Nga: Orjona Tresa
Ajo nuk mposhtet asnjëherë, është luftarake deri në fund, e ndoshta ashtu si feniksi rilind nga hiri i vet pasi digjet e përvëlohet edhe ajo kërkon të dalë më e fortë pas një skandali ku emri i saj u përlye pa kuptim…
…Në vitin 1972 performanca e saj ishte e paparë në një skenë ku ishin dëgjuar më shumë këngë për “partishmërinë proletare”. Festivali i 11-të në Radio Televizion do të ishte ndryshe, “Kafe Flora” e kënduar prej saj gjithashtu do të ishte krejt ndryshe. Nuk ishte më shumë se 17 vjeç dhe të ngjitej deri në skenën e Teatrit të Operas, ku fundviteve zhvillohej dhe evenimenti më i madh i këngës së lehtë, nuk ishte fare e lehtë. Megjithatë talenti i saj do të triumfonte mbi gjithçka. Që prej asaj kohe, edhe pse festivali në fjalë pati një fat të trishtë, qëllimi i tij ishte të ndryshonte gjëra në sistem, ishte pararojë e mendimit të ri. Suksesi i tij në fakt qe një shpërthim i madh, i cili shënjoi një vlagë që do ta ndjekë këngëtaren Theodhori derisa të jetë gjallë… Po ndërkaq, “Kafe Flora” nuk do të harrohej. Lindita Sota, solistja e re që e këndoi, gjithashtu do të përbënte një imazh të pashlyer për të gjithë. Prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se 40 vjet. Ujërat kanë rrjedhur. Lindita ka mbetur e njëjtë. E bukur bio. Me flokët e zinj, sy të mëdhenj shprehës, tipare që dukshëm nuk kanë zbehur asgjë nga Lindita e shumë viteve më parë. Ora biologjike për të duket se ka ndalur në ato vite. Me një portret të paqtë, e shpenguar e krenare njëkohësisht për atë që përfaqëson, ikona e muzikës shqiptare zgjodhi të ndalet në një rrëfim më të gjatë për dashamirësit e saj. E dashuruar me këngën, pasionante dhe krejt trendi. Por gjithsesi në Londrën e largët ku ajo jeton prej vitesh, më së shumti i është dedikuar familjes së saj, bashkëshortit dhe dy djemve. Në këtë rrëfim për rrugëtimin në profesion dhe jo vetëm, e mirënjohura Lindita Theodhori ndan me ne çaste të pashlyeshme në jetën e saj. Emocionet që vazhdon t’i dhurojë muzika, kënga e lehtë, ajo popullore dhe gjallëria e motivi që i burojnë nga kështjella e saj e shenjtë, familja. Theodhori është një nga vlerat kombëtare, vlerësuar me çmimin “Artiste e Merituar” e “Mjeshtre e Madhe e Skenës”, dorëzuar në 2012 nga presidenti Bamir Topi.
Keni përjetuar ditë jo pak të qeta këtë periudhë pas një interviste të kantautorit Leka, ku përmendet dhe emri juaj?
Mua kjo gjë më ka tronditur nga themelet. Si merr përsipër një njeri të tentojë të cenojë në mënyrë skandaloze figurat e një kombi. A i vë dot një emër? Unë do ta quaja një skandal të paprecedentë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu.
E gjithë kjo ngarkesë psikologjike, cili do të jetë reagimi juaj?
Më duket se është bërë normalitet ky lloj gjykimi karshi gjinisë femërore. Një shoqëri maskiliste kundrejt një gjinie kaq delikate, elegante dhe madhështore siç është gruaja. E tronditur familjarisht i jam drejtuar drejtësisë për t’u njohur kundrejt një qëndrimi që mund të mbajë ajo karshi një skandali të tillë. Them se duhet proceduar penalisht, por a e di se çfarë do të ndodhë? Do të dënohet me 2 milion lekë gjobë. E çfarë do ndryshojë tek ai kjo gjë, do t’i ndryshojë qëndrimin ndaj mentalitetit, karshi vajzave dhe grave. Absolutisht jo. Kur ke parasysh që gjithë e Shqipëria është ngritur kundër këtij personi me këto shfaqje negative dhe kur familja e tij shumë e tronditur kërkon përulësisht falje, unë do të thosha shumë seriozisht që këtu duhet të ngrihen e të thonë fjalën e tyre institucionet, se tashmë kjo nuk është thjesht personale. Kjo ka marrë një nuancë kombëtare.
Si mendon, pse ka reaguar kështu?
Nuk e gjej dot, nuk kam një përgjigje. Është një gjë që nuk ka kufij. Absolutisht që nuk kam pasur asgjë me të. Kam një jetë që nuk e kam takuar. Madje të vetmen herë ka qenë te “Këngët e Shekullit”. Aty më tha: Kam marrë vesh se ke bërë një koncert live. Bravo të qoftë për suksesin dhe aparencën, se dukesh shumë e re. Ne kemi patur njohje të tjera, familjare dhe nuk ma merrte mendja se mund të shprehej në atë mënyrë.
Po familja juaj si e priti?
Unë jam rrethuar gjithmonë nga njerëz që më kanë dashur dhe respektuar, prandaj ndihem e shokuar dhe e befasuar sot, sepse kam ditur të krijoj rreth meje atë kështjellë, që është shumë e rëndësishme. Njeriu vërtet shikon nga pragu e brenda, t’i ketë punët shumë mirë në familje, me shëndetin në radhë të parë dhe korrekt në mënyrë sociale. Pastaj, nuk kalohet vetja e mbyllur mes katër mureve të shtëpisë, por dëshiron të krijosh kështjellën tënde. E kam emëruar kështu, sepse ajo duhet të jetë e fortë dhe jo e butë, që ta rrënosh kollaj. Falë burrit tim, inxhinier ndërtimi dhe dy djemve diva që kam në shtëpi, kam krijuar vërtet një kështjellë të fortë, të pathyeshme. Për këtë jam shumë e lumtur. Këtë e vërtetova edhe këto kohë, pas kaq e kaq vitesh karrierë artistike të lodhshme, të mundimshme, por shumë e shumë të suksesshme e që vazhdon ende.
Fal Lindita, çfarë vlere ka ajo tek ju?
Gjatë gjithë jetës sime jam treguar shumë, po shumë tolerante. Me tri, pesë, dhjetë milion herë do ta thosha këtë. Kur nuk mund ta ndreqësh dot një gjë, është gjynah të mos e falësh. Se edhe në rastin konkret unë nuk do të përfitoja asgjë nga dënimi i tij.
Mendoni se shoqëria është ajo që e dënon një ngjarje të papëlqyeshme?
Patjetër që shoqëria është një tregues i drejtë karshi çfarëdolloj ngjarjeje dhe unë e vlerësoj këtë. Edhe pse nuk jam aktive në rrjetet sociale, këto kohë kam marrë një mbështetje të paparë dhe dashur pa dashur jam bërë aktive. Që atë mëngjes kur u botua shkrimi në gazetë, kutia ime postare kishte mbi 5000 mesazhe mbështetëse. Jam ndjerë mjaft mirë dhe mërzinë e këtyre ditëve e kam kaluar me familjen e madhe të fansave të mi. Dua të vlerësoj dhe qëndrimin e autores së mirënjohur të dhjetëra e dhjetëra teksteve fituese të festivaleve, znj. Zhuliana Jorganxhi, e cila është tezja e të intervistuarit. Më vjen keq, pasi dashur pa dashur është prekur edhe ajo nga ky skandal. Menjëherë më shkroi edhe në emër të së motrës, mamasë së Gjergjit, duke treguar përulje dhe respekt për mua si ikonë e muzikës dhe për familjen time. Është shumë prekëse dhe domethënëse kjo gjë për mua.
Ndërkaq në vijimësi të shkrimeve në gazetë ka patur edhe reagime të personaliteteve që njeh vendi ynë në muzikë e jo vetëm.
Më lejo që të mos jap asnjë konsideratë, sepse këtu ka shumë “kritikë”. Më përpara ata ishin të ashpër sa i takon muzikës dhe ndonjë shkrim në gazetë i kishte shumë të kursyera vlerësimet që mund të bëheshin. Më tepër ishin tregues. Dy gjëra më bëjnë përshtypje dhe që janë shumë të rrezikshme. Bëjnë të njëjtën gjë pavarësisht nga sensi i kundërt. Nëse ti merr përsipër të flasësh shumë keq për një person, si në rastin e skandalit në fjalë, që është një degradim moral shumë i dënueshëm, unë mendoj se çuditërisht shqiptarët këtë rast e kanë dënuar dhe kanë krijuar një solidaritet shumë të jashtëzakonshëm, duke e injoruar në heshtje. Sepse unë shkoj të interesohem se çfarë ka ndodhur me skandalin në rrugë ligjore, ata më njoftojnë se dënimi maksimal ndaj një personi që është i papërgjegjshëm është një gjobë në vlerë monetare për të shlyer këtë gabim të rëndë. M’u duk qesharake. Duke biseduar me familjen time thashë: “Çfarë kanë bërë kështu?! Në këtë mënyrë do të mund t’i ndëshkojnë njerëzit që gabojnë?!” Dhe po prapë thamë në familje të njëjtën gjë, që sikur të ishte ndryshe, a do të kishte vend për t’i dënuar nëpër burgje njerëzit, pasi kjo më duket një gjë shumë e zakonshme në Shqipëri. Tani do them këtë: sa krim bën ky që flet kaq rëndë, aq keq bën një tjetër që jep postulate supremacive, që i bën keq atij që merr në gojë; se nuk gjykojnë të gjithë njësoj. Arti është opinion, ka vend në këtë botë për të gjithë artistët që ta bëjnë detyrën mirë. Gjithsecili nga artistët ka simpatizantët e vet, ka dashamirësit e vet, njerëzit që i duan dhe i vlerësojnë. Lërja publikut vlerësimin! Nëpër botë nuk gjykojnë si këtu. Konsideratat i japin CD-të që shiten. Thuaj sa të duash është i mirë ky apo ajo. Kush shet është më i miri. Ne nuk e kemi pasur shansin ta provojmë këtë, prandaj duhet bërë shumë kujdes se ‘gjuha kocka s´ka, por kocka bluan’. E më pas duhet të mbash përgjegjësi të rënda, sepse asnjë njeri nuk e di çfarë pasojash do të ketë kur e lëshon gjuhën pa fre dhe unë nuk dua të merrem me rastin pa fund, por e them me përgjegjësi se kemi mbajtur frena të forta shumë si familje. Nuk duam të na mposhtë skandali, dhe jo vetëm të na mposhtë, por as të na cenojë. Ne duam që të jetojmë bukur në familjet tona, ashtu siç ne dimë ta bëjmë, ashtu siç kemi jetuar gjithmonë.
Flasim për diçka tjetër. Çfarë ju bëri të largoheshit nga ky vend?
Kam qenë nga njerëzit e dyzuar që kanë dashur të largohen nga vendi, por mbase periudha e trazirave, duke menduar për djemtë, të ardhmen e tyre, të shkolloheshin mirë, të kishin një jetë më të mirë. E kam vuajtur shumë, sepse nuk kisha mundësi që të vija sa herë që dëshiroja. Kisha shumë mall, më mungonte skena. Kam filluar të këndoj shumë e vogël, në festivalet e fatosave, të pionierëve, në festivalin e ushtarit, në anketat muzikore një herë në muaj e që merrnin çmim për këngën më të bukur, kam kënduar në Estradën e Shtetit, ku këndonin Vaçe Zela, Sherif Merdani, Ema Qazimi… Pastaj kam kënduar në festivalin e liceut artistik, ku kam marrë çmimin e parë dhe pastaj në Festivalin e 11-të. U ktheva me një dashuri dhe madhe për skenën. Për ata dashamirës që gjeta në Shqipëri bëra një koncert recital të madh në Korçë, Fier dhe Vlorë. Ishte e dukshme, u shkrua edhe në media për të dhe ka qenë një koncert shumë i suksesshëm, dy orë live, i organizuar dhe konceptuar në mënyrë shumë moderne nga unë vetë. Mua më mbush skena në Shqipëri dhe koncertet. Kjo jam unë.
Si është jeta në Londër?
Unë nuk e kam të vështirë të përshtatem. Por Londra ka tjetër trajtim për artistët. Ka një suport të jashtëzakonshëm për njerëzit. Familja ime është investimi im më i madh atje. Ndërkaq kam qenë e ftuar e mbrëmjeve për bashkatdhetarët e mi atje dhe jo vetëm, por në të gjithë botën ku ka shqiptarë. Kam shkuar me shumë dëshirë, kam kënduar dhe kam ndjerë një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe. Çdo gjë në jetë e kam bërë me shumë dashuri, si profesionin, rolin e gruas, rolin e mamit, e një mikeshe të mirë. Si natyrë fal shumë dashuri dhe respekt. Kjo jam unë.
Sa të fortë ju kanë bërë mentaliteti, pengesat, vështirësitë, paragjykimet?
Është e vërtetë që mentaliteti ka qenë i pashkëputur dhe vazhdon të jetë ende këtu. Ndërsa në Angli as e kam ndjerë ndonjëherë. Unë nuk mund të ndryshoj dot botën. Dua të ndalem këtu, duke menduar se mentalitetet kanë të bëjnë me trurin dhe truri është gjëja më e rëndësishme në marrëdhënie me shoqërinë, familjen, punën e gjithçka në jetë. Por ndonjëherë “truri ngre kala, truri bën hata”. Nuk ka rëndësi të luftosh mentalitetin, pa luftuar më parë nivelin. Duhet të rritet niveli, duhet të kulturohen njerëzit, ta avancojnë mendimin, ndryshe nuk zhduken paragjykimet. Unë kam shumë besim se do të hyjmë në BE. Ne jemi kërthiza e saj. Problemi është ky që: ja ne u bëmë gati, ‘detyrat e shtëpisë’ do t’i bëjmë, por puna është sa do të ndryshojë mentaliteti, sa do të zhvillohen njerëzit që mendojnë jo bukur. Ky vend ka shumë nevojë për qetësi dhe dashuri. Populli ynë ka qarë, ka vuajtur shumë, është vrarë shumë, ka luftuar shumë… Mjaft është mjaft. O njerëz të mirë, do thosha, dhe kjo gjë më vret shumë: të doni sa më shumë njëri-tjetrin në jetë. Nuk ka gjë më fisnike. Të falni sa më shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Këtu edhe ato vlera që i kanë, duan t’i baltosin. Duan apo nuk duan të tjerët, unë jam një artiste. Jam pjesë e historisë së artit të këtij kombi me titujt që ju përmenda. Një grua me karrierë 45-vjeçare si mundet të mos e ndjejë këtë pas kaq vitesh?! Mua më vjen shumë keq për të përgjithshmen, jo thjesht për veten. Më vjen shumë keq për shoqërinë këtu. Mezi kam pritur të vij me pushime, të kthehesha. Çfarë gjeta këtu?! Një hamësi të paparë. Është si puna e atij të njeriut që ka qenë i pangopur dhe vuan nga një uri, e sot është gati të hajë njeriu-njeriun. Më tromaks shumë kjo gjë. Edhe jashtë shoh një zili të paparë. Dua të marr shembull veten time në raport me punën. Arti, siç është në tërësi jeta, është një garë. Në jetë duhet të garosh që të jetosh. Nuk ka mundësi që të futesh në rrugën e artit, të konkurrosh e të mos duash të dalësh i pari, në kuptimin që të jesh i plotësuar. Sinqerisht, nuk kam pasur zili profesionale. Kam qenë e respektuar në shumë drejtime dhe kam pasur një audiencë shumë të mirë, mjaftueshëm e madhe. Nuk e dija që paskam pasur kaq shumë dashamirës. Shqipëria ka nevojë të këndojë, të qeshë, të qetësohet, ka nevojë për dashuri.
Sa ju motivon kënga?
Unë nuk e konceptoj dot pjesën tjetër të jetës sime pa kënduar. Ndonjë mund të thotë se jeta gjithmonë e ka një fund. Përveç pjesës tjetër të dashurisë për fëmijët, për familjen, muzika e kënga është ajo që më mban gjallë. Më motivon, më bën të ndihem në luftë me kohën, me moshën, pengesat e tjera, që unë të ngjitem në skenë. Ligjet e natyrës nuk i ndryshoj dot, as nuk marr përsipër ta bëj, por në një familje ku ndihesh gjithmonë plot, ndihesh shumë e re, emocionale, ke çfarë t’u jap të tjerëve, se me thënë të drejtën vokalisht nuk kam pasur ndonjë problem. Muzika dhe arti në përgjithësi i fisnikëron njerëzit, u jep jetë. Është një ushqim shpirtëror, njësoj sikur të hajë dhe bukën e përditshme. Historikisht mbaj mend që ato kohë kur këndonim njerëzit na thoshin që ishim bërë një person plus në familjet e tyre. Prandaj do të desha shumë që njerëzit me vlera t’i ruajnë si sytë e ballit. Nga përvoja që kam në jetë aty ku jetoj, them me bindje se artistët e tyre ata i kanë si ikona të shenjta, i ruajnë me shumë kujdes. I duartrokasin pa pushim, u falin shumë dashuri, shumë mirënjohje. I ngrenë në piedestal. Pse të mos ndodhë dhe te ne?! Përveçse kam dhënë kontribut në muzikë, kam kryer dhe një Akademinë e Lartë të Arteve për aktrim. Kam qenë larg, në Korçë, nënë e dy fëmijëve. Ka qenë shumë e vështirë për mua edhe të isha një zonjë e përkushtuar në familje, edhe një këngëtare shumë e suksesshme. Vlerësoj këtu natyrën time që kur marr përsipër një gjë e bëj.
Domethënë keni sakrifikuar?
Nuk kam sakrifikuar punën, por familjen për punën. Nuk më pëlqen të flas shumë, sepse në atë kohë ishte një gjë e zakonshme, por më detyronin kushtet, duke qenë se nuk kisha as nënën time dhe as vjehrrën. Detyrohesha t’i merrja fëmijët me vete. Rruga për të ardhur në Tiranë ishte shumë e vështirë se bëhej me autobus dhe tren. Ishin gati dymbëdhjetë orë rrugë, por dëshira për të dalë në festival ishte aq e madhe, saqë dhe fëmijët i merrja me vete. Edhe kur provat ishin natën vonë, i mbaja afër, duke qenë njëkohësisht në krye të detyrës dhe në nivelin e duhur si nënë. Kam fituar dhe shumë çmime në bazë të përkushtimit që kam pasur dhe suksesit tim. Prandaj sot më vjen keq për sa dëgjoj.
Kohërat kanë ndryshuar? Ndiheni me fat që i përkisni një periudhe tjetër?
Pavarësisht sistemit që kemi jetuar, personalisht, si familje, si bashkëshorte, nënë, këngëtare, e kam përjetuar e lumtur dhe shumë e respektuar nga artdashësit. Unë i jam përkushtuar shumë punës sime, por njëkohësisht jetës bashkëshortore dhe kam pasur një familje të shkëlqyer bashkë me Maqon dhe dy djemtë e mi, që të them të drejtën, më kanë mbështetur gjatë gjithë jetës me shumë dashuri. Ai është një nga inxhinierët më të zotë, djemtë më të respektuar që ka patur Korça, por dhe një nga djemtë më të bukur që ka patur koha. Duke qenë se ka pasur një alkimi të jashtëzakonshme edhe pas 40 viteve martesë kaq të lumtur, do të kishte një shpjegim të dytë.
Ke qenë e përkëdhelur mes tre meshkujve?
Në fakt, kanë qenë katër meshkuj se kam pasur edhe babain e Maqos në familje. Është e vërtetë që është shumë e vështirë për t’u shërbyer meshkujve në familje e të bësh detyrën dy herë në ditë në punë, të dalësh në darkë në koncert, përpara qindra spektatorëve. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por sinqerisht, me shumë kujdes unë nuk kam dashur shumë që të isha e lumtur, unë kërkoja respekt dhe dashuri. Po i pate këto, ke gjithçka. Këtë e kam pasur pa kursim në familje dhe pavarësisht gjithë lodhjes së ditës, përballë tyre unë isha një nënë e përkushtuar dhe e palodhur ndjehesha e lumtur dhe e përkëdhelur.
Çfarë ju lumturon nga familja?
Djali i madh Marseli, është një nga novatorët më me emër në Londër, që ka marrë 8 kupa. Ka një konsideratë të madhe për të në Londër, për punën që bën. Është një djalë që e ka jashtëzakonisht pasion punën e tij. Po ashtu dhe Devis Kris punon në të njëjtin profesion dhe është po kaq i suksesshëm. Konkretisht Marseli ka bërë një shpikje në botën e makinave dhe është vlerësuar më shumë çmime në Londër duke bërë bujë kudo në botë, por edhe në Shqipëri. Një lajm i bukur këto kohë për familjen është se së shpejti do të na vijë dhe një pjesëtar i ri, një nip. Do të doja shumë një mbesë, pasi në familje jam rrethuar nga meshkujt, por jam shumë e lumtur pasi kam nuset e djemve, që i dua si vajza. Janë të edukuara, të sjellshme dhe shumë të përshtatshme për djemtë e mi. Duhen shumë me njëri-tjetrin dhe për këtë ne të dy me Maqon jemi shumë të lumtur. Nuset janë shqiptare dhe janë të dyja korçare, Nora dhe Joli. Rastësisht jetojmë në një zonë të mrekullueshme në Angli që quhet ‘Chigwell’. Njihet si zona e të pasurve, por ne jemi rastësisht atje. Bëjmë një jetë të bukur, të qetë, me shumë harmoni dhe dashuri në familje. Jam shumë e etur ta them se kemi një mirëkuptim dhe respekt të jashtëzakonshëm.
Si erdhi kjo zgjedhje e djemve?
I vogli, Kris Devis është njohur që në fëmijëri, në kopsht dhe ruante nostalgjinë e fëmijërisë. Pastaj u rilidhën në rrjetet sociale dhe shkoi e mori Jolin në Greqi, atje ku ajo jetonte. Kështu edhe djali tjetër, i madhi donte një nuse korçare, gjeti atë bukuroshen që kërkonte. Ky qe qëllimi i tyre dhe janë shumë të lumtur. Dëshiroj shumë që ata të kenë në radhë të parë shëndet dhe fat se është shumë e rëndësishme.
Ndalemi te muzika. Ju lëvroni këngën e lehtë dhe atë popullore. Si ka ardhur kjo gjë te ju?
Kur shkova në Korçë, rastësisht dëgjoj disa këngë shumë të vjetra korçare me Josif Mingën, që ishin të palëvruara prej rreth 100 vjetësh. Fillimisht m’u duk e papërshtatshme, duke gërmuar e duke vazhduar të punoja, zbulova që ato këngë popullore të Korçës kishin atë bukuri, atë elegancë, atë madhështi e ndjeshmëri që unë duhej të merrja patjetër përsipër t’i këndoja. Dhe unë i këndova ato. Dhe… ua, çudia, suksesi i jashtëzakonshëm në mbarë Shqipërinë. Jam shumë krenare për to. Të gjithë trevat e Shqipërisë kanë një muzikë të jashtëzakonshme popullore, por unë jam e dashuruar pas muzikës së jugut. Dhe do të dish, në disa momente delikate të jetës time dëgjoj ato kabatë e bukura, të ndjeshme, që të bëjnë të qash kur i dëgjon. Ato janë një simfoni pa mbarim, ato janë perlat e muzikës tonë. Është shumë bukur të këndosh, të fisnikëron. Ta mbush shpirtin me kënaqësi, me gëzim. Kënga popullore është një vlerë më vete. Edhe jashtë kufijve, shumë bashkatdhetarë e kërkojnë këngën popullore. Mbaj mend në Australi një fans pasi ndoqi koncertin në mbrëmje, u ngrit në skenë dhe më puthi në gushë duke më thënë: “Të këndoftë shpirti! Ti që na këndove sot këto këngë, më kujtove mamanë dhe babanë, që kam 70 vjet që s’i kam parë, që i këndonim qëmoti këto këngë” dhe të nesërmen ai u nda nga jeta me kënaqësinë e asaj mbrëmjeje.
Keni ardhur në Vlorë, pse pikërisht aty me rezidencë?
Mua po më bëhen shumë vite në Vlorë, që nga 2007. Vlonjatët janë njerëz pak të ashpër, por janë dhe delikatë gjithashtu. Po të jesh në një pozitë të vështirë, janë shumë të mirë dhe të gjenden pranë, të duan. Ata e kanë të vështirë ta tregojnë dashurinë. Ama dinë ta tregojnë me vepra. Vlora është një vend shumë i bukur. Duke qenë se kam parë shumë vende të botës, këtë e them me bindje. Është parajsa vetë, është perlë.
I ruan marrëdhëniet me miqtë apo mikeshat e të njëjtit profesion që ke në Shqipëri?
Nuk kam aq miqësi të ngushta. Edhe ato që i kam i kam të paktë dhe jashtë profesionit. Pastaj edhe largësia ka bërë të vetën.
Tani është zhvilluar shumë dhe bota virtuale. Sa ju kanë mbështetur ndjekësit tuaj në rrjetet sociale?
Unë nuk jam shumë aktive. Ruaj privatësinë time familjare, civile. Ajo që të tjerët ndjekin në rrjetet sociale, ka të bëjë me profesionin tim. Sigurisht që të gjithë e dinë që unë kam dy djem të rritur, të martuar, që së shpejti do të bëhen me fëmijë dhe është një kënaqësi e rrallë. Ndaj dhe shpeshherë jam larguar nga ekrani dhe skena, se përveç kësaj detyre që është një gjë e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme për mua, është dhe detyra si mama, si grua e bashkëshorte. Sepse në krye të detyrave duhet të isha vetëm UNË.
Femrat kanë shqisën e gjashtë për t’ia dalë…
Mua nuk më ka munguar asnjëherë energjia, mendimi, dashuria, respekti. Jam shumë e përkushtuar në familje. Kam dashur gjithmonë që ata të jetojnë shëndetshëm, bukur, ngrohtë, të ushqyer mirë dhe sigurisht të shkolluar dhe të edukuar, sepse ka qenë qëllimi ynë si prindër, që fëmijët tanë të bëheshin të mbarë, të vlefshëm dhe me shumë krenari them se ia kemi arritur qëllimit.
Ka një qëllim rikthimi pak më i gjatë?
Ne kemi një shtëpi shumë të bukur në Vlorë. Deri tani nuk kemi ardhur shumë shpesh për shkak të detyrimeve, por mendoj se do të jemi gjatë këtu, pasi mendoj të merrem personalisht me punën time dhe sigurisht me në krah bashkëshortin, mendimin e tij të jashtëzakonshëm. Atë e kam kritizerin më të madh timin. Në pothuajse të gjitha interpretimet e mia do ta gjente ndonjë kleçkë të vogël e kjo më ka shërbyer shumë.
Nuk të ka mërzitur kurrë kjo gjë?
Jo, sepse unë gjithmonë këshillohesha me të. Jo gjithmonë kam pasur këngë të bukura, që të më përshtateshin, pavarësisht se ndonjëri mund të mendojë që kisha zgjedhje, por unë kam qenë gjithmonë larg, në Korçë, me dy fëmijë dhe nuk kam ardhur që në fillim, e preokupuar në festival, por ndoshta nga gjysma e këtej. Mund të merrja edhe ndonjë këngë të papreokupuar në atë kohë. E megjithatë me krenari them që e kam bërë të bukur dhe u kam dhënë çmime të dyta vazhdimisht. Deri aty ka qenë vlerësimi i këngëve që unë kam kënduar. Pastaj, kam marrë një çmim të parë të këngëve si interpretuese. Sot është më ndryshe, se këngëtarët këndojnë më shumë këngë të huaja se sa shqip. Në botë dalin me mijëra e mijëra këngëtarë në vit dhe publiku i zgjedh. Lërini njerëzit t’i zgjedhin dhe t’i mbajnë në treg këta këngëtarë, sepse secili ka meritat dhe vlerat e veta në çfarëdolloj gjinie të artit. Ka vend për të gjithë.
Çfarë do të kishit dashur të ndryshonit në atë kohë, por që nuk jua lejonte sistemi? Keni pengje?
Nuk mund ta mendosh dot. Unë kam qenë shumë e vogël kur kam filluar të këndoj, por kam qenë shumë e respektuar, sepse dija ta bëja punën shumë mirë. Kam nostalgji sepse të pëlqen apo nuk të pëlqen, aroma e asaj kohe ka të bëjë me rininë, periudhën kur je martuar, je bërë prind… janë periudha të rëndësishme të jetës, të shoqëruara me këtë lloj muzike. Ti e ndjen ashtu siç ka qenë ajo. Nuk do ta ndryshosh. Unë do të doja që sot që janë mundësitë, të bëja diçka më shumë se atëherë. Jam pak e rezervuar, se muzika e huaj, ajo që marrin përsipër njerëzit të këndojnë, e ka thënë fjalën e vet nga ata që e kanë bërë e nuk është mirë të thuash që “jam shumë këngëtare e madhe se kam kënduar repertor të huaj”. Për mua është bukur të këndosh shqip. Sot dua të këndoj këngë më të bukura se atëherë.
Pse jo këngë si atëherë?
Sepse kishe censurë. Gjërat do të duhet t’i bëje ashtu siç t’i kërkonin. Nuk të linin dorë të lirë të kompozoje. Nuk kishe hapësirë interpretimi, duhej të qëndroje drejt para mikrofonit, duke nxjerrë një herë njërën dorë e një herë tjetrën. Kur isha një herë te motra ime në Amerikë, ajo kishte një kasetë të vjetër timen dhe kur shkonim diku dëgjova një këngë të vjetër që kisha kënduar. Qava, jo thjesht nga nostalgjia, por se ajo këngë, mbase e rëndomtë, pa ndonjë vlerë të madhe më solli ndërmend se unë e kisha kënduar e përkëdhelur aq shumë sikur po i këndoja të dashurit. Isha e detyruar t’i bëja yzmetin çfarëdolloj kënge a muzike që më vihej përpara, sikur të ishte më e mira. Na kërkonin të jepnim maksimumin.
Cilat janë planet e afërta?
Me këtë rast, kam ndërmend të bëj një këngë të re, klip të ri. Është dëshira brenda vetes dhe mezi po pres. Tani jemi të gjithë të përqendruar që unë të fokusohem në karrierën time. Edhe për dashamirësit, që paskan qenë vërtetë shumë dhe i falënderoj nga zemra, pasi më kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme këto ditë, por edhe për atë që unë nuk mund të rri dot pa e bërë këtë gjë pasi ndjehem shumë e re, energjike, shumë e etur për skenën. Do ta konsideroja një etapë të re të jetës sime artistike në këto vite. Kënga është jeta ime.
Ndalemi në një prirje të veçantë tuaj. Cili është raporti juaj me modën?
Jam e dhënë pas saj, e dëshiruar që ta ndjek përgjithmonë. Jo modën si koncept, se jo gjithmonë ajo që del të përshtatet ty, por të marr atë që më përshtatet mua nga ajo.
Po sportet, sa vend zënë te ju?
Unë jo rastësisht merrem me gjimnastikë, palestër, not. Kam një jetë që merrem me ushtrime fizike dhe më është bërë si një profesion i dytë. Por meqë unë kam zgjedhur të jetoj në Londër, e kam shumë pranë detin dhe i kam marrëdhëniet shumë të mira me të. Notoj shumë.
Kurimi i imazhit, çfarë vlere ka te ju?
Është shumë i rëndësishëm, por të them të drejtën unë jam shumë e kujdesshme vetë. Janë disa gjëra të lindura me ty, jo thjesht për shkak të profesionit. Shija është e lindur me ty, disa dhunti si të vishesh, të kurosh imazhin vijnë bashkë me ty. Për mua është shumë e lehtë kjo gjë, nuk më krijon asnjë vështirësi. Të ndjehesh e azhurnuar të ndihmon shumë të merresh me skenën, me artin, me këngën. Nuk është një hobi, por është jeta ime. Për mua është e rëndësishme të jem bio.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.100
Fotot: Vlasov Sulaj
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.