më jenë mirënjohës. Por unë, nga ana ime, jam munduar të krijoj mirënjohje, brenda dimensioneve të pushtetit tim e mundësive të mia për të gjithë ata njerëz që më kanë ndihmuar në rrethana të vështira, ata vetë apo familjen e tyre. Unë në këto raste u jam mirënjohës e absolutisht nuk i harroj ata. Me këtë nuk kërkoj që të më kthejnë të njëjtën monedhë”. Teksa e pyesim se e çfarë “forme” ka qenë mirënjohja, Shehi është përgjigjur se “në radhë të parë ajo ka qenë morale. Në rastin tim kur u jam mirënjohës. I kam thënë që unë dhe familja ime u detyrohem moralisht, për fëmijët në shkollë, gratë në punë apo prona, për ato që fatkeqësisht ka nevojë të ushtrohet pushtet, e kam bërë me shumë dëshirë. Por e them, që Shqipëria sot po ndryshon me shpejtësi në koncept, madje edhe gjenerata e re më e gjerë nga shpirti, më e madhe, pasi po jeton një realitet shumë më të ndryshëm nga ai i dikurshmi i Shqipërisë së varfër e të strukur maleve, kodrave apo fshatrave. E sigurisht brezi i ri i përket një bote më të moderuar, me një botë shumë më mirënjohëse”. “Ky edukim apo ndërkombëtarizim i qytetarisë që bëhet më kozmopolit apo më i ftohtë, nuk është e vërtetë”. Por e pyesim Shehin se nëse njerëzit bëhen me të ardhura më të mëdha, a mund të bëhen ata mosmirënjohës më shumë nga sa kanë qenë? “Flas në përgjithësi, jo për një grusht njerëzish që për hir të shpirtngushtësisë së vet të bëjnë edhe me barrë, ku për dreq kjo punë për t’u bërë i pasur duhet të bëhesh i keq dhe më shumë dorështrënguar se të tjerët. Po flas për një masë të gjerë të shoqërisë shqiptare, që është kulturuar dhe lexuar pak më tepër. Realiteti është se kemi mbi 1 milion e ca jashtë shtetit, e po aq në Shqipëri, që së paku kanë bërë një xhiro, dy apo tri, një realitet krejt ndryshe nga ai i 22 viteve më parë kur kishte njerëz që s’kishin parë as qytetin më të afërt, apo gjysma e shqiptarisë që s’kishte parë as detin. Ai sistem e reduktoi njeriun në një qenie që angazhimin më të madh kishte mbijetesën. Kështu sot flasim për atë mirënjohje, pjesë që e abstragon njeriun, që ka një formë konkrete, e jo formë materiale. Sigurisht, një gjë e tillë shpirtërore s’mund të qëndronte mbi një infrastrukturë mizerjeje”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.79
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.