Në fokus

August 16, 2016 | 8:22

Dëshmi/Dhimitër Gjoka:Im atë më ka trajtuar si shok!

Shumë prej nesh e identifikojnë me ikonën e ekranit. Dhe kështu është. Që herët në daljet televizive, pak pas mbarimit të Akademisë në degën e regjisë në ‘83, ai do të shënonte risi, si një ndër imazhet e reja të sistemit të asaj kohe. Pavarësisht vështirësive për shkak të kornizave që ‘i vuloste’ regjimi, ai mundi të përçonte vlerat, duke qenë etalon për shumë pasardhës të tjerë të prezantimit të lajmeve. Edhe sot e kësaj dite ai vijon të jetë po ai gazetar e folës mjeshtër i fjalës, pa u kursyer aspak në orët kushtuar profesionit. Në gjithë formimin e tij akademik, për djalin nga Himara, shtysë e rëndësishme ishin prindërit. Gazetari Gjoka vlerëson se pasuria më e madhe për familjen e tij, e thjeshtë për kohën, ishte shkollimi. Kjo e lidhi edhe më shumë me të, falë një komunikimi të shkëlqyer me atin e tij të ndjerë, Koço Gjoka. “Babai im nuk më ka diktuar kurrë figurën e prindit me sjelljen apo veprimet e tij! Në raportin tonë nuk ka pasur asnjëherë ngritje zëri, apo mosmarrëveshje të ndryshme. Takti dhe mirësjellja kanë qenë gurët e themelit mes tij dhe meje. Çdo etapë moshe që ka kaluar, na ka bërë më të ndërgjegjshëm për natyrën e marrëdhënies që ndërtova me tim atë, Koçon. Kur isha i vogël, ai më fliste gjithmonë për rëndësinë e shkollës, për vlerat që ajo ka: më thoshte që shkolla ishte e ardhmja e ndritur për një njeri, dhe unë u rrita me këtë frymë duke u dhënë gjithnjë studimeve rëndësinë e duhur. Në adoleshencë, kur nis edhe faza e ndërgjegjësimit dhe e të kuptuarit se në këtë moshë duhet të luftosh për të pasur ato gjëra që prindërit t’i kanë siguruar më parë, sërish mes ne të dyve nuk ka pasur kurrfarë kontradikte apo probleme madhore. Përkundrazi, në çdo moshë, edhe kur unë u rrita dhe krijova një stabilitet si profesional, ashtu edhe familjar, me tim atë kam pasur një raport të denjë si ai mes dy shokëve të vjetër e besnikë prej vitesh. Konsultoheshim bashkë, shkëmbenim ide të larmishme dhe kjo e bënte raportin tonë tipik shoqëror. Jam krenar për të ndjerin babanë tim dhe për marrëdhënien e shkëlqyer që kemi këmbyer me njëri-tjetrin në çdo kohë e moshë!” Ndryshe nga Dhimitri i ekranit, ai ka ditur të trashëgojë nga ati i tij përkushtimin e një babai shembullor. Sipas Gjokës, në varësi të situatave që krijohen në marrëdhëniet e tij me djalin dhe vajzën, ai përpiqet të jetë kritiku dhe shoku më i mirë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.80

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top