“Jam rritur me figurën e babait në distancë. Nuk e kam njohur asnjëherë përveç fotografive që më tregonte nëna. Perikliu, siç më ka rrëfyer nëna ime, ka qenë me një temperament të veçantë. Burrë i mençur dhe patriot.”
Jorgo Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, si poet i mijëra vargjeve për të rritur dhe fëmijë. I lindur në Vlorë, që herët, aty nga mbarimi i klasës së katërt fillore, nisi të merret me poezi dhe shkrime. Pavarësisht diplomës së viteve më vonë, për shkenca ekzakte, asgjë nuk ia zbehu ndjesinë për letërsinë. Por edhe pse me një jetë të trazuar, i rritur pa praninë e të atit, ai mundi të kapërcejë me sukses çdo pengesë e të papritur. Tek e pyes për këto ndjesi dhe gjurmët që kanë lënë te mjeshtri i penës, Jorgo Papingji e cek gjithmonë në fillim të bisedës, edhe nëse mund ta takosh për të disatën herë: “Kam vetëm një peng në jetë, që nuk kam njohur tim atë. Babai im ka vdekur kur unë isha gjashtë muajsh”. I qetë dhe i sinqertë, ai rrëfen me emocion historinë e tij. Jetën që falë nënës mësoi më shumë për babanë e tij, Perikliun. “Kam pasur një nënë shumë të kujdesshme, që na mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Atë e kishim edhe baba, edhe nënë. Ajo i donte fëmijët të mirë, të edukuar dhe të kulturuar”. E një artist si ai do ta kishte gjithnjë ‘para syve’ historinë e veçantë të jetës që do të bënte më tej, duke trashëguar tipare që do ta bënin krenar atin nëse do të ishte gjallë sot. “Historia ime është e veçantë. Jam rritur me figurën e babait në distancë. Nuk e kam njohur asnjëherë përveç fotografive që më tregonte nëna. Fati i tij i keq ia mohoi mundësinë për të qenë i pranishëm në rritjen time. Kur nëna ishte shtatzënë me mua, babanë e internuan gjermanët në kampin Mat’hauzen dhe në periudhën kur unë mbusha gjashtë muajsh, atë e vranë. Perikliu, siç më ka rrëfyer nëna ime, ka qenë me një temperament të veçantë. Burrë i mençur dhe patriot. E vuante shumë mungesën e familjes. Ky është pengu më i madh i gjithë jetës sime, që u rrita me mungesën e pranisë së tij. Ka qenë një vuajtje psikologjike për atë kohë. Sidomos për të, që la dhe dy vajza të tjera. Megjithatë, them se diçka kam trashëguar nga ai. Në kujtim të tij, edhe djalit tim i kam vënë emrin e babait. Mendoj se Perikliu i ri gëzon gjërat që duhet t’i gëzonte babai im”. Për Jorgo Papingjin, ditët janë të mbushura plot. Kujtimet hidhen në letër, ndërsa ai nuk resht së pasuri kudo me vete stilolapsin, syzet dhe bllokun e shënimeve.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.80
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.