Monika Lubonja aktore e Teatrit Kombëtar. Ka interpretuar gjithashtu role në filmat: “Pas fasadës”, “Plumbi prej plasteline”, “Dasma e Sakos”, “Tirana, viti zero”. Protagoniste dhe producente te “Menaxheria e qelqtë”. Drejtuese në emisionin televiziv “Gra të Lira”.
Ajo është origjinale, e vërtetë, pa kurrfarë tabush apo skemash që rëndom mund të sipërfaqësojnë për të fshehur të dukshmen. Rreket kahera të japë mendimin e saj në realitetin shqiptar të fenomeneve të shumëllojeve. Aktore me përvojë, imazh karizmatik, një grua dhe nënë me eksperiencë. Monika Lubonja rend dhe ngre zërin në mbrojtje të interesave të vërteta njerëzore, atyre që thellësisht mundojnë shpirtrat. Sheh pozitiven në botëkuptimin e saj për marrëdhëniet që krijohen dhe gjithaq, cilësi dhe të mira që çojnë në përsosmëri individuale. Por si i sheh Monika lidhjet afatshkurtra, emancipim apo shthurje? Për të, çdo lidhje mes një çifti nis nga gjërat e bukura. Assesi një shthurje, më shumë se një emancipim. Pavarësisht përqasjes personale që ajo ka drejt marrëdhënieve me baza, emancipimi për Monikën është i padiskutueshëm. Gjithçka sipas saj varet nga rrjedhshmëria dhe detajet gjatë lidhjes. Për të nuk ekziston një lidhje e shkurtër thjesht për të përmbushur kërkesat fiziologjike. Sipas saj, ka një ngasje, një tundim personal që brenda kuadrit të afrimitetit, gjuhës së përdorur apo tërheqjes fizike, ndikojnë shumë më tepër se sa thjesht ‘aventura e një nate’. Nëse ka rënë pré, me vetëdije tërhiqet, pa lënë shteg për përvoja që nuk plotësojnë zemra të vetmuara. “Të gjithëve na ka ndodhur që muajt e parë t’i kemi kaluar bukur. Nuk të del koha për njohje. Je e dehur, e mpirë. Rrugës shpalosen gjërat. Del mpirja, shfaqen xhelozitë, gënjeshtrat. Sheh se nga muaji i dytë apo i tretë nuk je më për atë lidhje. Ta pranosh këtë orientim është emancipim. Të pranosh ndarjen, nuk ka më mirë”. Brenda këtij perceptimi real, Monika përmend se vlerë kanë gjurmët që lënë pas këto lidhje të shkurtra. Mësime që ndikojnë për të mos rënë në një gabim të ngjashëm. Kjo sipas saj varet nga zgjuarsia, mençuria e gjithkujt për ta bërë dallimin në kohë të shkurtër. “E mira është që të dish të kuptosh se çfarë do të kërkosh nga lidhjet e tjera. Mund të kesh dy apo tri lidhje dhe nuk bie dakord. Në një debat televiziv me Moza Ahmetin, ishte një vajzë që i ndërronte shumë partnerët. I them: Moza ajo ndoshta nuk ka gjetur veten, nuk është ndjerë mirë, nuk ka ndjerë dashurinë, seksin dhe orgazmën në fund të fundit. Më mirë të provojë deri në gjetjen e lumturisë”. Por si i shikon Monika Lubonja një burrë apo një grua që ndërgjegjshëm krijojnë lidhje afatshkurtra? “Do i ndaja. Nëse bëhen manjakë, pa diskutim që është dënim, është e dëmshme për trurin, shpirtin e tyre, për zemrën. Kjo u dëmton shëndetin psikik. Nuk arrijnë të njohin dot një njeri duke e pasur mendjen tek një gjë. U është shndërruar në patologji. Mjerë ata që e kanë dhe mjerë ata që e provojnë. Kanë nevojë për kurim, për psikolog. Ata vetë mbase s’e kuptojnë. As në anën seksuale s’e kërkojnë dot të mirën”.
Martesë nga dashuria apo dashuri nga martesa?
E para. E kjo është absolute për Monika Lubonjën. Në përvojën e saj, brezi që përfaqëson i ka mëshuar rregullave dhe detyrimeve morale të shoqërisë së mbyllur që shumë persona i ka dëmtuar. “Duke u nisur nga ajo kohë, dilnim nga dy-tri orë, një të shtunë me shoqërinë. Por nuk ishte vetëm kjo e keqja. Kishte mosdije, mungesë kohe. Ekzistonte virgjëria, një injorancë e madhe. Shumë gjëra puqeshin për shkak të interesave. Nuk do aneksoja dhe njerëzit që janë martuar me dashuri. Por them që shumë pak ka dashuri. Kjo sjell dyfishimin e problemeve. Për shkak të një lloj padije e një lloj zaptimi të dukshëm te femrat. Kur një grua ndahet, shteti duhet t’u vërë gjithçka në dispozicion. Ajo nënë do rrisë fëmijën, pa atë nuk bëhet gjë. Por kjo mbetet një handikap i madh i shoqërisë sonë. Vërtetë familja është baza, por nëse aty ka humbur gjithçka, nuk ka pse të qëndrojë me paterica për hir të fëmijëve. Një gënjeshtër e madhe e meshkujve kur thonë: Për hir të fëmijëve. Këtu u kam hequr vizën sepse fëmijët përdoren për shpëtim të situatës”.
Botuar në revistën Psikologjia, Maj 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.