Në fokus

December 3, 2016 | 7:47

Dëshmi/Luli Lleshanaku: Ndjeshmëria dobësia ime më e madhe

I njoh mirë dobësitë e mia. Një nga më të fortat është ndjeshmëria. Prekem dhe reagoj shpejt. Duke e njohur këtë cilësi përpiqem ta shmang, por bëj një gabim të dytë: akumuloj përbrenda, e pastaj në një rast të dytë reagimi është në ekstrem dhe kjo m’i komplikon shumë gjërat. Jam nga ata njerëz, që mund t’i çojnë gjërat në dreq për punë sekondash, pa menduar gjatë. Zakonisht, kurrë nuk prekem për gjëra të vogla. Në familjen ku jam rritur, krenaria ishte gjëja e fundit që ndoshta kishte mbetur, e kjo është arsyeja që ruhej fort.

1Pa pasuri, pa të ardhme, pa një pozicion të lakmueshëm shoqëror, e çfarë mbetej pastaj? Ishte vetëm një emër i mirë që duhej të mbrohej me çdo kusht. Sidomos daja i madh, me të cilin edhe kam jetuar nga afër, e kishte shumë të theksuar ndjenjën e krenarisë. Ai ishte njeriu i cili, edhe pse punonte në fermë mes fundit të shoqërisë, mund të ishte po kaq i respektuar sa edhe një mbret. Prej tij mësova se nuk ka rëndësi se ku të përplas jeta; ti mund të dallohesh prej të tjerëve e mund të të mos bjerë asnjë “qime” në shpatulla. Njerëzit e ndjejnë me intuitë atë që përbën “klas”. Madje, krenaria është një gjest i dënueshëm edhe nga feja, por nuk e përfytyroj dot një krijesë njerëzore që nuk ka qoftë edhe një vetëdije të fryrë për veten.

Pastaj, e dini pse i mbaj syzet e diellit?

I mbaj për të fshehur sytë, sepse unë për dreq e shfaq në sy se çfarë mendoj. A nuk t’i komplikon kjo gjërat? Kam edhe shumë dobësi të tjera. Fjala vjen, mund të manipulohem kollaj dhe shumë herë marr përsipër gjëra që nuk do të doja t’i bëja, vetëm se nuk them dot “jo”, në momentin e duhur. Jam tmerrësisht dembele nëse gjërat lihen në dorën time. Prandaj e kam parë që rruga më e mirë është të vepruarit me kontratë, së cilës nuk kam nga i luaj. Pra, unë jam njeriu që vepron vetëm me “thikë në fyt”, vetëm në sajë të detyrimit.

Tjetër?

Të mitë ankohen se jam shumë egoiste. Si e tillë, ka shumë mundësi që një ditë të mbetem krejt vetëm, pa një mik dhe pa një njeri që të kujdeset për mua. Por nuk dua të mendoj kaq gjatë. Duke njohur veten, ne përpiqemi të shmangim ato situata të cilave më së shumti u druhemi.

Sa funksionon kjo strategji?

Nisur nga reagimi im impulsiv, përpiqem të mbaj shumë përbrenda. Por, kjo mund të çojë në një situatë akoma më të keqe: që shpërthimi të ndodhë në momentin e gabuar dhe të jetë akoma më shkatërrues. Jetojmë në një epokë, ku virtyti kryesor për t’u pranuar në një vend pune konsiderohet aftësia komunikuese dhe puna në grup. Sa më tolerant të jesh, aq më të lehta do t’i kesh marrëdhëniet me të tjerët.

Por çështja shtrohet: sa tolerant? Aq sa të mos njohësh më veten? Çfarë e përbën thelbin e secilit prej nesh, atëherë?

Sa për egon, nuk e ndryshoj dot. Megjithëse ankohen, besoj se edhe fëmijët e mi kanë mundur të përfitojnë pak prej saj. Dhe ndoshta Lodia, vajza ime e madhe, është ajo që më njeh më mirë kur thotë: “E urrej tipin tënd, por prapë, dua të jem si ti!” . Jam njeri i rrëmujshëm. Vendi im i punës është vendi më kaotik në botë. Sendet i gjej me të prekur, ashtu siç janë të pasistemuara prej muajsh. Thuhet se rrëmuja reflekton kaosin me mendje. Kam frikë se edhe në mendje e tillë jam. Por, ama, rregulli më tremb më shumë se rrëmuja. Megjithatë, pas të këqijave që kam, them se kam një veti të mirë që i balancon disi të metat dhe që më ka bërë të kem miq të mirë: them se jam e drejtë me njerëzit. Të bardhës nuk i them dot kurrë e zezë, dhe të zezës, kurrë e bardhë. Madje, kam hyrë në sherr në momente kur kam parë diçka të padrejtë para syve të mi. Edhe kjo gjë besoj se ka lidhje me fëmijërinë time. Çuditërisht, edhe miqtë më interesantë i kam krijuar pikërisht në sajë të defekteve të mia. Më kujtohet një situatë në Hong Kong, kur unë u preka nga një shaka e njërit prej shkrimtarëve të grupit, dhe reagimi im ka qenë i atypëratyshëm dhe shpartallues. Por, pasi e thashë, u skuqa dhe thashë me vete: “Obooooo, e dreqosa fare!”. Por pikërisht atë moment dëgjoj një amerikan dhe një arkitekte nga Hong Kongu të ulur afër meje, t’i thoshin njëri-tjetrit: “Uau, Ana Manjani!”. Dhe tjetri: “Unë gjithë jetën e kam kërkuar këtë guxim!”. Desha të them, ai huq që mund të t’i prishë shumë punët në njërën anë, mund të të bëjë shumë simpatik për një palë tjetër. Dhe nganjëherë, diplomacia më e madhe është mungesa e diplomacisë. Por vetëm nganjëherë ama…

Priremi të gjithë të ndjekim forcën, pushtetin: pse?

Deri vonë, i druhesha pushtetit mashkullor në familje. Jam rritur në një familje patriarkale, ku nuk shtrohej vakt në tavolinë pa qenë mashkulli i shtëpisë. Dhe fjala e tij ishte ligj. Plus që daja ishte njeri shumë autoritar; i bindeshin edhe të vëllezërit. Kjo më ka bërë që edhe ta ekzagjeroj disi pushtetin mashkullor në shoqëri. Me vite kam ndryshuar disi, por akoma, në mos ndrojtje, është diçka tjetër që më bën të besoj më tepër tek meshkujt: të qenit racional. Kam bindjen se meshkujt janë ata që dinë të reagojnë në mënyrë racionale në situata kritike. Unë jam ajo që alarmohem shumë shpejt dhe e reflektoj hapur këtë. Ndryshe nga unë, im shoq di shumë mirë ta fshehë shqetësimin dhe ka gjithmonë atë qetësinë e “do t’ia gjejmë një zgjidhje, gjithsesi”. Sa është dobësia një shtysë e mire për ndryshim? Ka gjithmonë një terapi të vetvetes. Rruga më e mirë është të përballesh me të. Nëse duhet t’i ruhem anës sime impulsive, bëj çmos që ta mbush jetën me njëmijë gjëra, që të mos kem kohë të ndalem në situata të pakëndshme. Pastaj nga jeta kam mësuar të bëj durim e të pres momentin e duhur të kundërpërgjigjem. Dhe ai moment vjen. Edhe vetë Kenedi e kishte një parim: “Të bëjnë keq? Tërhiqu dhe përgatit në heshtje hakmarrjen!”. Zgjidhja më e mirë e shmangies së dobësive është intensiteti me të cilin e jeton jetën. Ajo që vërtet të mban gjallë psikologjikisht, është edhe shtrirja e hapësirës gjeografike. Vitet e fundit më ka qëlluar të jetoj midis dy kulturave, sa në Shqipëri, aq edhe në SHBA. Kjo ka bërë që të përfitoj goxha nga mënyra praktike amerikane e jetesës. Shoh tek vetja diçka që nuk e kam pasur më parë: jam gati të anashkaloj shumë gjëra që janë të vogla, për të arritur qëllimet e mia. Po kështu kam përfituar goxha nga mënyra e tyre formale e komunikimit: ji e sjellshme, por mos i merr emocionalisht ata me të cilët ke të bësh. Megjithatë, t’ju them të drejtën, shumë herë ndihem në krizë kur duhet të kaloj në mënyrë arbitrare nga njëri realitet në tjetrin.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.52

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top