Në fokus

March 15, 2016 | 11:21

Dëshmi/Endira Bushati: Binjakët që i ndryshuan jetën

1Nuk ka qenë shumë e lehtë për të periudha që ka kaluar. Por duket se nuk i ka lënë gjurmë. Aq më pak i shkojnë në mendje ankesa. Po, ka pasur një lindje të vështirë. Madje vetë shtatzënia qysh në fillimet e saj nuk ishte aspak e lehtë, pastaj lindja me prerje cezariane dhe më së fundi, të voglave iu desh të kalonin pak prej çasteve të para të jetës së tyre në inkubator. E megjithatë Endira Bushati, nëna e Avës dhe Olivias, e tregon me një buzëqeshje të përvijuar në fytyrë dhe asesi me shenja lodhjeje a mbingarkese. “Po! Kështu shkojnë punët me binjakët, shtatzënia është e mundimshme, lindja e vështirë dhe pastaj rritja…” Sepse, nuk është e lehtë me dy bebe qaramane që kërkojnë njëkohësisht gjithë kohën përkujdesjet dhe vëmendjen e mundshme, edhe pse Endira ka gjithnjë pranë vetes dikë që nuk ia kursen ndihmën dhe, herë e ëma e herë një motër e të shoqit, janë gjithë kohën në dispozicion të vajzave, duke mos e lënë nënën e re për asnjë çast vetëm. Endira do të kish dashur, e cila nënë nuk do e donte, që bebet t’ia vinin në një shtrat të vogël pranë të sajit, menjëherë sapo të hapnin sytë në këtë botë. Donte t’ua shihte syçkat kur t’i hapnin, t’ua prekte doçkat e vogla, këmbkat… Por, në fakt, ia mbyllën në një dhomë më vete, brenda inkubatorëve, pa i lënë së ëmës më shumë të drejtë se t’i shihte së largu, duke u bërë shenja pas xhamit a thua se priste që bebet t’i përgjigjeshin. Diçka ndjente t’i shtrëngonte zemrën, por zbuloi se ishte një grua e duruar. “Edhe pak” u thoshte të voglave dhe i bëhej se ato ia kthenin me buzëqeshje. Por menjëherë pas kësaj, nisi një periudhë tjetër: Të parën i sollën në dhomë Avën, fiks tri ditë pas lindjes. Pas disa ditësh edhe Olivian. Në fakt, vajza e dytë, asokohe nuk e kishte ende një emër, do t’ia gjenin pas një jave. Por e ëma mund ta thërriste ndërkohë me të gjithë emrat përkëdhelës të mundshëm që i kishin shkuar nëpër mendje gjatë nëntë muajve të pritjes. Atyre çasteve, çfarë i dukej se vlente më shumë, ishte thjesht fakti që më në fund ishin të tria bashkë, nëna dhe bijat. Për kënaqësinë më të madhe të Endirës sapo nisi era e re… aq magjike, që sado të ish përpjekur ta merrte me mend qysh më parë, nuk do të mundte t’i afrohej realitetit… Ndërkaq, teksa të voglat rriten, shtojnë peshë, rrumbullakosen dhe e ëma i llaston me ledha dhe gjithaq i zbukuron me lloj-lloj fjongosh e fustanesh me flutura e dantella, e gjen veten herë pas here duke fantazuar për ditën e dasmës, të cilën rrethanat e sollën që ta shtynte… Po, tani po pret sa binjakët të fillojnë te ecin, e të tria bashkë të vishen me të bardha, nëna nuse dhe vajzat shoqërueset e saj… Por cila është historia e Endirës, Avës dhe Olivas, të cilat prej 10 muajsh ia kanë ngjyrosur ditët nënës me tone të gëzueshme e të panjohura më parë? Kryetarja e KKRT rrëfen…

Kryetare e KKRT-së… nënë e dy vajzave 10 muajsh: cila fjalë e përcakton më shumë jetën tuaj të këtyre kohëve?

Fjala “Lumturi“! Pastaj vijnë fjalët “ngarkesë, mungesë kohe etj…”

A mund ta konceptonit veten thjesht në dispozicion të dy vajzave… “nënë me kohë të plotë”?

Nuk e kam menduar asnjëherë veten “nënë me kohë të plotë”. Por, për të qenë e sinqertë, sado që kisha dëgjuar, nuk e kisha imagjinuar kurrë se të qenit “nënë” mund të ishte kaq impenjative… shto këtu edhe nënë binjakesh, gjithkush mund ta imagjinojë… Gjithsesi kam nënën dhe kunatën që më ndihmojnë, ndryshe nuk do t’ia dilja dot. Një shoqe më ka thënë diçka për të qeshur: “Çfarë fati me binjake! Po të kishe pasur një fëmijë, nuk do të ndihmonte njeri”. Unë kam dalë në punë vetëm një muaj një muaj pas lindjes. Kjo, më shumë, sepse vlerësova që në një pozicion të tillë nuk mund të shkëputesha shumë. Tani që i rikthehem, mendoj se mbase do të kishte qenë më mirë që të bëja “nënën me kohë të plotë”, të paktën 6 muajt e parë. E mendoj këtë, jo vetëm se thonë që në 6 muajt e parë prania e gjithmonshme e nënës është e domosdoshme për fëmijët, por edhe sepse përballja me punën menjëherë pas lindjes nuk ishte aspak e lehtë. Kjo edhe për faktin se periudha në fjalë qëlloi me ngarkesë të veçantë dhe me sulme mediatike, ndaj të cilave më duhej të “mbrohesha” me përgënjeshtrime e deklarata shtypi që përgatiteshin deri pasdite vonë. Gjithsesi, avantazhi është që nuk rashë asnjëherë në pasivitet…

“Të humbasësh ambicien për karrierë në momentin kur burri të siguron një situatë ekonomike të kënaqshme”, është një nga temat që trajton këtë muaj revista “Psikologjia”. Dhe mesa duket, shumë gra heqin lehtësisht dorë nga karriera me t’u gjendur në kushtet e një mirëqenieje ekonomike. Të qenit partnerja e një burri biznesmen, jua ka çuar ndonjëherë nëpër mend idenë e dorëheqjes nga karriera?

Asnjëherë! Besoj, kur familjen e krijon pas të 30-tave, çdo partner ka një identitet të vetin, nga i cili edhe të duash, nuk heq dot dorë… Dëshira për karrierë jo domosdoshmërisht është e lidhur me dëshirën për sa më shumë para. Puna ime e parë ka qenë pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, një punë fort e dëshiruar nga unë që studente. Dhe kur kam nisur punën si pedagoge, rroga ishte diku mbi 100 mijë lekë të vjetër. Ndërkohë që, tregu kishte punë shumë më të paguara për një jurist. Unë vazhdoj t’i kushtohem karrierës akademike, me mësimdhënie e kërkim shkencor. Pavarësisht pozicioneve të tjera e shoh veten të pandarë nga fakulteti, edhe pse e di që një jurist mund të fitojë më shumë para nga shumë alternativa të tjera. Për t’iu rikthyer pyetjes suaj: Pas lindjes së fëmijëve, më kap ndonjë moment dembelie a apatie. Ndihem shumë mirë dhe më nxit mjaft fakti që është pikërisht Albani ai që më shtyn gjithmonë të angazhohem më tepër e të mos bie në pasivitet.

Si e konceptoni në rastin e një çifti shprehjen “pavarësia ekonomike sjell pavarësinë politike”? A mund ta përfytyroni veten të varur ekonomikisht nga burri? Kjo shprehje më shumë më duket e përshtatshme për marrëdhënie mes shtetesh, sesa për marrëdhënie në çift! Çfarë do të thotë “pavarësi politike” në çift?

E kuptoj që sot kur flasim për të famshmen “barazi gjinore” gjithmonë e më shumë i japim rëndësi pavarësisë ekonomike të gruas. Kuptoj dhe që në botë, ashtu si edhe në Shqipëri, ka evoluar shumë koncepti i familjes dhe martesës. Imagjinoni, nga familja patriarkale shqiptare të evoluohet në “pavarësi politike mes burrit e gruas”. Unë kam pasur fatin të rritem në një mjedis ku nuk kam parë ndonjë patria potestas të veçantë nga babai, por gjithmonë një barazi në role, duke njohur përgjegjësitë e ndarë detyrat. Prindërit e mi kanë qenë inxhinierë dhe shpeshherë më kujtohet që mamaja me humor i përmendte babait se e kishte rrogën 100 lekë më shumë… Edhe edukimi im nuk ka qenë ai edukimi klasik shqiptar i vajzës: të jetë e urtë, të bëjë punët e shtëpisë, të mësojë, të fejohet, të martohet e të bëhet me fëmijë… Përkundrazi, nuk kanë qenë të rralla “sherret” mes babit dhe mamit, kur ajo kërkonte që të bëja punë shtëpie, ndërsa babi të shihnim lajmet dhe të komentonim situatën politike në vend. Në këtë kontekst, mua më është dukur gjithmonë i ekzagjeruar debati mbi barazinë gjinore. Në një martesë të mirë, partnerët e gjejnë veten në punën që bëjnë jashtë dhe brenda shtëpie. Kontributet në familje mund të jenë të ndryshme, rëndësi ka qëllimi i përbashkët.

Kush e mban portofolin në shtëpinë tuaj? Kush i menaxhon të ardhurat që i duhen familjes në përditshmëri?

Për shpenzimet e përditshme, në përgjithësi angazhohemi të dy. Prandaj dhe nuk kemi marrë ndonjë “vendim” se kush ta mbajë portofolin…. Sigurisht, “zonja e shtëpisë” e di më mirë se për çfarë ka nevojë shtëpia.

Jeni mamaja e dy vajzave binjake, ndërsa ende nuk jeni kurorëzuar me martesë. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e vajzave e ëndërrojnë veten me vellon e bardhë: po ju? Si ka qenë ëndrra juaj në këtë rast, si do ta realizoni? Kur? Pse?

Diku kam lexuar një studim që thotë, se vajzat fillojnë të ëndërrojnë të vishen me vello të bardhë që 5 vjeçe. Nuk e mbaj mend nëse që 5 vjeçe, por edhe unë qysh e vogël e kam ëndërruar diçka të tillë. Kur vendosëm të sillnim në jetë fëmijë, në fakt planifikuam të bënim dasmën rreth majit të vitit të kaluar. Madje edhe në 2-3 muajt e shtatzënisë plani vazhdonte. Pastaj, gjatë shtatzënisë pata disa komplikacione, mungesë energjie, rekomandim që të pushoja sa më shumë dhe unë e humba fare entuziazmin për organizimin e një dasme. Kemi në plan ta organizojmë vjeshtën e vitit tjetër. Më pëlqen shumë ideja e veshur me vello të bardhë, e shoqëruar nga binjaket, të veshura po me të bardha…

Modeli i familjes për ju ka qenë gjithnjë ky: babai, nëna, dy fëmijët?

Oh jo! Unë kam dashur shumë fëmijë. Mbase duke qenë vetëm motër e vëlla (më të vogël), ndiheshim pak të vetmuar. Madje mbaj mend që deri kur unë isha rreth 15 vjeçe dhe vëllai 10, i luteshim mamit për ndonjë motër a vëlla tjetër. Në rininë e hershme i thosha gjithmonë mamit se doja 5 fëmijë. Madje, i thosha gjithmonë që sa mirë do të ishte sikur të më qëllonin binjakë… për kursim kohe (qesh). Pastaj, me kalimin e viteve, dëshira për 5 u reduktua në 3 fëmijë. Kur në ekon e parë mjekja më tha se kisha binjakë, kam qeshur dhe njëkohësisht jam çuditur sesi më ishte plotësuar edhe kjo dëshirë. Jam ndier vërtet e ledhatuar nga fati, për të disatën herë në jetën time. Ndërkohë që ishte përsëri për të qeshur fytyra e Albanit, i cili më priste jashtë, kur unë i thashë: “Janë dy!”. “Si dy?!”, më pyeti i shtangur. Nuk e besonte dot. Pas vizitës u ulëm në kafe dhe ai vazhdimisht pyeste: “Si dy?!”. U munduam të rrëmonim në gjenetikën e secilit, por nuk na dilte ndonjë gjë bindëse. Nga bisedat me shoqe, më rezulton që shumë femra ëndërrojnë të kenë binjakë.

Tashmë po mendoni për një fëmijë të tretë!?

E mendojmë shpesh… por kemi edhe një lloj “frike” se mos bashkë me të tretin, na vjen edhe i katërti (qesh)… Ama, po të ishim të sigurt se i treti do të ishte djalë, do ta shihnim çështjen shumë seriozisht (qesh).

Nevoja tradicionale për djalin e shtëpisë?

Jo, thjesht për pluralizëm në familje… Albanit “i merret fryma” mes 3 femrash (qesh).

Si ju vjen në mendje momenti kur i patë për herë të parë vajzat?

Unë kam lindur me ndërhyrje kirurgjikale. Isha mjaft e frikësuar, sepse kisha planifikuar të lindja një javë më vonë. Mësova që binjakët lindin pothuajse gjithmonë para kohe dhe fakti që më duhej të lindja edhe një javë para asaj çfarë ishte normale për binjaket, më tmerronte. Pashë momentin kur mjekët i morën fëmijët për t’i çuar diku tjetër. Koshiente tërësisht, u kërkova që të m’i sillnin pranë dhe i pyeta se ku po i çonin. I preka një moment. Më thanë se ishin mirë dhe që do t’u bënin kontrollet e rastit. Pastaj, atë ditë vonë, më thanë që si binjake duhej të rrinin ca ditë në inkubator. Kur i pashë aty, nuk më besohej që ishin të miat…

Ç’ndjesi kishit gjatë shtatzënisë? Çdo grua, herën e parë në pritje për t’u bërë nënë provon ndjesi të paimagjinueshme, që nga frika, ankthi, padurimi, kënaqësia… Po ju?

I kam provuar të gjitha këto ndjesi bashkë. Kur mora vesh se ishin binjakë dhe që shtatzëni të tilla kanë gjithmonë ndonjë komplikacion, frika u shtua. Shkoja në 3 mjekë që “t’i ballafaqoja” me njëri-tjetrin. Lexoja me orë të tëra në internet, bëja çdo lloj analize që ekzistonte. E torturoja mjeken, një mikeshë të familjes, me pyetje. “Me ju të kënduarat është shumë e vështirë”, më thoshte.

A ju ka shqetësuar për ndonjë çast mendimi i prishjes së linjave… Dhe në të vërtetë ju keni shtuar mjaft në peshë… Jeni në ankth për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme? Apo, përkundrazi, ndiheni e përshtatur me gjendjen e re?

Prishja e linjave nuk më ka shqetësuar. Që në fillim e dija se, sidomos me binjakë, shton shumë më tepër në peshë se në shtatzënitë me një fëmijë. Më shumë sesa për linjat, mbipesha më shqetësonte për mbarëvajtjen e shtatzënisë. Mësova se, në shtatzënitë me binjakë ndodh shpesh shfaqja e diabetit tek nëna, gjë që pastaj trashëgohet edhe tek fëmijët. Sigurisht që mbipesha është shqetësuese, dhe siç thashë, jo vetëm pse e sheh veten të transformuar në pasqyrë, por edhe sepse shkakton shfaqjen e sëmundjeve të tjera, të bën disi dembele e pasive. Nuk jam në ankth për rikthimin në gjendjen e mëparshme. 30 kg nuk humben dot në një muaj…

Meqë jemi këtu, ç’raporte keni me feminitetin, që do të thotë me kohën për veten, për trupin, lëkurën… në dispozicion të qendrave estetike, parukerive, dyqaneve të veshjeve…?

Tregoj kujdes për veten, aq sa për të pasur një pamje të rregullt, pa rënë në obsesione femërore shkatërrimtare. Me shtatzëninë dhe lindjen, sigurisht që disa zakone në këtë drejtim kanë ndryshuar shumë. Më përpara, parukeria ishte vendi që “vizitoja” 3-4 herë në javë dhe kisha një lloj varësie nga dalja pasditeve me shoqe në dyqane veshjesh. Kurse tani që të lë një orar tek parukierja, duhet të koordinoj orën e ushqimit të fëmijëve me orën e gjumit dhe orën kur vjen mami, etj., etj.

Thuhet se mëmësia i ndryshon gratë. Si ju ka ndryshuar ju? Si ju ka bërë t’i mendoni, t’i shijoni, gjykoni, konceptoni… gjërat?

Patjetër! Tani ato që deri dje më dukeshin të rëndësishme, kanë vlera relative. Kur zgjohem në mëngjes dhe shoh 4 sy që më ndjekin e mezi presin që t’i marr në krahë, them me vete se kjo qenka lumturia.

Po emrat e vajzave tuaja?

Ava, quhet e madhja, dhe Olivia e vogla. Së madhes ia kishim gjetur emrin qysh më parë, për të dytën na u desh më shumë kohë. Ava e kishim menduar për të bërë një lidhje me të ëmën e tim shoqi. Kurse Olivia mbeti një javë pa emër. Lexova shumë në lidhje me emrat e binjakëve. Paskësh rregulla edhe në këtë fushë (qesh)… Diku më bëri përshtypje një koment, ku thuhej se emrat e binjakëve duhet të kishin diçka të përbashkët mes tyre, një shkronjë, që kur të thuheshin bashkërisht të vinin ëmbël. Dhe vajzat e mia kanë shkronjën “v”. Epo, e respektova edhe këtë “rregull”…

Keni lindur në Shkodër dhe keni jetuar aty pothuaj 17 vitet e para të jetës. Cila është lidhja juaj me atë qytet? Pse erdhët në Tiranë?

Kemi ardhur në Tiranë në vitin 1995. Ishte një kërkesë e domosdoshme që e nxiste koha. Në kryeqytet janë gjithnjë mundësitë më të mëdha. Fillova në Tiranë vitin e katërt të gjimnazit. Nuk e kujtoj si një periudhë të mirë. Ishte si një lloj nisjeje nga e para, nuk kisha miq, shkolla ishte larg dhe unë e bëja gjithnjë vetëm rrugën shtëpi-shkollë dhe anasjelltas. Më bënte përshtypje që më quanin “malokja” e klasës. E mësuar që e vogël me krenarinë e të qenit një “Bushatllije Shkodret”, kjo më dukej qesharake. Në përgjithësi u përgjigjesha: “Përveç të tjerave, ju nuk njihni as historinë e Shqipërisë”. Në fakt, më është dukur kriminale e me qëllime të këqija ajo lloj fryme, dhe sa herë që më jepet rasti reagoj… “Hakmerresha” duke qenë nxënësja më e mirë e klasës. Nuk e mbaj mend emrin e historianit të huaj që ka thënë për Shkodrën “qytet që i mjafton vetes”. Është shprehja që e përshkruan më mirë. Dhe unë me krenari them se jam shkodrane… Një shkodran i mjafton gjithmonë vetes, nuk do të imitojë apo t’i përngjasojë askujt…

Pse ishte juridiku zgjedhja juaj?

Nuk ishte asnjë nga ato arsyet e tipit “dua të bëhem gjykatëse që të jap drejtësi”, “prokuror të luftoj kriminelët” apo “avokat të bëj shumë para”. Babai më sugjeronte letërsinë, duke parë pasionin tim për të shkruar; mami më sugjeronte juridikun. Atë kohë ndikoi disi edhe “moda”. E sakaq e pashë si një lloj sfide: thuhej që për të fituar juridikun duhej të paguaje aq apo kaq, se pa paguar nuk kishe shanse etj…

Parë nga sot, a mund të bëni një krahasim mes mënyrës se si ka rrjedhur jeta juaj dhe mënyrës se si e kishit përfytyruar atë? A ka pika përkimi mes fantazisë dhe realitetit? Apo dallime…

Njeriu ka fantazi të ndryshme në etapa të ndryshme të jetës. Me kalimin e viteve, fantazia humbet shumë nga “çmenduria” e saj. Megjithatë, po t’u rikthehem fantazive të mia nga mbarimi i gjimnazit deri tek mosha 25 vjeç, shoh që realiteti është pothuajse njësh me fantazinë. Sigurisht, nuk fantazoja “të bëhem kryetare e KKRT-së”, por për të ecur përpara në karrierë në pozicione të rëndësishme ku mund të shpalosja aftësitë e mia. Po të kthehesha edhe një herë 18 vjeçe, përsëri do të studioja drejtësi, do të punoja pedagoge dhe do të kisha karrierë akademike. Në jetën private, kënaqësia që më jep familja, komunikimi me bashkëshortin dhe të qenit nënë, e kanë tejkaluar edhe imagjinatën time.

Që do të thotë asnjë peng?

Peng? Po, ndoshta është mosnjohja e një vegle muzikore (dëshirë që mesa duket do të mbetet e parealizuar, edhe pse jetës nuk i dihet asnjëherë…), mësimi i gjermanishtes (që planifikoj ta nis së shpejti) dhe të shkruarit. Të shkruarit është pasion i hershëm i imi. Kam shkruar poezi deri në periudhën e fakultetit dhe tek-tuk shkrime apo skica në gazeta. Me kohën, shpresoj të gjej qetësinë që duhet për ta zhvilluar këtë pasion.

PORTOFOL

Pesimiste apo Optimiste?

Pa dyshim optimiste! Momentet e pesimizmit nuk më zgjasin më shumë se 3-4 orë. Gjithmonë mendoj se nuk ka gjëra të pamundura, se për çdo problem ka zgjidhje, madje më shumë se një.

Aktive apo Pasive?

Aktive, por jo aq sa do të doja….

 Guximtare apo Frikacake?

Guximtare e arsyeshme!

Sportive apo Klasike?

Në veshje, klasike, mbase dhe e detyruar…

Diellore apo Lunatike?

Diellore, si çdo shkodrane

 Një Libër apo një Film?

Libër. Kurse për të kaluar kohën një film.

Racionale apo Emocionale?

Me kalimin e viteve, një kalim i ekuilibruar nga emocionaliteti në racionalitet.

Romantike apo Shpërfillëse?

Po të them “romantike” e teproj, po të them “shpërfillëse”, gënjej…

Sulmuese apo Mbrojtëse?

Sulmuese! Edhe me parimin se mbrojtja më e mirë është sulmi!

A.M

Botuar në revistën Psikologjia nr.65

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top