Ajo ka mbetur vajza e tij e vogël, edhe pse tashmë ka hyrë në adoleshencë. Dea është e bija e artistit Herion Mustafaraj, e cila në vëmendjen e tij gjithherë pranë, aq herë sa e merr malli për të. Emocionet e para nga sytë e një babai, tek aktori i njohur shpërfaqen me dëshirën për të folur pambarimisht për të, për të treguar cilësitë e saj, tiparet dhe natyrën që, pse jo, është derivat i trashëguar mes dy prindërish.
“E ndiej në zërin e saj se ka një respekt tjetër për mua, jo vetëm si babë, që i bën gjellën dhe e merr nga shkolla dhe e ndihmon të bëjë detyrat bashkë me të, por si babë artist që e sheh në televizion”. Në intervistat për shfaqjet ku ka marrë pjesë, Herioni ka gjetur gjithmonë hapësirën për të folur për Dean e tij, mesazhet e një prindi dhe dashurinë e pakushtëzuar që e bën atë të luftojë me mish e me shpirt për ta parë Dean në majat e suksesit. “Te Dea shoh veçse veten time kur isha fëmijë. Tani e kuptoj se sa vështirë duhet ta ketë pasur familja ime me tekat e mia si Herioni-Ben. Dea është vërtet e talentuar në fushën e artit dhe unë e inkurajoj që të studiojë në atë drejtim. Bëj çmos t’i tregoj nga përvoja ime dhe më duket se më kupton shumë mirë. Fëmijët e sotëm çuditërisht janë më të avancuar se ne… dhe sikur i fillojnë t’i kenë shijet e të rriturve që në vogëli”, rrëfen në një nga intervistat e tij aktori. Por ka edhe më përpjekje, që për një prind, teksa sheh të bijën të rritet, ta inkurajojë atë për të ndjekur një udhë krejt ndryshe nga arti. “Shpresoj që të bëhet avokate siç donte gjyshi i saj”, pohon Herioni, edhe pse Dea është duke ndjekur tashmë një shkollë arti në Nju Jork, ku fitoi të drejtën e studimeve dhe një bursë. Ajo e ka shumë dhunti e qejf artin, ndaj në këtë lëmë ka një meritë që vlen të trashëgohet. Për artistin Mustafaraj: “Dea, bukuroshja e babit të vet, që flas çdo ditë me të. Ajo është shumë e lumtur që unë punoj në televizion. Kur ishte e vogël më shikonte në ekran, por nuk e dinte se çfarë ishte fuqia e një artisti. Jeta ndryshoi dhe babin tani ajo e sheh në televizion. Kjo ushqen dhe ëndrrën e saj se një ditë artisti do ta gjejë veten. Nuk ka rëndësi se ku, në skenat e Amerikës apo të Shqipërisë, rëndësi ka që të mos e lësh profesionin tënd që të bjerë”. E si fëmijët adhurojnë jetën e prindërve, e duan të ndjekin jetën e tyre, kjo i shton dëshirën një babai të besojë se: “Dea të bëhet një artiste e mirë, e një ditë të luajë në Broadway, e mua të më japë një lozhë ku të shoh shfaqjen e saj, i përlotur nga gëzimi”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr. 104
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.