Mes rreshtave lexuar, mes radhësh si përkthyese, mes fjalësh një përçuese e dijes. E gjendur përherë në brendinë që letërsia ofron, pa kufij shtrirjeje, përkthyesja dhe publicistja e njohur Mirela Kumbaro çlirët shfaq mendimin e saj rreth funksionit që ka të lexuarit dhe jo vetëm.
Biblioterapia apo shërimi përmes leximit. Si ka funksionuar tek ju?
Për hir të së vërtetës nuk e kisha artikuluar ndonjëherë kështu marrëdhënien time me leximin dhe me librin. Ndoshta edhe sepse leximi për mua s’është vetëm zbavitje apo përmbushje e kënaqësisë kulturore, por është punë, profesion dhe detyrë. Si i tillë, leximi bëhet kusht i panegociueshëm i së përditshmes. Por kur ndalem një hop për ta menduar kështu si më pyesni, gjej plot momente të jetës sime, ku në mënyrë herë të pandërgjegjshme e herë me zgjedhje të mirëfilltë, kam shkuar drejt librave që i përgjigjeshin gjendjes sime të caktuar. Të tilla kanë qenë periudhat e lumtura të shtatzënive të mia, ku gjeja një prehje të pakrahasueshme me tjetër gjë, në leximet e mia. Ishin libra që ose u jepnin përgjigje gjithë pyetjeve, me vend apo pa vend, të një gruaje “në gjendje interesante” siç thoshin francezët në shekullin XIX, ose plotësonin me histori letrare gjendjen e veçantë shpirtërore të një nëne “s’afërmi”.
“Kush jeton, jeton jetën e vërtetë; kush lexon jeton edhe jetën e të tjerëve. Të shkruarit regjistron punën e botës” (Ferdinando Camon, shkrimtar italian). Sa ju përngjet ky përshkrim i tiji?
As këtë s’e kisha menduar kështu. Më përngjet po tjetërsoj, çka do të thotë se më duket se e kam perceptuar pak ndryshe: lexoj jo për të shkuar në jetët e të tjerëve, por për t’i bërë të tjerët pjesë të jetës sime. Mund të jetë një qasje më egocentrike kjo, e pranoj. Po fundja, pse jo? Ajo që mbetet në të dyja qasjet është leximi si një marrëdhënie me botën, ose më saktë si një pasurim marrëdhëniesh. Me botën e vërtetë, me botën e përfytyruar, me atë që ka qenë dhe me atë që do të vijë, por edhe me atë që kurrë s’ka ekzistuar. Dhe kjo e fundit, them unë, është më joshëse, marramendëse, sepse këtë lloj marrëdhënie jua jep vetëm libri. Edhe filmi apo format e tjera të artit do të thoni ju. Jo sa libri. Se e para ishte Fjala, dhe pastaj përfytyrimi i imi. Ndërsa format e tjera të artit na formatojnë disi përfytyrimin. Kështu më pëlqen ta shoh.
Të lexosh është një mënyrë e rëndësishme për t’u kujdesur për veten, shkruan i madhi Borges, sepse çdo libër është një univers…
Nuk e lidh leximin domosdoshmërisht me vetminë e dëshpërimin. Përkundrazi, unë lexoj më shumë dhe më mirë (se edhe leximi ka cilësitë e veta që s’janë gjithmonë njësoj) kur jam në formë, me energji dhe me dëshirë për punë e për jetë. Libri nuk më kuron, më gëzon. Nuk e kam farmaci, e kam ushqim, nga ai i miri. Nuk është ai besniku im, përpiqem unë t’i jem besnike. Nuk pres të më vijë, i shkoj unë nga pas. Dhe në fund, nuk lexoj se jam e vetmuar. Unë përpiqem t’i krijoj vetes hapësira vetmie e të veçuara që të mund të lexoj më shumë. Të gjitha këto vlejnë kryesisht për librat që i zgjedh vetë, që dua ose ëndërroj t’i lexoj. Them ëndërroj, se ka shumë libra që s’arrij t’i lexoj dot, sepse koha dhe jeta s’na premton, një pjesë e tyre “dergjen” te koka e krevatit, pranë tryezës së punës, i marrim me vete nëpër valixhe e i sjellim sërish pa i mbaruar dot. Por rëndësi ka që i mbajmë pranë, në pritje të dorës sonë që zgjatet drejt tyre. Janë dhe librat e tjerë që i lexojmë, që duhet t’i lexojmë, për arsye pune, për t’u informuar ose për t’u formuar. Jo gjithmonë japin kënaqësi, por janë të domosdoshëm për idetë. Kur edhe na shijojnë, besoj se është një çast sublim.
Sa nevojë ka shoqëria jonë për të qenë më e ndërgjegjshme karshi leximit?
Tani, kjo është një pyetje e pastër retorike. Edhe shoqëria më e ndriçuar, që s’është kjo e jona, edhe vendi më i arsimuar, që nuk ndodh të jetë ky i yni, kanë nevojë të përhershme për leximin, sepse ky i fundit është në një proces të pafundmë përtëritjeje sikurse vetë lexuesit janë të tillë. Leximi dhe kultivimi nëpërmjet leximit janë thelbësorë jo thjesht për mirëqenien individuale të njerëzve, por në radhë të parë për mirëqenien kulturore dhe qytetëruese të shoqërisë. Shoqëria shqiptare, për shkak të një të kaluare historike të vjetër në padijen e vet, të izolimit nën diktaturë, të tranzicionit post-komunist, për shkak të konfuzionit kulturor, të traumës së sistemit arsimor etj., por edhe të dobësisë ekonomike, ka humbur shumë nga trenat që do duhej ta shoqëronin drejt stacioneve të leximit. Sot është aq urgjente ndërhyrja për rimëkëmbje, sa nuk pret puna që vetë shoqëria të rritet e të zhvillohet për ta kapur gradualisht ritmin e leximit e për të ndërtuar kulturën e librit, qoftë edhe në format elektronik. Roli parësor i takon pa asnjë dyshim shkollës, e kjo kërkon një mobilizim të strukturave shtetërore, në program, formim, në tekste dhe në aksione të posaçme. A është kjo në rend të ditës sot? – Diku andej. nga fundi dhe prapa liste, them unë, për fat të keq. Krahas shtetit janë mediat që duhet të ndërgjegjësohen të parat në këtë punë, sepse efekti që ato kanë në shoqëri është më i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Po këtu roli i tyre është thuajse i papërfillshëm. Dhe, së treti, për të gjithë aktorët e shoqërisë civile ka një terren ku ata mund të futen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e kulturës së leximit. Po për këtë do të duhet të presim që shoqëria civile në Shqipëri të ndërtohet një herë vetë. Për momentin ajo bën ç’mundet. Dhe në fund roli kryesor luhet nga familjet. Lum ai që ka fatin të lindet në një vatër ku bashkë me qumështin i mëkojnë edhe dëshirën për lexim.
Botuar në revistën Psikologji, nr.74
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.