Në fokus

December 16, 2015 | 9:54

Dëshmi/Joni Shanaj:Mediat sociale janë pasuri

Joni Shanaj

Kineast, pedagog në Universitetin e Arteve

Në lupën e realizimit të personazhit, depërtimi deri në thellësi ka të bëjë me krijimin e karakterit, që në fakt është i ideuar që në synopsys. Shkarjet nuk falen. Udhëtimi i tij i gjatë, real e virtual bashkë, tashmë e ka mbaruar misionin. Mbetet vetëm rifinitura për të sjellë një imazh real. Por, për një kineast lëmi i punës është i gjerë, pa kufij. Terrene të tjera ndihmëse ka plot, ato nuk mungojnë. Ngjarje gjithashtu, nuk vihet në dyshim. Në trendin e botës virtuale, gjithaq nuk ka vija ndarëse. Megjithatë “prekja” është më komode. Joni Shanaj, me sqimën e një artisti të kompletuar, pohon se filmi është arti superior i së ardhmes. “Nuk besoj se do të zëvendësohet nga ndonjë realitet tjetër virtual”, shton ai. E më pas vazhdon: “Për një kineast, mediat sociale janë pasuri. Nuk kam menduar ndonjë film për fenomenin në vetvete, por mund të jetë mjet ndihmës”.

Intervistoi: Orjona Tresa

Vitet e fundit ka një shfrenim le ta quajmë, sa i takon përdorimit të rrjeteve sociale. Ju vetë çfarë opinioni do të jepnit karshi tyre?

Në rast se shfrenimi është në komunikim, mendoj është gjë e mirë. Kjo, sa i përket marrëdhënieve private ndërnjerëzore. Këto ditë pushimi u kujtova të shihja serialin Game of Thrones. Ka qenë një kohë kur njerëzit për të komunikuar përdornin sorrat. I lidhnin një pusullë në kthetra dhe i stërvitnin. Në njëfarë mënyre rolin e sorrave sot e bëjnë mediat tradicionale. Janë disi më tradicionalisht të trajnuara në përcjellje informacioni. Përtej privates, në aspekt më të gjerë edhe pse ndoshta vetëm në një dimension të caktuar,rrjetet sociale kanë krijuar alternativa të tjera. Problemi i vetëm në dukje, është që zhvlerësohen disi opinionet; gjë që në thelb është përsëri e mirë. Opinionet i ndan vetëm një vijë e hollë nga idiotësia.

Përbën shqetësim real në lidhje me vendosjen e disa kufijve në marrëdhëniet e vërteta?

Nuk e besoj. Kur njerëzit vendosin apo heqin kufij kanë arsyet e veta. Studimet thonë gjithashtu se funksionimi përmes rrjeteve sociale po e dëmton njeriun në vetvete dhe në marrëdhënie me të tjerët. Në fakt, jo pak shembuj dëgjojmë çdo ditë, tradhti, divorce, braktisje të familjes, etj.

Divorcet unë i shoh si mundësi për rinisje. Nuk i shoh aq tragjikë. Momentet më të rëndësishme në jetë janë jo vetëm kur nis, por edhe kur heq dorë apo shkëputesh nga diçka, qoftë kjo një vartësi. Ndarjet që vijnë nga xhelozitë, nuk besoj se vijnë nga keqkuptime. Me pak fjalë, njerëzit e dinë mirë se ç’bëjnë. Tradhtitë kanë ndodhur edhe në kohën kur s’të linte njeri të flije në hotel po të mos ishe i celebruar. Zënkat e hapura apo debatet në FB p.sh, më duken argëtuese. Të dalësh hapur me budallallëkun tënd mund të jetë çliruese. FB, p.sh, është galeri e jashtëzakonshme e vanitetit njerëzor. N.q.s Zuckerbergu do të kishte qenë shqiptar, kam bindjen që do ishim krenuar më shumë me të se me nënë Terezën.

Artistët janë krijues karshi çdo ngjarjeje a tematike që u ndez sinjalin e krijimtarisë. Keni menduar në proces ndonjë film ngacmuar nga ky fenomen edhe në Shqipëri?

Më bëtë të mendoj shkarazi se rrjetet sociale kanë konkurruar televizionet, mediat e shkruara, librin, siç thoni në pyetjet më lart, ndonjëherë edhe marrëdhëniet për së gjalli, por jo filmin. Filmi është arti superior i së ardhmes, që nuk besoj se do të zëvendësohet nga ndonjë realitet tjetër virtual. Për një kineast, mediat sociale janë pasuri. Nuk kam menduar ndonjë film për fenomenin në vetvete, por mund të jetë mjet ndihmës. Ndoshta dikush diku është duke shkruar një skenar të mirë.

Ju jetoni mes dy vendeve, mesa kam shfletuar për ju, a ka një ndryshim në raport me këtë dukuri? Është e njëjta qajse ndaj teknologjisë?

Nordikët, p.sh, më pëlqen më shumë t’i takoj për së gjalli sesa virtualisht. Me shqiptarët ndodh e kundërta. Si dashnorë të mëdhenj të monologut, të duket ndonjëherë sikur ne shqiptarët nuk dëgjojmë mirë nga veshët. Sytë nga ana tjetër i kemi si të shqiponjës edhe pse kam vërë re se kemi pak probleme me ironinë në shkrim apo shikim. Mendoj ka ende vështirësi për t’u deshifruar si duhet ironia e shkruar apo e projektuar vizualisht, që ndoshta ndodh sepse komunikimin verbal e kemi të përmbytur me ironi. Kjo po që mbetet problem teknik. Dua të them që teknologji është edhe shkrimi, shikimi, ashtu si dhe vetë e folura apo mënyra se si njeriu thjesht rri. Çdo gjallesë është qenie bio teknologjike. Teknologjia nuk është tjetër veçse tejzgjatje e qenies humane, pak a shumë siç mund të jetë një protezë. Në këtë aspekt nuk besoj se ka ndryshim të madh në qasjen ndaj teknologjisë për këdo që e zotëron. Ndryshimi mbetet mes qasjes ndaj ironisë, deshifrimit të informacionit, mendimit kritik; thënë ndryshe shkallës të sofistikimit të përdorimit të teknikës, pjesë e të cilës është si sjellja ashtu dhe mendimi. Rrjetet sociale duke pranuar të folurën e përditshme, mendoj kanë sjellë një lloj çlirimi për të luajtur, ndoshta deri diku poetikisht me gjuhën, gjë që njerëzve u ka munguar. Në shkrim tradicional, mesdhetari impostohet rëndshëm, pak a shumë siç vendoset tradicionalisht në tavolinë.

Psikologët thonë se ky trend ka të mirat dhe të këqijat e veta. Keni fituar apo keni humbur miq nga rrjetet sociale?

Kam fituar miq dhe mikesha që i kam humbur sërish, ashtu si edhe kam ruajtur disa të paktë njerëz të rëndësishëm për mua, që në kushte të jetës normale për arsye të ndryshme do t’i kisha humbur ose i konsideroj të humbur, pjesërisht.

Studiues të fushës e shohin dhe si sëmundjen e shekullit. Pak e rëndë për ta pranuar. E mbështetni këtë tezë?

Po flisni me dikë që është përpjekur dhe ka dështuar disa herë të lërë duhanin.

Momentalisht, a keni një projekt në duar që pritet të finalizohet, apo diçka në ngritje e sipër?

Luksi i vetëm që kanë krijuesit kundrejt politikanëve është se nuk janë të detyruar të flasin për projekte të parealizuara kur nuk e kanë të domosdoshme. Në këtë moment jam shumë i trishtuar që një mackë të vogël që shpëtova nga kazani i plehrave ma ka shtypur makina dhe që studentët e filmit në Akademinë e Arteve ku jap mësim, kishin pëlqyer Mad Max: Fury Road, një film shumë të dobët.

Një projekt që ndoshta duhet të ngremë, është të ndikojmë në përmirësimin e shijeve, që do të thotë edhe kultivim i mënyrës së të menduarit. Rrjetet sociale mund të ndihmojnë disi në këtë drejtim, sidomos në kohën kur institucionet dhe mediat publike, përfshi këtu p.sh televizionin publik dhe universitetin, që ka për detyrë të bëjë këtë punë, janë të rrënuara.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top