Në realitetin shqiptar, mentalitetet janë aq zotëruese sa e bëjnë të pamundur zhvillimin e një shoqërie sipas standardeve. Ky konstatim, i dhimbshëm në epokën në të cilën jetojmë, është një fakt që na bind çdo ditë e më tepër në të gjitha klasat e shoqërisë. Fatkeqësisht, rrënjëzimi i modeleve të hershme edukative shfaqet ende edhe në bankat e shkollave, aq sa mes evidencash dhe studimesh përkthehet nga sociologët si një fenomen akoma “i pazbutur” në shoqërinë tonë. Sidomos në aspektin e barazisë gjinore. Sipas Edlira Haxhiymerit, “prindërit, familja si një e tërë, kopshtet dhe shkollat kanë një përgjegjësi dhe rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Ndonëse tek ne ka pasur dhe ka nisma për të sjellë ndryshime në këtë nivel, ende ka shumë për të bërë”, – thekson ajo.
Në shoqërinë e sotme gjithnjë e më shumë flasim për barazinë gjinore, ndërsa në realitet ka ende shumë për të bërë. Sa e vini ju re në pozitat si familjare, pedagoge, politikane dhe grua?
Çështjet e barazisë gjinore janë shumëplanëshe. Së pari, ato janë të lidhura me kulturën dhe mentalitetin që dominon në shoqëri. Çdo ndryshim i kërkuar për të siguruar barazinë gjinore duhet të synojë ndryshimin e kulturës. E ky është një proces afatgjatë dhe që kërkon angazhimin e shumë faktorëve dhe aktorëve në shoqëri. Besoj se ne si shoqëri ende nuk e kemi përqafuar një proces të tillë. Së dyti, barazia gjinore është një çështje edukimi që në fazat e hershme të jetës së njeriut. Në këtë rast, prindërit, familja si një e tërë, kopshtet dhe shkollat kanë një përgjegjësi dhe rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Ndonëse tek ne ka pasur dhe ka nisma për të sjellë ndryshime në këtë nivel, ende ka shumë për të bërë. Së treti, çështjet e barazisë gjinore janë edhe çështje të formimit dhe iluminizmit individual. Njerëzit në një shoqëri, falë ndërgjegjësimit, edukatës dhe formimit të tyre mund të ndikojnë në arritjen e barazisë gjinore. Kjo është shumë personale. Varet nga individi dhe mjedisi i tij. Mund të shërbejë edhe si model për shoqërinë. Në këtë dimension kompleks të problemit, ne të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, prekemi nga pabarazia gjinore. Nëse ne kemi krijuar një mjedis mbështetës në familje apo në komunitetin profesional, çështjet e barazisë gjinore mbeten të injoruara në mjediset më të gjëra.
Çfarë duhet të bëjnë gratë/vajzat për të përmirësuar vlerat dhe sjelljet e tyre?
Edukimi i vajzave që në moshë të hershme me vlerësimin pozitiv, objektiv, të arsyeshëm për personalitetin e tyre, vlerat dhe aftësitë e tyre, është një mënyrë e shëndetshme dhe efektive për të siguruar nivele të kënaqshme dhe funksionale të vetëvlerësimit, kaq i domosdoshëm jo vetëm për ndërveprimin social e profesional, por edhe për shëndetin mendor dhe funksionimin e çdo individi, për vajzat në mënyrë të veçantë.
Studimet e shohin femrën me vlera të mëdha në shoqëri, parë sidomos në veçantinë që e karakterizon atë sa i takon zgjidhjes së situatave falë intuitës së saj. Sa pajtoheni me gjithë këtë?
Studimet kanë provuar më shumë se një herë se kapaciteti intelektual i vajzave nuk ndryshon nga ai i djemve. Madje, falë edhe mënyrës së rritjes dhe formimit të tyre, të dyja palët mund të fitojnë shprehi shumë të avancuara dhe të ndryshme si brenda gjinisë, edhe midis gjinive. Prakticiteti dhe intuita janë tipare që fitohen mbi bazë të inteligjencës, por kanë nevojë për t’u ushqyer, për t’u praktikuar në mënyrë që të zhvillohen dhe konsolidohen. Nëse vajzave apo djemve u jepet mundësia, ato i fitojnë këto shprehi. Në të kundërt, të dyja palët janë të rrezikuara të mbeten pa to. Ajo që dua të them është se prakticiteti dhe intuita nuk kanë bazë gjinore, por janë të lidhura me edukimin. Që vajzat dhe gratë janë bartëse të vlerave të pazëvendësueshme në shoqëri, kjo është e padiskutueshme. Shoqëria njerëzore është e bukur se gjithsecili, vajzë apo djalë, ka karakteristikat e veta, vlerat e veta dhe me këto kontribuon për një shoqëri shumë të larmishme. Vajzat nuk lindin më me intuitë dhe më të ndjeshme se djemtë. Ato bëhen të tilla, edhe pse vetë përjetojnë më shumë vështirësi.
Maurizio Ferrera në botimin e tij “Ja pse duhet të dëgjojmë femrat” thotë: “Karakteristikë që vlerësoj më shumë te një femër është kuraja si dhe beteja për atë në të cilën beson, me lodhje e me pasion”…
Natyrisht, mënyra se si i rrisim vajzat ndikon shumë tek cilësitë e personalitetit që ato fitojnë. Vështirësitë që duhet të kapërcejnë vajzat i bëjnë ato, pa dyshim, më kurajoze, më të forta dhe më me iniciativë. Këto tipare të personalitetit ndikojnë pozitivisht në shoqëri. Nëse një shoqëri është në gjendje dhe e prirur t’i përdorë këto cilësi, përfitimi është i madh. Natyrisht, kjo varet nga profili i shoqërisë. Në vlerësimin tim, shoqëria shqiptare në tërësinë e saj mbetet nënvlerësuese për pjesën femërore. Edhe kur ka ndonjë ndërmarrje pozitive në dukje në këtë drejtim, kjo bëhet më tepër për të përfituar në sensin negativ sesa në atë pozitiv.
Një grua e fortë është ajo që ka të ardhura të mira, personalitet të zhvilluar, që është shumë e vendosur, dinamike etj. Çfarë roli ka sot femra shqiptare?
Gjithçka thuhet më sipër, për mendimin tim, mund të ishte e përshtatshme si për gratë, edhe për burrat. E njëjta gjë mund të kërkohej edhe për një burrë të fortë, me personalitet dhe të realizuar në ambiciet e veta. Ajo që ne ndeshim më shpesh në jetën dhe mjediset tona janë gratë e parealizuara, kjo për faktin se mentaliteti dhe kultura maskiliste dominante nuk i lejon ato të vetërealizohen. Gruaja shqiptare është ende e sfiduar nga kultura dominante dhe mundësitë e saj për të qenë e realizuar në jetën private, në shoqëri, profesion. Janë të kufizuara. Ndonjëra prej tyre përdor edhe ‘strategji’ të rrezikshme dhe të dhimbshme për të përmbushur ambiciet.
Çfarë duhet bërë më tepër, sipas jush, për t’i dhënë vendin e merituar ‘pushtetit’ që zotëron një femër në tërësinë e vlerave që ajo ka?
Edukimi dhe fuqizimi i grave është mënyra më e mirë për ta realizuar barazinë gjinore.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.77
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.