Marrëdhënie

August 21, 2016 | 6:30

Dëshmi/Mirush Kabashi: Të dashurosh atë që bën

Po të flisnim për Sokratin, interpretimin, zërin, plastikën e mimikës e deri tek ato detaje “të padukshme” në thellësinë e syve të tij, do të dallonim lotët… kur flet për nënën. Por ato i shohim edhe atëherë kur reciton një poezi për pjesëtarin e pestë të familjes, Pufin, teksa flet për dashurinë “mes tyre, që nga shëtitjet së bashku nga liqeni”. E nëse do t’i mblidhnim gjithë këto copëza kujtimesh e detajesh, nuk do të na mjaftonin as faqet e kësaj reviste e as përshkrimi “shkurt” i detajeve të atyre duartrokitjeve të pafundme, skenave që është ngjitur, e atyre të shëtitura në gjithë botën, apo edhe ato ëndrra në sirtar, si dhe regjisorët që i kanë ofruar bashkëpunime.

download

E kjo, kafja e këtij mëngjesi shumë pranë shtëpisë së tij në Tiranë, shoqërohet me këngë që i shkojnë atmosferës sonë. Pra, mbi të gjitha po flisnim me artistin, për dhe mbi dashurinë… “Nuk e kam të lehtë të pozicionohem në këtë det apo oqean të madh të shpirtit, apo në këtë ujëvarë kur flitet për dy shpirtra që lidhen e krijojnë vijimësinë, si nga ana shpirtërore, profesionale apo fizike nëse brenda një spërkatje nga kjo ndjesi aq humane, s’mund të quhet dashuri. Por, nëse nuk fokusohesh… ka mundësi të mbytesh”. Atëherë le të flasim për dashurinë, atë dashuri të parë të profesionit. “E pranova me kënaqësi ftesën, pasi s’kam pasur qejf të hapem me mediat, por tema, ju e revista që i kushtohet dashurisë për këtë muaj, ma ndryshoi mendjen. Kryesisht kam biseduar për produktin tim artistik. E meqenëse folëm më parë për subjektin e ‘Zëvendësit të Grave’, i kam pëlqyer së pari motivin. Kjo pasi, njerëzit krijojnë personalitetin e vet kur priren apo dashurojnë një gjë a produkt për të cilin punojnë. Ky është një moment tejet i rëndësishëm në jetë. Është një konkluzion i imi artizanal. Nuk është një gjë e ndikuar nga psikologjia, letërsia apo diçka tjetër, por e kam dashuruar atë që kam bërë në 65 vitet e jetës sime”. E pyesim me shaka se mbase e ka mësuar në praktikë edhe shprehjen që përmendet në fund të filmit “Zëvendësi i Grave”. “Dy janë momentet e rëndësishme në jetë, – thotë Kabashi, – zgjedhja e profesionit dhe zgjedhja e njeriut. E para përkon direkt me dashurinë për prirjen si një mundësi abstrakte, një predispozitë ndaj atij profesioni. E nëse nuk ke dashuri, ajo nuk është më një prirje. E sa më shumë të jetë ajo prirje, aq më shumë dashuri ka”. Pra, pa pasionin për punën dhe partnerin, nuk ka dashuri…. “Pasioni vetë është dashuri”, – thotë Kabashi, teksa vijon se “ky film, siç ma përmende, e ka këtë mesazh nëpërmjet atyre situatave dhe atë tendencën që duhet ta ketë njeriu, pothuajse gati instinktive dhe gati gjysmë të kultivuar për t’u angazhuar atje ku i pëlqen, e aty ku ai ndihet. Në fakt, atëherë ai krijon personalitetin e tij dhe bëhet i dobishëm, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Atë film e kam bërë me shumë pasion.

Nuk e gjykoj ama se një njeri ka vlerë nëse ai është i vlefshëm veç për veten e vet. Ai mund të jetë çfarëdolloj, por jo i vlefshëm për shoqërinë… Zanafilla është respekti për njerëzit. Nuk dua të jap mendim të një karakteri psikologjik të njerëzve, por pasioni përmban brenda genin e trashëgueshëm të temperamentit, pra të pasionit të anës pozitiviste, ata që e bashkojnë dashurinë me këtë ndjesi, duke marrë drejtimin e duhur”. Më tej na rikujton një skenë nga “Zëvendësi i grave”, duke buzëqeshur, pasi ma kishte thënë edhe më parë këtë gjë. “Më vjen mirë që ka ende nga ky brez që shikon filma me nostalgji, pavarësisht se disa prej tyre janë në kuadër të ideologjisë. Nganjëherë të duket se kalohet edhe caku kur më takojnë njerëz në rrugë dhe shprehin admirimin. E kështu m’u duk një takim, teksa i ati i një djaloshi pothuajse 20 vjeç afrohet e më thotë se kishte ardhur të bënte një fotografi me të birin. Më tha:‘Ke luajtur me të që në barkun e nënës së tij’. Qesha paksa si nën buzë, pasi m’u duk shaka e tepruar. Pastaj e përsëriti sërish. E teksa pa reagimin tim që nuk më erdhi mirë, m’u drejtua duke më thënë: ‘Shiko se s’po më kupton me sa duket, pasi ky është fëmija që ishte në barkun e nënës së tij, kur është skena që ju i lironi vendin një gruaje në autobus”, – rikujton aktori Mirush Kabashi, teksa qesh me të madhe, nga ai humor që pak kohë më parë iu duk “pa kripë”. E më pas vijon: “Ka disa lloje pasionesh (profesionesh) si i artistit apo aktorit, të cilat nuk bëhen të realizueshme nëse në themel të tyre nuk është ngjizur dashuria për njerëzit, por edhe besimi… qoftë edhe nga zhgënjimet që mund të kesh pasur. Respekti dhe dashuria janë fort të afërta, dhe mungesa e besimit i deformon ato, duke i kthyer në xhelozi, – shprehet Kabashi. – Në demokraci është e domosdoshme kultura e respektit dhe e asaj që quajmë ‘dashuri’, por ne po i paguajmë një haraç të madh mentalitetit, mungesës së kulturës në shoqëri, kufizimeve të së shkuarës… duke ia hedhur fajin politikës apo ndryshimeve të mentalitetit”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.80

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top