Ajo nuk e njeh klishenë, skematizmin jo e jo, dhe kompromis nuk ka ndër mend të bëjë nëse nuk i përshtatet në të gjithë natyrën e saj prej rebeleje. E megjithatë vazhdon të mendojë se sinqeriteti fëminor në një çift e mban lidhjen konstante, si në fillim dhe në fund të saj. Ndërsa të dhënit liri për partnerin, po aq sa dëshiron dhe për vetveten, gjithashtu është kompromisi më i çmuar në jetën e përbashkët. Në paralelizmin që i bën përvojave nga dy martesa, poetja Mimoza Ahmeti vlerëson se tani e di që nuk do mund të ndajë asnjë burrë që do ishte i saji, prej një tjetri, nga pikëpamja njerëzore.
Bashkëjetesa në çift është art të cilin duhet të dish ta performosh për një lidhje të shëndetshme. Sipas jush, cili është sekreti i një marrëdhënie të lumtur?
Unë besoj se sekreti i një marrëdhënieje të lumtur është ta marrësh jetën pak në vëzhgim. Ne përfshihemi, dhe në fakt përfshirja është jetë, emocion. Por vëzhgimi, domethënë distanca, është shpëtuese në mjaft raste. Ajo të hap sytë nëpërmjet vetëanalizës dhe të bën të mendohesh përse tjetri është burim për ty ose shterje. Por edhe kjo presupozon një botë gjykimi që i ka shpëtuar kushteve imediate. Gjithsesi një çift me sinqeritet fëminor, ka më shumë gjasa për lumturi sesa një tjetër që tjetërsohet dhe mbetet skllav i një gjykimi principial.
Një marrëdhënie dyshe që të mbijetojë varet nga aftësitë e të bërit kompromis?
Edhe kur tërheqja vdes, dhembshuria mbetet për njeriun me të cilin kemi jetuar. Tërheqja bie për shumë arsye, njëra prej të cilave është se konsumimi i ekzistencës në marrëdhëniet e familjes e rutinon njeriun duke e futur në një sistem përsëritjeje e përgjegjësie, ku të jetuarit dhe qejfi mbeten çështje të dorës së dytë. Kompromiset në çifte nuk janë të turpshme, përkundrazi ato tregojnë se bazat fizike të të qenit nuk kanë përse të përzihen me ato shpirtërore edhe pse kështu e kërkon detyra. Kompromiset tregojnë jo vetëm tolerancë, por edhe kuptim njerëzor, por, nga ana tjetër, varet se si janë këto kompromise dhe çfarë përfshihet në to.
Në këtë kontekst, çdo të thotë për ju të jesh e aftë të bësh kompromise?
Të jesh i aftë të bësh kompromise do të thotë t’i japësh edhe partnerit atë liri që i jep vetes dhe të kujdesesh për të që ai ose ajo të gjejë po ato kënaqësi që gjen edhe ti. Po ashtu të kujdesesh edhe për rritjen e fëmijëve, në mënyrë konkrete, jo vetëm financiarisht, për t’i dhënë edhe partnerit ose partneres kohë të mjaftueshme për dëfrim, ashtu sikundër ia jep edhe vetes.
Cilat janë kompromiset që ju keni bërë në marrëdhënien tuaj?
Kompromiset janë pothuaj të pavetëdijshme, por me kalimin e kohës ato ftillohen. Kufizimet që kryejmë tani gjithmonë e nxjerrin veten më pas. Kam jetuar në Shqipëri për hir të bashkëshortit, për shembull. Kostot e tjera merren me mend.
Duke e ilustruar me një shembull konkret?
Sigurisht me kalimin e viteve jeta tipizohet, po ashtu njeriu dhe marrëdhënia. Kam luftuar gjithmonë për gjëra të reja, kundër tipizimit. Jam parë edhe me ironi apo mosbesim, edhe nga opinioni. Gjithmonë kam dashur të jetoj si individ brenda familjes, gjë e cila është gati një çmenduri, në kushtet tona dhe kudo në botë, pasi familja dhe individi vështirë të rrinë bashkë normalisht. Kam kënduar, pikturuar, menduar dhe ua kam imponuar edhe pjesëtarëve të familjes pavarësinë. Aq sa një herë im shoq më thosh: Ti asnjëherë nuk na bëre familje. Unë u ambientova me të gjitha huqet e tij, përveç indiferencës së tij për subjektin e njeriut.
Mendimi ndryshe, debatet, sa e kanë ushqyer raportin?
Zakonisht kam vendosur vetë për blerjet, por lekët i mbante ai.(qesh) Shijet e mia janë sa të thjeshta aq dhe margjinare, ndërsa ai është për ato më të kapshmet dhe të pranueshmet. Ai preferon mjetet teknike dhe çdo lloj teknologjie, jo pse i duhet. Thjesht për ta çmontuar ndonjëherë, e për të mësuar ndonjë gjë. Mua në blerje më tërheq gjithmonë e bukura dhe, kur nuk kam para, më tërheq e domosdoshmja.
Kompromisi është një mënyrë vetndihmëse për të gjetur një zgjidhje e cila sjell përfitime për të dyja palët, ju si mendoni?
Kompromisi nuk është një vendim me shpirt në dhëmbë. Kompromisi është një akt logjik, përfitimet e të cilave i kemi llogaritur dhe humbjet gjithashtu, dhe që për kuptimin tonë, nuk kishim rrugë më të përshtatshme. Kompromisi zakonisht është i njëanshëm. Kur është i dyanshëm do të thotë se kemi një kthim pas…ose një pikë rilogjikimi.
Aktualisht ju jeni në një lidhje të dytë. Nëse bën një paralelizëm mes dy përvojave, çfarë keni përftuar dhe cilat janë anët pozitive të këtyre raporteve?
Besoj se e mira e madhe që pata prej martesës së dytë është që rrita fëmijët dhe bashkë me ta edhe veten. Martesa ime e parë, shumë e shkurtër, mbetet diçka ende për t’u kuptuar. Besoj se më vonë do ta kuptoj atë. Por diçka është evidente: nga pikëpamja njerëzore të dy partnerët i dua njësoj. Madje tani e di që nuk do mund të ndaja asnjë burrë që do ishte imi, prej një tjetri, nga pikëpamja njerëzore.
Botuar në revistën Psikologjia, Prill 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.