Marrëdhënie

April 9, 2016 | 12:07

Dëshmi/Manjola Hasani: Ezdalini më diferenconte nga të tjerat

Mollëzat e duarve preknin lehtë, butë. Rrëshqisnin mbi trupin e saj, ndërsa me emocion ngrinin rrëmbimthi në ajër trupin e hollë dhe me linja, për të zbritur më pas në tokë me shtrëngimet në kraharor. Piruetat apo paso doblet ishin po kaq të nxehta dhe pasionante. Në çastet kur në krahët e tij kishte partneren e preferuar, kjo gjuhë koreografike merrte një tjetër domethënie. Arti bëhej njësh me ndjenjën. Për balerinin e njohur Ezdalin Gorani, kjo ishte mënyra më e mirë për t’i rrëfyer Manjola Hasanit atë ngacmim që e gërryente nga brenda për shoqen e vjetër të shkollës. Falë roleve në skenë, balerini arriti t’ia mbushë mendjen dhe ta bindë Olën për dashurinë e vërtetë që kish lindur, çka në fakt kishte kohë që kish trazuar shpirtrat e tyre. Pavarësisht se nuk e shikonin si reale këtë histori dashurie, diçka tjetër, më e fortë, që vinte nga brenda zemrave të tyre, triumfoi mbi ta. Me gjithë stepjen e partneres së tij, Ezdalini tentoi e tentoi përmes shenjash e forma sjelljesh, për të bërë për vete bashkëshorten që ka sot, Manjola Hasanin. Ezdalini rrëfen: “Ka qenë baleti ‘Hirushja’, ku ne kishim rolet e mbretit dhe mbretëreshës. Manjola ka qenë e ulur tek rekuizita, prapa kuintave. Aty kërkova ta puth dhe pas disa tentativave ia arrita. Në fakt midis balerinësh ndodhin këto gjëra, ka intimitet në stadin e shoqërisë. Por tek mua vinte ndryshe ky reagim. I jam ngjitur nga pas, i kam propozuar, e kam ngacmuar. Jam treguar gjithashtu jashtë ambientit të punës tip i shoqërueshëm, dilnim me miq të përbashkët, e çoja në vende të ndryshme. Në kafe tregoja kujdes në tavolinë, vëmendje ndaj bisedave e shenja të tjera mirësjelljeje për t’ia bërë më të lehtë Olës për ta kuptuar”. Nga ana e saj, partnerja e tij në jetë dhe skenë, Manjola Hasani, nuk harron asnjë detaj nga ngacmimet, që pas një periudhe do të përfundonin në një lidhje të zjarrtë dashurie. “Pozicioni ynë ka qenë i lidhur me këto gjëra. Bëhet fjalë për nëntë vjet më parë. Ishim thjesht shokë deri në atë kohë. Filloi të më kërkonte të dilnim më shpesh bashkë. E shihja veten vetëm me të. Kishte një komunikim me ndjesi tjetër. Më vëmendje dhe përkushtim, ndryshe nga sa kishte më parë, kur grindeshim dhe kacafyteshim për gjërat më të vogla. Në njëfarë mënyre përmes shikimeve, në heshtje, pa fjalë, e kishim kuptuar se po ndodhte diçka mes nesh, por që ende nuk pranonim t’ia rrëfenim njëri-tjetrit”. Lidhja e tyre do të merrte kuptimin e duhur në çastin kur do të ishin të ftuar në dasmën e vëllait të shokut të përbashkët. Të ftuar ku ishin dhe kolegë të tjerë, ndodhi që të dy bashkë në fund të festës të përcillnin miqtë e tyre, ndërsa vetë të gjendeshin të vetëm në makinë. Aty nuk ishte nevoja për shenja apo sinjale se kush duhet të merrte hapin i pari. U përqafuan dhe i dhanë puthje njëri-tjetrit, për të lënë pas atë ngarkesë emocionesh që i trembte për të hedhur një hap më shumë. E gjithë kjo situatë nënkuptoi dashurinë e tyre, ndërsa do të shtoheshin dozat e tik-taket e zemrës për të pritur orët e para të ditës tjetër, për t’u gjendur sërish bashkë. Ajo që e bindi Manjola Hasanin tek Ezdalini ishte siguria në vetvete, besimi, karakteri komunikues, pamja e jashtme e sigurisht xhentilesa që ai ofronte. “Këto ishin sinjale që tek unë ishin fiksuar. Ezdalini shpesh më thoshte: Ti ha bukë veç nga vajzat e tjera. Sidomos kjo ishte shumë domethënëse për seriozitetin e lidhjes sonë”… Kanë kaluar shumë kohë qysh nga hedhja e sinjaleve të para… tashmë prej pesë muajsh Manjola dhe Ezdalini janë prindër të Olesias. Vajza e tyre bukuroshe u ka ndezur pasionin të rinjve, që, siç thotë Ola, i ka dhënë kuptimin e duhur jetës në çift.

Botuar në revistën Psikologji, nr.93

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top