Ai ndihet baba tradicional. Në fund të fundit punët e grave duhet t’i bëjnë gratë. Koncept i prapambetur apo në modë, gjithsesi ky është një koncept që plot burra e përkrahin fuqimisht. E megjithatë kjo nuk ka të bëjë me ndonjë fanatizëm të sëmurë. Problemi, sipas regjisorit Kujtim Gjonaj, është se janë disa punë ku dora e gruas ndihet më shumë sesa po ta bëjë një burrë, ashtu siç ka punë të tjera që u takojnë burrave dhe gratë e kanë më të vështirë t’i bëjnë.
Ai ka punuar si regjisor dokumentaresh, dhe puna në terren nuk i ka dhënë aq mundësi sa të shpalosë dhe pjesën moderne të tij si baba. Kështu që falë profesionit ka mbetur po aq tradicional sa dhe burrat e një shekulli më parë.
Nuk është marrë me larjen e fëmijëve, me ndërrimin e pelenave jo e jo, pa le të mendosh për pudrosjen e barkut dhe këmbëve të tyre. Por ai ka qenë i kudondodhur për të marrë mbi vete përgjegjësitë e tjera si baba. Kujtim Gjonaj, babai i tre fëmijëve, Gentit, Valbonës e Martinit, më në detaje, gjatë një interviste për revistën “Psikologji” thotë:
Si e përcaktoni veten, baba tradicional apo modern?
Në konceptet e mia tradicional është babai që merret me familjen e konsoliduar, me një bashkësi brenda familjes. Unë vetë jam mësuar i tillë…
Cili ka qenë kontributi juaj në përkujdesjen e fëmijëve?
Këtë do ta merrja si një burrë që i shërben gruas. Nuk e them për konservatorizëm, sepse unë jam një njeri që e kuptoj emancipimin e femrës, por janë ca punë që një burrë nuk i bën dot. Siç janë ca punë që një grua nuk i bën dot. I ka ndarë vetë natyra këto gjëra. Një baba që vë përparësen për të gatuar se si më duket. Unë nuk di vetë të gatuaj. Jo se nuk dua por nuk di ta bëj. Nuk mund ta bëj për hir të asaj që të quhesh një burrë modern apo i kohës.
Dhe një burrë në fund të fundit duhet të paraqitet edhe tek të tjerët ashtu siç është.
Atëherë, ku ka konsistuar roli juaj si baba?
Detyra ime ka qenë të edukoja fëmijë me moral të lartë, që nesër të ndihesha krenar që janë fëmijët e mi, dhe ata të ndihen krenarë për atë çka u kam dhënë unë. Në këtë kuptim unë jam përpjekur t’i edukoj më së miri. E tani, jam tepër i kënaqur me të tre. Secili ka zgjedhur rrugën e vet dhe ecin me këmbët e tyre.
A keni qenë autoritar?
Besoj se duhet të kem qenë i tillë. Nuk e kam përdorur autoritetin brutal në kuptimin e një njeriu të dhunshëm. Për punën që kisha unë ikja shpesh me shërbime, një regjisor e ka punën në terren. Duke qenë disi larg, përzihej malli me dashurinë, respektin dhe njëfarë droje për babanë. Fëmijët më kanë respektuar maksimalisht dhe këtë e them se kur merrnin ndonjë notë, si 9-ta, nuk e tregonin, për të shmangur ballafaqimin e kësaj note me ardhjen time nga shërbimi. Druheshin mos u bërtisja. Kam pasur kërkesa maksimale, që fëmijët të bëheshin për veten e tyre, për familjen dhe shoqërinë.
Si silleshit me fëmijët pas një mungese në familje?
Unë jam munduar qoftë nga shërbimet jashtë Tirane apo Shqipërie të sjell dhurata, që të ndjenin përkujdesjen atërore. Por kam pasur një avantazh të madh. Prindërit e mi, kanë qenë tepër të përkushtuar, fillimisht ndaj meje. Ky përkushtim u kaloi tre fëmijëve të mi. Kjo s’do të thotë se babai im nuk ka qenë i rreptë. Por kur rreptësia është brenda normave ndikon për mirë. Por vjen njëfarë moshe që fëmijët duan t’i sillesh edhe si mik apo shok.
Adoleshenca e fëmijëve tuaj ka qenë e vështirë për ju?
Fëmijët e mi kanë qenë dhe janë të mbarë. Por ka qenë vështirësia e periudhës së tranzicionit. Nga një sistem në tjetrin, shkolla u çorodit. Mësuesit ishin të parët që u thoshin nxënësve: dilni nëpër demonstrata apo manifestime. Luhej fati i fëmijëve. Por për fat nuk zgjati shumë.
Po në shkollimin e fëmijëve cili ka qenë roli juaj?
Unë kam menduar gjithmonë se është shkolla ajo që të bën njëri, edukata në familje po e po. Me idenë e përfundimit të shkollës së lartë kam qenë baba tepër kërkues. Kam pasur dëshirë të bëheshin si unë. Sot, më thonë që Valbona është model aty ku është, ndër të paktat që ka mbajtur vendin e punës në të gjitha kohërat falë profesionalizmit të saj. Por edhe Genti, sot është botues dhe ka krijuar vendin e vet. Martini, që është dhe më i vogli, po vazhdon në të njëjtat gjurmë. Kam pasur një bibliotekë shumë të mirë në shtëpi, dhe e them me krenari këtë. Kam dashur gjithmonë që fëmijët e mi në adoleshencë ta bënin të vetën. E them me mburrje se që nga 16-vjeç ata kishin përvetësuar shumë nga kjo bibliotekë. Kam parasysh që kisha 1500 libra në atë kohë, sot janë shumë më tepër. Ky lloj formimi në atë moshë ndikoi në rritjen e tyre të mëvonshme.
Botuar më, Qershor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.