Pushimet i ka gjënë më të vyer. Sikur për të të ekzistonte një vit kalendarik i tillë do të eksploronte gjithçka, kudo, pa u lodhur. E megjithatë jeta kështu është e llogaritur. Një proces i gjatë me variacione të ndryshme. Për gazetaren sportive të televizionit publik, është stres më vete të mendosh kthimin në detyrë. Imagjinoni që vetëm një javë pasi ka mbyllur pushimet, i është dashur t’i kthehet drejtimit të emisionit të saj.
Me kokën pas, Enkeleida rrëfen se i duket se ka ende nevojë të bëjë relaks total. “Ç’m’i kujton pushimet! Sikur të isha edhe njëherë! Sa shpejt mbaruan ato të shkreta. Kështu më ndodh çdo vit”. Por rikthimi në punë është i vështirë për të gjithë. E megjithatë, duket se këtë herë për gazetaren sportive nuk do të jetë dhe aq. “Mendoj se pushimet e kësaj vere nuk do të më pengojnë ta nis me kaq vështirësi. Kaq shumë vende sa kam vizituar, e sa mirë jam ndjerë me personin që dua, do të më ndihmojnë që përmes kujtimesh ta lehtësoj punën. Me të fejuarin kemi udhëtuar në vende të ndryshme. Pika më kulmore e pushimeve ishte surpriza e tij për të më çuar në Barcelonë. Pikërisht ky udhëtim më bëri që ta mbaj kokën pas. Vizitova kaq shumë vende, por ajo që më la mbresa të paharrueshme ishte ‘Sagrada Famiglia’. Është bukur që një vend të shenjtë e viziton me njeriun që dashuron. Dua të kthehem përsëri e përsëri për të parë atë mrekulli të Gaudit. Më pas pushimet vijuan në plazh, pasi detin dhe notin unë i adhuroj. Ka qenë një verë e shkëlqyer në të gjitha drejtimet”.
Ngasur nga aventura e kësaj periudhe të gjatë për Enkeleidën, rikthimi në përditshmëri dhe impenjimet profesionale do të zënë shpejt vendin e tyre. “Rikthimi në punë… Eh!”, më thotë ajo. “Më ndodh që në javën e parë të jem e qetë, e çlodhur, por ndjej se më duhet akoma për të kapur ritmin maksimal. Ideja e rifillimit të punës pas pushimeve më trishton pak, edhe pse unë e adhuroj punën time. Por e justifikoj me faktin që të gjithëve na pëlqejnë pushimet më shumë se puna, kështu që më është bërë normale. Më duhet vetëm kohë që të gjej veten në Tiranë dhe pastaj çdo gjë shkon sinkron me ritmin e ditëve të mia të zakonshme këtu. Kur përputhja arrin pikën e saj, është e vështirë për t’u larguar qoftë edhe me mendim nga puna ime”.
E lidhur ngushtë me profesionin e saj, Enkeleida për të do të sakrifikonte dhe pushimet. Sigurisht jo për tekë, siç shprehet ajo, por për një projekt të rëndësishëm. “Jam racionale si natyrë. Punën time s’e toleroj, por dua që edhe pushimet t’i bëj. Ato më japin impulse pozitive në vazhdimësinë e punës mbrapa”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.84
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.