Klaudia (Mikeli) Hila, regjisore, prej 15 vitesh drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kukullave. E martuar me kompozitorin Adrian Hila. Kanë dy vajza Meril dhe Ketlin.
Njohja e tyre ka veçantinë e vet. E padjallëzuar për kohën dhe plot pasion kundrejt moshës që përfaqësonin. Një histori romantike që lindi në godinën e të ashtuquajturës, Akademia e Arteve të Bukura. 31 Marsi i këtij viti kurorëzon 22 vitet e lidhjes bashkë, pothuajse pak mbi moshën kur bënë publike njohjen e tyre. Ai ishte në vitin e tretë për kompozicion, ndërsa ajo në vit të parë për regjisurë. Teksa secili kishte angazhimet e veta, të qenit pranë një shoqërie të përbashkët ua bënte më të lehtë njohjen, pse jo dhe dëshirën për të qëndruar pranë njëri-tjetrit. Ndonëse të dy kulturave të ndryshme, ai vlonjat e ajo shkodrane me taban, asgjë nuk i pengonte të realizonin një marrëdhënie që sot mban mbi supe peshën e kohës, familjes dhe rritjes së vajzave që ata kanë. Adi spikaste si individ, rrëfen Klaudia, bashkëshortja e kompozitorit të njohur Adrian Hila. Ishte inteligjent e njëkohësisht me humor, gjë që e dallonte mes shokësh. “Mënyra se si erdhi te unë ishte e veçantë. Isha 19-vjeçe ndërsa ai 21. Hapi vendimtar pas do kohe njohjesh përkoi me periudhë zgjedhjesh. Për herë të parë kishim të drejtën e votës. Adi më thotë se do ikte në Vlorë. Ndërkaq më pyet: E ndave mendjen? Në ato çaste zemra më drejtoi e i them: Mos ik. Do takohemi! Nga ajo ditë takimet u shpeshtuan deri në finalizimin e lidhjes”.
Sakrifica
Edhe për të marrë frymë është mbijetesë, më thekson Klaudia. Ekzistenca e një raporti në çift nuk mund të varet thjesht nga plotësimi i dëshirave por edhe i nevojave. Së bashku ata kanë ditur ta realizojnë këtë. “Bashkëjetesa ka problemet e veta për dy njerëz që vijnë nga edukata, fëmijëri të ndryshme, pa diskutim sjellin dhe personalitete të tilla. Mendoj se duke u rritur marrëdhënia, bashkohesh në një trung të vetëm duke i kaluar bashkë vështirësitë. Përjetimi e kapërcimi i tyre e bëjnë lidhjen unike e të ketë vlerë. Ndihem krenare për atë që kam”. Dhe siç e vlerëson regjisorja, pikërisht rritja e përbashkët dhe përvoja e përftuar ndikon në pritshmëritë e një çifti. Klaudia me shaka shprehet se në fillime i ka takuar bashkëshortit të sakrifikojë. “Ishte Adi që më priste me orë të gjata poshtë dritares, kur me fishkëllimë të vogël më shprehte që kishte ardhur. Ai më ka pritur në atë kohë ndërsa unë e kam kompensuar me orët e martesës. Edhe kur vjen vonë pas mesnate, unë e pres për të diskutuar për atë që kemi nevojë”. Të qenit nënë, grua dhe femër kanë bërë që dhe ajo të sakrifikojë. Ndoshta pak më tepër. “Më është dashur të bëhem nënë në moshë të re, 23-vjeçe, sa kisha mbaruar fakultetin. Adi ishte kompozitor me kohë të plotë. Nëse e them që kam bërë deri diku sakrificë në profesion, duke hequr dorë nga disa dëshira të mia, Adi ka hequr dorë nga disa dëshira të pasionit në funksion të kësaj lidhjeje. Është natyrë shumë familjare, këtë e tregon në atë që përfshihet në të gjitha elementët e detajet që familjes mos i mungojë asgjë. Kjo nuk është vetëm një ndihmesë nga ana financiare por për sa i përket kohës së pranisë në familje ka qenë në mungesë. Këtë pjesë e kam mirëkuptuar. E ka idhull familjen dhe kërkon maksimumin për të jo vetëm mes dashurisë por edhe kushteve komode. E ka parë me prioritet këtë. Për t’u bërë një kompozitor i mirë dhe i denjë në atë që ka përzgjedhur sepse një punë e mirë do kohë, përkushtim dhe dashuri. Ndaj sakrificat janë të llojeve të ndryshme por që janë në funksion të familjes”.
Pikat e forta
Që kur ka qenë 21 vjeç, Adi ka pasur pika shumë të forta të karakterit. Kjo më ka tërhequr vëmendjen. Ka qenë shumë kërkues për gjërat që donte dhe i kishte idetë shumë të qarta. Është një ndër pikat e forta të personalitetit të tij që e ka dhe sot. E ka bërë të pëlqyer e të preferuar edhe sot në publik.
Pikat e dobëta
Mendoj se një djalë pas dy motrave ka qenë i llastuar, i përkëdhelur. Këtë ma thotë edhe sot mamaja e tij: “Ke vazhduar ta përkëdhelësh shumë”. Më pëlqen t’i kem në qendër të vëmendjes njerëzit që dua, t’i përkushtohem. Kjo nuk ndodh vetëm te ai, por dhe te fëmijët, miqtë e afërt. Të kesh një Klaudia për shoqe do të kesh patjetër vëmendjen e saj. Këtu më fatlumi ka qenë Adi. Nëse ai ka pasur gjithmonë dobësitë që të kishte një shtëpi të mbushur plot, të cilën e ka realizuar, me miq e shokë, unë kam qenë në të njëjtat mendime me të dhe i jam përgjigjur në çdo pikë. Për t’ia bërë qejfin. Por dhe gjërat e përkëdhelitë nga familja them se i ka reduktuar për të mirën e familjes dhe raportit. Është një format reciprok. Unë ia jam përkushtuar emocionalisht ndërkohë që ai ma jep këtë kënaqësi në një formë tjetër. E nisur në moshë të herët ka bërë që kjo të vijë e zbutur në lidhjen tonë.
Vlerëso dashurinë
Vazhdoj të them që Adi është njeri i ekstremeve. Ka çaste që kalon pa ndonjë deklaratë të mirëfilltë, ashtu siç ka ndodhur që në një moment të mërzitur timin, ka ardhur me violinë apo me piano dhe ka bërë pjesë të caktuara. Këto janë gjëra që një njeri ka dashuri brenda vetes. Nuk duhet t’ia kërkosh, por kur e ka, duhet t’ia vlerësosh. Mund ta kem të përditshëm dhe ndryshe. Jam rritur në një familje shkodrane, me shumë dashuri, me artin, muzikën, e ndjej gjithmonë të nevojshme që fjalët e dashurisë t’i përçoj. Adi ka fatin që Klaudia nuk pret kohën e duhur, por sa herë ma ndjen zemra e them. Raporti i lidhjes nuk përkon vetëm më atë se sa dashuri ke por sa investon për atë. Fjala e ka fuqinë e vet brenda.
Botuar në revistën Psikologjia, shkurt 2013
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.