Asnjë karrierë profesionale e vendosur në ‘shina’, nuk do të mund të plotësonte kërkesat e saj për sa i takon përmbushjes së modelit të përkorë familjar. Sepse të qenit e realizuar në aspektin e punës, nuk do të mund t’i kthente mbrapsht prekjet dhe praninë mëmësore në të gjithë stadet e moshës së tri fëmijëve të saj. Për bashkëshorten e ish-futbollistit të njohur, aktualisht trajner me klubin e Gjirokastrës, Nevil Dede, prania e të dy prindërve është esenciale në brumosjen e tipave dhe karaktereve të fëmijëve. “Hoqa dorë nga puna vetëm për hir të fëmijëve të mi. Ata kanë nevojë për përkujdesjen dhe dashurinë time të vazhdueshme, dhe unë assesi nuk jam penduar që kam bërë këtë zgjedhje. Mendoj se ashtu siç dua unë t’i rris dhe edukoj tri fëmijët e mi, nuk mundet ta bëjë askush tjetër. Modeli i mirërritjes së fëmijëve në kokën time është i përvijuar drejt linjave të edukimit të shëndoshë në ambientin familjar, por edhe në atë shkollor ku ata marrin bazat e para të nxënies. Kam investuar bindshëm në këtë pjesë”, thekson Manjola Dede. E diplomuar për punë sociale, por edhe një njohëse e mirë e lëmit të psikologjisë me ngasjet e shpeshta drejt leximit apo lëvrimit në internet të botimeve të reja, për mamanë e tri fëmijëve, Blendina 18 vjeçe, Noeli 8 vjeç dhe vajza e vogël Ebi 5 vjeçe, prania e figurës prindërore tek fëmijët nis që herët në vegjëli për të vijuar deri në fund të jetës. Sa ç’është edhe një ndjenjë e përligjur mëmësore, është edhe përkujdesje dhe nevojë për të qenë pranë fëmijës. Manjola është e vetëdijshme se mbështetja financiare dhe ajo bashkëshortore ka qenë një plus i madh jo vetëm në raportin e saj në çift por edhe në aspektin familjar. ‘Nevili e ka pranuar zgjedhjen time që të heq dorë nga karriera profesionale dhe të merrem me rritjen dhe edukimin e fëmijëve, sidomos kur janë tre si në rastin tonë. Kjo e imja nuk është sjellje egoiste, përkundrazi besoj se është gjëja më e mirë që kam bërë. Nuk e quaj sakrificë, por vetëm detyrë prindërore. Ashtu siç nuk dua të gjykoj nënat e tjera, apo personat që njoh, të cilët zgjedhin të punësojnë një dado për fëmijët e tyre, t’i dërgojnë nëpër institucione private edukimi, kopshte e shkolla apo sikundër t’ua besojnë edhe gjysheve, roli i të cilave është kurdoherë i pazëvendësueshëm’, vijon ajo. E bindur se prania dhe dashuria prindërore karshi fëmijëve nuk është asnjëherë e tepërt, përkundrazi ajo i bën më të sigurt për jetën, për 37-vjeçaren ekziston patjetër edhe një kufi. Dhe kjo ndodh pikërisht në ditët kur zgjohesh në mëngjes dhe i thua vetes sa shpejt rriten këta fëmijët! Vjen një çast kur ata nuk e kanë më nevojën prindërore ose kjo e fundit duhet të përshfaqet në doza të reduktuara, por kurrsesi për të diktuar një veprim apo vendim tyrin. “Më ndodh shpesh t’i them vetes se si fluturuan kaq shpejt vitet, si u rritën fëmijët tanë. E shoh tek vajza e madhe, Blendina. Tani, mëngjeseve, kur unë edhe mund të mos jem zgjuar nga gjumi, ajo bëhet gati vetë për në shkollë, përgatit mëngjesin duke u përfshirë në gjithë ato detyrimet e moshës së vet. Më ngjan sikur spostohem në këtë moment, pa e kuptuar se ajo tashmë është një vajzë e rritur dhe e gatshme për të bërë siç ajo dëshiron zgjedhjet apo vendimet e saj. Vajza na e shpreh dëshirën e zgjedhjes së fakultetit të mjekësisë, si të preferuarën e saj, ndërkohë që ne si prindër na duket një profil i vështirë dhe i zgjatur në kohë. E kemi lënë të bëjë zgjedhjen që dëshiron pa ndërhyrë aspak. Duke dëshmuar këtë anë të tolerancës sonë, pa dashur kuptojmë se fëmijët tanë tashmë janë rritur dhe janë të aftë të vendosin vet. Dhe besoj se kjo brumosje karakteri dhe individualiteti nuk do të kishte ardhur kollaj nëse do kisha zgjedhur të bëja karrierën time profesionale, duke lënë pas dore rritjen e tyre. Deri më tash, gjithçka ia ka vlejtur”.
Botuar në revistën Psikologjia, nr 66
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.