E vështirë të bësh dallimin, madje e pamundur. Për Dritan Yllin, të flasësh për nocionin e barazisë midis fëmijëve, pra t’i dojë ndryshe dy vajzat e tij, shpirtërisht e ka një teori që nuk i shkon për shtat. “Absolutisht i dua njësoj”, – thotë kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, por edhe për shkak të afërsisë moshore, njëra 5 dhe tjera 3 vjeçe, ai gjen shumë pak diferencë mes dashurisë që i fal së parës dhe asaj që i fal edhe më shumë më së voglës. “Mund të dalloj faktin që nuk i dua njësoj të njëjtat veçori mes të dyja. Në rast se Rea (më e madhja) më dha një emocion të paprovuar më parë, atë të prindit, ndjesinë e të qenit baba, dhe këtu ajo do të mbetet unike, te Kaltra, e cila erdhi në jetë vetëm pas dy vitesh, këto tipare tanimë u skalitën, nuk ishin më ndjesi të brishta dhe sigurisht që emocionet ditën e saj të lindjes ishin jashtëzakonisht të mëdha, por më shumë ato identifikoheshin me dëshirën që ajo të ishte e shëndetshme, e bukur dhe e qetë. Siguria për ta mbajtur vajzën e dytë në krahë ishte më e madhe, por s’mund të them që dashuria e këtij çasti ka ardhur e ndryshme tek unë në kohë të ndryshme”. Duke i mëshuar faktit se janë karakteret ato që e bëjnë të ndryshme paksa sjelljen ndaj tyre, Ylli thotë se “te Rea dua shumë karakterin dhe vullnetin e saj këmbëngulës për të mësuar më shumë, për të dëgjuar me vëmendje gjithfarë i thonë, dhe fuqia e interpretimit që ajo ka për një temë të caktuar, ndërsa te Kaltra vetëm 3 vjeçe dua shumë atë sjelljen prej çapkëneje që ka, një moskokëçarje e natyrshme për tipin e saj dhe ëmbëlsinë e fjalëve që thotë. Pra, dashuria për to është e njëjtë pa diskutim, por dashuria për veçori apo karakteristika të njëjta është e ndryshme. Pasi edhe ato të dyja nuk janë njësoj në tipologjinë e tyre, janë unike në mënyrën se si të shikojnë, të dëgjojnë, të përqafojnë, se si qajnë dhe qeshin”. Në marrëdhënien e tyre, komplekse pa diskutim, por të vërtetë e të sinqertë gjithashtu, transmetimi i ndjenjës së fortë e natyrale shndërrohet për babi Tanin si një dhuratë në “pjatë të argjendtë”. Sepse, siç e pohon ai vetë, “të mbetet vetëm të përfitosh nga kjo pastërti e tyre për të ndryshuar dhe perfeksionuar në vazhdimësi”. A e ndryshon ai shpesh sjelljen? Sigurisht. Sepse kur e para kërkon t’i ulet në prehër e të bisedojë, bisedë gjatë së cilës mund të ketë çaste për të bërë disa vërejtje të vogla, për të kujtuar disa rregulla mirësjelljeje, disa fjali princeshash, siç i quan ajo Rea. “Bëjmë mbledhje, zbritje, shkruajmë me shumë dashuri copëza fjalie në letër dhe ia lexojmë njëri-tjetrit. Ndërkohë që Kaltra, më e vogla, e humbet durimin dhe kërkon vëmendje, për të ngrënë, për të pirë, për t’u ndërruar, gjëra normale për moshën e saj. Nëse e keni fjalën për diferenca në përzgjedhjen e institucioneve ku shkojnë, kopshte- çerdhe, jo absolutisht. Edhe në këtë rast, për ne të dy, ato janë të barabarta. Nëse e keni fjalën për veshje, për dhurata, për shëtitje, edhe në këtë rast mund t’ju them që s’bëhet fjalë për diferenca. Ku është njëra, është edhe tjetra; çfarë blen njëra, e blen edhe tjetra. Madje së fundmi duan ta kenë çdo gjë njësoj në ngjyrë dhe dizajn, përndryshe do të kemi shumë zhurmë e debate jo edhe aq konstruktive, në natyrën fëmijërore”.
Po Reas, pse ia bleve?!
“Herë pas here kjo gjë ndodh me të voglën, Kaltrën, e cila sapo nis të qajë për ndonjë gjë, fjalia e parë që thotë është: ‘Po Reas pse ia bleve?’. Është fjala këtu për ndonjë palë këpucë, sandale apo fustan që së dytës mund t’i kenë kaluar nga e madhja, dhe sigurisht që ajo duke qenë në rritje, gjithmonë i duhen blerë vetëm se të reja. Mendoj se kjo gjë do të ndodhë gjithmonë, për aq kohë sa ato të dyja do të jetojnë me ne, në të njëjtën çati. Pyetja më klasike mendoj se mbetet ajo që ka lidhje me ardhjen e tyre në jetë, por që për momentin ne e kemi zgjidhur me lejlekun, që gjendet në faqen e parë të ‘Librit të Bebes’, i cili mban të mbështjellë në fluturim një bebe dhe i dërgon asaj një mami dhe një babi që janë lutur shumë për ta pasur atë. Kur Rea mërzitet me motrën e vogël, e ka shumë seriozisht kërkesën e saj drejtuar këtij lejleku që të vijë ta marrë Kaltrën dhe ta dërgojë te një mami dhe babi tjetër, sepse ajo nuk di të sillet me motrën e madhe, por që në këtë rast gjithmonë kujtohet që prindërit duan bebe e jo një fëmijë tre vjeç dhe qan, derisa i shikon pastaj të përqafohen e të pajtohen me njëra– tjetrën sikur të mos kish ndodhur asgjë. Rea, duke qenë më e madhe, ka nisur të bëjë shumë pyetje që kërkojnë shpjegime lidhur me kuptimin e fjalëve apo fjalive të ndryshme që dëgjon. Nganjëherë të vë në vështirësi. Përpiqemi t’ia sqarojmë me durim dhe fjalë të thjeshta”.
Në gjurmët e prindërve
Ndoshta edhe për shkak të kohës që kalojnë me mamanë e tyre, Dritani e pranon se vajzat janë më të lidhura me të. “Këtu mund të veçoj pak Rean, të cilën edhe e marr herë pas here të dalim së bashku, por përsëri nëse do të zgjidhte, unë do të isha gjithmonë i dyti në radhë. Herë pas here edhe unë, edhe bashkëshortja, kur na pëlqen ndonjë tipar te njëra apo tjetra, themi me shaka mes nesh: ‘Ajo është si unë’, por akoma nuk kemi skalitur veçori të shumta te Rea apo Kaltra që t’i identifikojmë. Ndoshta kur do t’u duhet të marrin vendime, kur të ndihen të lënduara, të gëzuara, jashtë kornizave fëmijërore, do mund të kuptojmë diçka më shumë. Për momentin ndihem jashtëzakonisht i lumtur që ato të dyja gjithkush mund t’i identifikojë si vajzat e mia. Kemi një ngjashmëri të madhe vizive mes nesh”. Duke e vlerësuar në radhë kronologjike si familjen e dytë, pas së parës ku ish vetë fëmijë, rrethuar nga dashuri e pakushtëzuar e sakrifica të jashtëzakonshme në raport me kohën, nga prindër të mrekullueshëm, Dritan Ylli i është mirënjohës familjes së parë. “Prindërve iu desh të punonin fort për shkollimin dhe mirëqenien tonë. Ndoshta ne nuk ua kthejmë dot të gjithë mundin, që harruan vetveten për ne, por me krijimin e familjes sonë ndjekim rrugën e tyre e nuk kushtëzohemi për të rritur individë të kulturuar, të shkolluar, dhe ashtu në heshtje kemi një lloj falënderimi shpirtëror për gjithçka kemi përvetësuar. Kemi dy familje që i duam pafundësisht, por në mënyra të ndryshme. Jemi ne shembulli. Fëmijët janë trazimi më i madh ditor, mujor, vjetor, pse jo edhe shumë më afatgjatë. Gjithë investimi psikologjik, fizik, pritshmëritë për të ardhmen kanë vetëm ato të dyja si kryefjalë. Mendoj se si unë dhe Blerina, në dëshirat tona më të mëdha, më të vërteta, nuk kemi në qendër vetveten, por shëndetin e fëmijëve, shkollimin dhe mirëqenien e tyre.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.80
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.