Ilirian Agolli gazetar i “Zërit të Amerikës”. I martuar me Elzanën, art designer. Kanë dy vajza, Rean 14-vjeçe dhe Anjën 9-vjeçe.
Në 15 vite bashkëjetesë, lidhja e tyre ka funksionuar ashtu siç të gjitha çifteve u ndodh. Në rrugëtimin e përbashkët, rritja dhe zhvillimet familjare kanë sjellë pjekurinë dhe forcimin e marrëdhënies, duke përkrahur e mësuar nga ngasjet, tekat apo grindjet që në shumicën e rasteve tek ata kanë ardhur nga shkaktarë të jashtëm. E quan fat të bardhë, njohjen me Elzanën, kur në një datë supersticioze si 7/7/97 kurorëzuan dashurinë, shkëndijë që erdhi me shikim të parë 2-3 vjet përpara, në një takim të rastësishëm në shtypshkronjën “Eurorilindja”. Mandej për Ilirian Agollin do të vinin gëzimet e shtëpisë, Rea vajza e madhe, dhe pesë vjet më vonë Anja e cila kot që nuk lindi djalë. Gazetari i njohur, në rrethanat e profesionit, prej vitesh kohën e ka të cunguar. Ndoshta kjo e bën të ndihet dhe ca në faj karshi disa detyrimeve, por falë Zotit, siç vlerëson ai, mirëfilli i realizon Elzana dhe nëna e tij, profesioniste për t’i ardhur në ndihmë një çifti që ndodhet në kulmin e karrierës. Sa i takon protagonizmit në çift, secili ka gjetur veten, pa tejkaluar masën, që do të thotë se, kur ka pakënaqësi, nuk ka ngritje zëri, të bërtitura apo mbajtje qëndrimi në mënyrë të rreptë. Sjellja e secilit përkon me një gjuhë komunikimi ku shëndetshëm i ka renditur tullat ashtu siç duhet për të mbërritur deri aty ku sot ata flasin ende për momentet e para të njohjes, për çastet e bukura të jetës në çift dhe të menduarit nga i njëjti krah!
Grindjet e të kaluarës kanë lënë gjurmë tek ju apo i keni harruar?
Grindemi shumë rrallë, prandaj edhe nuk i harrojmë dot. Elzana dhe unë nuk mbajmë nga këto sherre asnjë përmbajtje helmi apo inati, thjesht i kujtojmë si ngjarje. Shpesh madje i kujtojmë me qëllim grindjet e mëparshme si argumente për debatet e reja. Ne nuk grindemi. Ne shpjegohemi. Diskutimet tona kanë më shumë formën e shtjellimeve etike. Shumicën e rasteve grindemi për persona të tretë dhe ngjarje të treta jashtë familjes tonë: çfarë bëri ky, si i ndodhi asaj, a ishte e drejtë ky veprim, apo ajo ngjarje. Jo rrallë ndodh që grindjet tona bazohen në metoda krahasuese. Nuk kemi rënë dakord për një ngjarje disa vjet më parë me “ta mbaj vath në vesh; këtu do të jemi e do ta shohim”? Ajo dhe protagonistët e saj kanë ndryshuar dhe papritur neve na hapet një grindje e re mbi ta, duke e vazhduar aty ku e kemi ndërprerë sherrin pa marrëveshje. “A e shikon si përfundoi kjo punë? A nuk të pata thënë se diçka nuk shkonte me atë person?”. Këto lloj grindjesh janë më tepër edhe si ushtrime truri për të shqyrtuar ngjarjet dhe njerëzit, në mënyrë që të përshtatemi ose jo me shoqërinë që na rrethon. Kemi vënë re se këto lloj debatesh na lënë shumë gjurmë, na vendosin disa piketa mbi jetën për ne dhe vajzat, na përmirësojnë vazhdimisht. As që bëhet fjalë të sherrosemi me zë të lartë, me të bërtitura. As që bëhet fjalë të grindemi për njëri-tjetrin, “jo po ti – jo po unë”. Kurrë nuk kemi rënë në këto nivele, dhe falë Zotit, nuk do të biem kurrë. Ata që na njohin mund t’i konfirmojnë me lehtësi këto që po ju them.
Cilat janë gjërat për të cilat nuk toleroni?
Elzana dhe unë e tolerojmë shumë njëri-tjetrin. Kjo shpjegon edhe jetëgjatësinë e lidhjes tonë. Tolerojmë aq shumë sa që tani nuk mund të rendit tema nuk e tolerojmë. Ah! E vetmja fushë ku nuk tolerojmë të dy është mirërritja e vajzave. Bëjmë shumëçka që vajzave tona të mos u mungojë asgjë nga shkolla, veshjet dhe ushqimet. Mirëkuptimi mbizotëron në familjen tonë. Edhe kur kemi vështirësi për të hapur biseda mbi problemet, kuptohemi me sy. Elzana pyet e para: “Çfarë ka ndodhur? – Ku e di ti? – Të kam thënë; ti vetëm mendoje se unë e kuptoj menjëherë se çfarë po mendon”. Kjo tolerancë e saj është një ndihmë shumë e madhe për mua. Dihet botërisht se burrat janë njerëzit më difektozë në familje. E sidomos, unë. Elzana jo thjesht më toleron gabimet apo llastimet e luksit; mbi të gjitha, ajo më mbështet kur jam në hall, madje më ndihmon të kaloj çaste të vështira. Një tjetër gjë që nuk tolerojmë është vetmia. Rrimë shumë bashkë. Kur njëri mungon në shtëpi, tjetri nuk është rehat. Telefonohemi shpesh se ku gjendemi, sa do të vonohemi, koordinohemi për të marrë fëmijët nga shkolla. Me thënë të drejtën, jam ndër njerëzit që shoh më pak futboll me shokët, në klub ose në stadium. Edhe kur jam atje, mendjen e kam në shtëpi. Një tjetër gjë që nuk tolerojmë është dhuna ndaj vajzave. Dhuna verbale apo fizike. Rea dhe Anja janë ende të vogla por ato kurrë nuk janë goditur me shpulla nga ne, dhe shumë rrallë hanë ndonjë të bërtitur me zë të lartë. Elzana grindet më shumë me to, sepse do që t’u mësojë sjellje të mira. Këtu e kam unë gabimin, sepse unë i toleroj shumë gabimet e tyre. E kam këtë dobësi, e di që bëj gabim dhe do ta bëj përsëri.
Sa ndikojnë detaje jashtë çiftit (konflikte në punë, në shoqëritë vetjake apo në familjet e origjinës) si arsye të mundshme për grindje? Si i kapërceni?
Ato nuk ndikojnë si burim grindjesh. Thjesht janë temë e ditës për biseda. Kur të thonë, po ti si mendon? Për punën, familjen dhe shoqërinë flasin të gjithë.
Cilat janë përfitimet që kanë vlerë në forcimin e marrëdhënies?
Në çdo grindje të modeleve që shpjegova më lart, përfundimi është se ne gjithmonë jemi në njërin krah, dhe jo në anë të ndryshme të barrikadës. Kjo nuk është e qëllimshme, por ndodh vetvetiu. Kjo është vlera dhe përfitimi më i madh, në fund të fundit. Kjo edhe ka forcuar marrëdhënien, lidhjen dhe dashurinë tonë.
Botuar në revistën Psikologja, Maj 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.