Në fokus

July 28, 2016 | 8:17

Dëshmi/Entela Binjaku:Tregut të punës i mungon stimuli moral!

Në shoqëritë moderne, të qenit në punë është e rëndësishme për ruajtjen e vetëvlerësimit. Edhe kur kushtet e punës nuk janë të dëshiruarat dhe detyrat që duhet të kryhen janë larg atyre që preferohen, puna ka prirjen të jetë faktor strukturues në ndërtimin psikologjik të njerëzve. Por këto shoqëri punojnë shumë në drejtim të ndërtimit të një atmosfere pune të atillë që të shërbejë si motivuese për vetëvlerësimin e njerëzve në vendin e punës. Tek ne ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe kërkon një seriozitet të lartë në trajtimin e dukurive që lindin nga mungesa e vetëvlerësimit në punë.

Pas viteve ´90, zhvillimet shoqërore në vendin tonë njohën shumë risi të lidhura me tregun e punës. Profesione të reja, profesione drejt humbjes, papunësia gjithashtu, krijuan një tjetër tablo jete për të cilën shoqëria shqiptare ishte thuajse e papërgatitur. Megjithatë, modelet e vendeve të emancipuara duhet të mbeten udhërrëfyese për të trajtuar shumë prej situatave të krijuara, pasi ato kanë kaluar nëpër situata të tilla kohë më parë. Panorama aktuale në vendin e punës tek ne është e trishtë. Njerëzit vetëmjaftohen me gjetjen e një vendi pune; çështje të lidhura me vetëvlerësimin as nuk trajtohen si shqetësim, përveçse në biseda private e informale. Kultura e vetëvlerësimit në punë është shumë e nevojshme, por kjo kërkon pa dyshim investim të madh nga ana e aktorëve. Në kushtet kur pagat janë të ulëta, mungon stimuli moral, promovimet janë selektive apo preferenciale të pajustifikuara aspak, vështirë të nxisësh vetëvlerësimin në punë. Në shumë prej kontakteve të mia të përditshme, zor se gjej njerëz kaq të motivuar dhe vlerësuar në vendin e punës, edhe për arsyet e sipërpërmendura.

Rëndësia e vlerësimit në ambientin e punës

Puna është një ndër aktivitetet e rëndësishme të jetës së njeriut dhe për të gjitha kulturat shoqërore është baza e sistemit ekonomik. Ajo duhet të jetë burimi i mirëqenies, i dinjitetit dhe prestigjit social për këdo. Por kjo kërkon një nivel të caktuar të besimit te vetja për të kryer më së miri angazhimin si punëdhënës apo dhe punëmarrës. Cilado punë qoftë, kur kryhet në mënyrë ciklike ndikon dukshëm edhe në vetë formatimin psikologjik të njeriut, por dinamizmi i jetës shoqërore e ka vënë shoqërinë tonë përballë situatave të reja të gërshetuara me kërkesa dhe problematika të panjohura, që kërkojnë latimin e disa tipareve të veçanta të personalitetit, siç është vetëbesimi, kuraja, devotshmëria etj. Parë në këtë këndvështrim, vetëvlerësimi do të ndihmonte shumë në krijimin e një profili shumë të dobishëm nga ana e kolegëve në një vend pune. Por edhe pa e trajtuar në këtë mënyrë, një individ me një nivel të lartë të vetëvlerësimit për aq kohë sa është në ekuilibër dhe nuk shkon në sjellje delirante, mund të kontribuojë edhe vetë shumë në drejtim të vlerësimit nga ana e kolegëve. Rëndësia e vetëvlerësimit rritet në rastet kur ai reflektohet në efikasitet.

Si mund të rritet vetëvlerësimi?

Shoqëritë moderne e çmojnë të qenit në punë si një ndër mundësitë e njeriut për të qenë i vetëvlerësuar. Për këtë arsye hartohen politika të tëra dhe vizionare që synojnë punësimin apo arsimimin e vazhdueshëm. Analizat tregojnë se pa të ardhurat që njeriu i siguron nga puna, jeta është e pasigurt dhe vetëbesimi është më i ulët. Dihet që shumë prej aftësive të njeriut mprihen falë ushtrimit në një vend pune të caktuar. Pa këto mundësi punësimi, pa këto shanse të ushtrimit, edhe energjia që posedojnë njerëzit mbetet e pashfrytëzuar dhe niveli i vetëbesimit mbetet sërish i ulët. Punësimi rrit mundësitë për jetën sociale, e bën jetën më të larmishme dhe më aktive dhe u jep mundësinë njerëzve të rrisin identitetin e tyre personal. Shoqëritë e emancipuara vënë në veprim strategji të vetëkontrollit, të cilat bëjnë të mundur stabilitetin e tyre. Këto strategji ushtrohen mbi individët përmes një presioni të vazhdueshëm derisa të garantohet rregulli dhe mbarëvajtja në fusha të caktuara. Vetëkontrolli shoqëror dhe presioni ynë qytetar për çështje që lidhen me aktivitetin e punës, përfshirë këtu edhe mirëqenien në vendin e punës, do të ndryshonte shumë panoramën aktuale. Shoqëritë e emancipuara e kanë nxitur këtë mirëqenie falë ruajtjes së stabilitetit në vendin e punës, rritjes së kontrollit shoqëror ndaj gjërave që nuk shkojnë, stimulimit të meritokracisë dhe vlerësimit për më të virtytshmit profesionalisht.

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 75

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top